Nga Ilir Kalemaj
Një nga librat më autoritarë që tregojnë ardhjen e Vladimir Putin në pushtet si pjesë e një klike të KGB-së është ai i gazetares investigative dhe ish-korrespondentes së Moskës Catherine Belton i quajtur Njerëzit e Putinit: Si KGB mori fllimisht Rusinë dhe më pas i’u vu Perëndimit.
Në këtë libër ajo zbulon historinë e patreguar se si Vladimir Putin dhe grupi i vogël i siloviki apo ish-punonjësve të KGB-së që e rrethonin u ngritën në pushtet dhe plaçkitën vendin e tyre. Duke u zhytur thellë në funksionimin e Kremlinit të Putinit, Belton i qaset lojtarëve kyç të brendshëm për të zbuluar sesi Putini zëvendësoi manjatët e lirë të epokës së Jelcinit me një brez të ri oligarkësh besnikë, të cilët nga ana e tyre përmbysën ekonominë dhe sistemin ligjor të Rusisë dhe zgjeruan shtrirjen e Kremlinit në Shtetet e Bashkuara dhe Evropa. Rezultati është një ekspozim rrëqethës i revanshit të KGB-së – një histori që fillon në errësirën e kolapsit sovjetik, kur rrjetet e operativëve ishin në gjendje të nxjerrin miliarda dollarë nga ndërmarrjet shtetërore dhe të zhvendosnin plaçkën e tyre në Perëndim.
Historia politike e Putinit nisi kur ai u katapultua si zv.kryetari i bashkisë së St. Petersburgut nën reformatorin liberal Anatoli Sobchak por që tani mendohet të ketë qenë gjithashtu i rekrutuar nga KGB-ja qysh herët. Aty Putin nisi të konsolidonte jo vetëm pushtetin e gupit KGB-ist që e ka rrethuar vazhidmisht si ndër më besnikët dhe gojëkyçurit por edhe pjesën e krimit të organizuar. Me këta të fundit ai kontrollonte portin kryesor të qytetit dhe gjithë kontrabandën dhe aktivitetin kriminal që i sillte atij vetë dhe rrethit të ngushtë fitime jo të vogla për kohën. Gjithashtu vijoi një traditë të vjetër staliniste që përdorte bandat kriminale për tregti të paligjshme, për të nënshtruar dhe kërcënuar kundërshtarët, për të kontrolluar burgjet etj.
Putini dhe aleatët e tij më pas përfunduan axhendën që kishin qysh në krye të herës, duke riafirmuar fuqinë ruse duke marrë kontrollin e ekonomisë për vete, duke shtypur zërat e pavarur dhe duke nisur operacione të fshehta të ndikimit jashtë vendit. Duke filluar nga Moska dhe Londra në Zvicër dhe Brighton Beach në Brooklyn – dhe grumbullimi i një kasti personazhesh të errët, Njerëzit e Putinit është rrëfimi përfundimtar i mënyrës se si shpresat për Rusinë e re u devijuan, me pasoja të rënda për banorët e saj dhe, gjithnjë e më shumë, për botën.
Ky libër si dhe të tjerë të shkruar vitet e fundit si librat e Mark Galeotti, dëshmojnë ndërthurrjen e biznesmenëve okultë, botës kriminale dhe njerëzve të sigurimit për të ndërtuar pasuri të jashtëzakonshme për veten, duke përfituar nga rritja galopante e cmimeve të naftës dhe gazit natyror në tregjet globalë dhe nga kontrolli i rrugëve të trafikut nga Turkmenistani, Kazakistani, Azerbaxhiani dhe ish-republikave të tjera të Azisë Qëndrore dhe Kaukazit.
Kjo ndërthurrje asgjësoi çdo sipërmarrës legjitim si Khordokovsky apo Pugachev që pavarësisht fillesave problematike kishin ditur të menaxhonin suksesshëm dhe listonin në bursat ndërkombëtare kompanitë e tyre, duke i zëvendësuar komplet me kapitalistë të asistuar si Oleg Deripaska apo Roman Abrahimovic, paratë e të cilëve ishin shpesh “dhuratë” nga Kremlini por që duhet patjetër të paguanin “taksë” shefit dhe të ishin vazhdimisht të dëgjueshëm në lidhje me investimet apo “filantropinë”. Dhe kushdo që guxonte të devijonte sadopak atëherë ekzistonte një dosje e tërë për ta zhytur në cdo moment, me fjalën kyç “kompromat”.
Në këtë libër detajohen gjithashtu ndërhyrja në zgjedhjet amerikane, si dhe sponsorizimi i politikës ekstremiste në Evropë. Bëhet një skaner i ndërhyrjeve në Çeceni dhe Gjeorgji si dhe një panoramë e e ndërhyrjes në Krime dhe konfliktit në Ukrainën Lindore. Duhet theksuar, se vitet e fundit, Rusia e Vladimir Putinit ka zhvilluar një fushatë të bashkërenduar për të zgjeruar ndikimin e saj dhe për të minuar institucionet perëndimore. Shpërhapja masive e dizinformimit e kombinuar me lajmet e rreme dhe të “vërtetat” alternative ka qenë një plan i mirëmenduar për të shkaktuar përçarje dhe kundërvënie mes aleatëve perëndimorë, për t’u shkaktuar dhimbje koke drejtuesve të tyre dhe për të shkaktuar çoroditje mes popullsive të tyre.
Presioni mbi Ukrainën ka filluar qysh herët në 2005 kur Viktor Jushçenko dhe aleatja e tij Julia Timoshenko fituan pas përsëritjes së zgjedhjeve të manipuluara dhe revolucionit portokalli. Gjë e cila nuk u gëlltit dot nga Putin dhe klika e tij të cilët ishin investuar personalisht në mbështetje të kandidatit të tyre Janukovic të cilin mundën ta rikthenin përkohësisht në detyrë. Kjo pasi Ukraina e kërcënonte dhe vazhdon të kërcëënojë Kremlinin në mënyrë të trefishtë.
Së pari, si një demokraci dhe me orientim pro-perëndimor, e cila në vetvete është kërcënim për rendin autokratik të Federatës Ruse. Së dyti, për shkak të daljes nga sfera e influencës ruse. Së treti, për shkak të kontratave korruptive të kalimit të gazit tranzit nga e cila përfitonin maksimalisht oligrakët e lidhur ngushtë me Kremlinin si Dmitry Firtash, çka ishte një rezervë e konsiderueshme parash të thata që Utin dhe rrethi i tij ose i investonte në pallatin perandorak që Putin po ndërton fshehurazi nga vëmendja e publikut në brigjet e Detit të Zi, ose u duheshin për të blerë zgjedhjet dhe represion me qëllim mbajtjen e pushtetit politik.
Natyrisht pushteti sjell përfitime të jashtëzakonshme financiare të cilat perpetuojnë qëndrimin në pushtet dhe të shohësh përtej kësaj perdeje është shumë më tepër ilustruese se të mundohesh të interpretsh me syze ideologjike qëndrimin e Putinit apo njerëzve pranë tij. Natyrisht një Rusi autoritariste e cila funksionon si një piramidë me pushtete të përqëndruar të një person i cili ka monopolin e pushtetit por kapitaliste në funksionim me synimin e përqëndrimit të pasurisë në një grup personash, është modeli që Putin dhe njerëzit e tij kuptuan se do ishte i duhuri qoftë për kapital politik, qoftë për qëndrueshmëri afatgjatë.
Rikthimi i lavdisë së Rusisë cariste apo Bashkimit Sovjetik përmes kontrollit të aseteve nga menaxherët shtetërore dhe kapitalistët e asistuar do të ishte derivati përfundimtar me të cilin do të përmbushnin aspiratat e një pjese të gjerë të popullisë, çka bashkë me eleminimin dhe syrgjynosjen e kundërshtarëve politikë dhe kontrollin e plotë mbi media, do të perpetuonin qëndrimin e tyre në pushtet. Lufta në Ukrainë do të jetë ose vazhdim i së njëjtit film, ose hapja e një sipari të ri. Në radhë të parë për vetë Rusinë.