Pas Alqi Pagunit, një tjetër i dënuar me burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për “Masakrën e Qafë Gjashtës” kërkon lirinë nga arratia. A
Aleksandër Bala alias Aleko Bala, 52-vjeç, i dënuar me 15 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ka bërë një kërkesë në Gjykatën e Sarandës për “parashkrim të ekzekutimit të vendimit”, pra shuarje të dënimit me burgim.
Çështja pritet të shqyrtohet të enjten në 24 mars në orën 11.30 nga gjyqtari Alban Veçani. Bala, mesa duket i referohet legjislacionit shqiptar që parashikon që “Vendimi i dënimit nuk ekzekutohet, kur nga dita që ka marrë formë të prerë kanë kaluar dhjetë vjet për vendimin që përmban dënim pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet burgim”.
Aleksandër Bala, i njohur si Aleko apo Leku, pronar i një parkingu privat në Sarandë, u shpall në kërkim nga policia në nëntor 2017 pas një operacioni të madh të policisë për ekzekutimin e urdhrave të ndalimit për autorët e “Masakrës së Qafë Gjashtës”.
Ata akuzoheshin se në 4 mars 1997 vranë dhe dogjën oficerin e policisë Gjergj Mehmeti, mbajtën peng dhe torturuan oficerin Eduard Aliaj dhe tentuan të vrisnin oficerët e policisë Sokol Bizhga e Myzafer Blushi.
Për ngjarjen në fjalë u arrestuan Vladimir e Nestor Sinani, Alqi Paguni, Eduart Çipa e Edmond Sejko si dhe u shpallën shumë të tjerë në kërkim.
Nga të gjithë të akuzuarit vetëm vëllezërit Sinani kryen dënimin e tashmë kanë dalë nga burgu, pasi Çipa u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit e Sejko u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje.
Në tetor 2011, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda dha këto dënime përfundimtare:
Vladimir Sinani 18 vite burg (Tashmë e ka kryer dënimin)
Nestor Sinani 15 vite burg (Tashmë e ka kryer dënimin)
Aleksander Bala 15 vite burg. (Në kërkim )
Alqi Paguni 15 vite burg (Në kërkim )
Edmond Sejko 6 vite burg (Tashmë e ka kryer dënimin)Mikel alias Flamur alias Vladimir Këndezi 15 vite burg. (Në kërkim )
Arben Kendezi 16 vite burg (Në kërkim )
Agron Qurku 16 vite burg (Në kërkim )
Të njejtën kërkesë si Aleksandër Bala, në muajin shkurt e ka bërë në Gjykatën e Sarandës edhe 51-vjecari Alqi Paguni.
Vlen të theksohet se që të gjithë personat në kërkim janë arrestuar në kohë të ndryshme nga policia greke, por gjykatat e këtij shteti nuk kanë pranuar t’i ekstradojnë. Mes të kërkuarve që nuk është ekstraduar është edhe Agron Qurku, i cili veç Masakrës së Qafë Gjashtës është dënuar edhe për vjedhje bankash, plagosje, rrëmbim personi etj.