Kombëtarja shqiptare do të nisë të hënën grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve miqësore të muajit mars ndaj Spanjës (26 mars) dhe Gjeorgjisë (29 mars), teksa tashmë është bërë publike edhe lista me 26 lojtarët e ftuar për dy sfidat. Për trajnerin e përfaqësueses kuqezi, Edoardo Reja janë dy teste të rëndësishme që do t’i japin mundësi skuadrës të tregojë se sa është rritur duke matur forcat me rivalë të rëndësishëm.
Në prononcimin e tij për Fshf.org, tekniku italian ka folur për risitë e listës dhe zgjedhjet e tij, teksa është i kënaqur për faktin se shumë prej lojtarëve po luajnë rregullisht me klubet dhe marrin pjesë në liga të rëndësishme europiane.
Gjithashtu, Reja shton se pret që lojtarët të japin maksimumin në këto dy sfida, që janë një mundësi e mirë për të kolauduar ekipin në kuadër të impenjimeve të ardhshme zyrtare në Nations League. Sigurisht, për trajnerin edhe rezultati është i rëndësishëm në këto dy ndeshje dhe se Kombëtarja shqiptare do të provojë të marrë dy rezultate pozitive në këto miqësore.
Risitë në listë – Kemi gjithmonë një listë me rreth 30 lojtarë, por me vete do të marr 26 lojtarë, sepse është e kotë të marr lojtarë, të cilët më pas nuk do kenë mundësinë të luajnë. Është e qartë që në këtë listë ka disa te reja, është Asllani që po paraqitet shumë mirë me Empolin, duke treguar personalitet të madh pavarësisht moshës, por është një lojtar që ka aftësi të rëndësishme. Sigurisht është ende i ri, duhet ende të rritet, por unë dua ta aktivizoj dhe ta shoh në aksion në një ndeshje zyrtare. Ndonëse janë miqësore, por janë ndeshje të rëndësishme.
Më pas, është Kastrati, i cili gjithashtu po paraqitet mirë këtë vit në Serie B, është një futbollist të cilin e kemi ndjekur edhe më parë dhe më jep përshtypjen se ka ardhur momenti që ta grumbulloja me grupin tonë për të parë karakteristikat që ka. Pastaj kemi edhe një të ri tjetër të datëlindjes 2002, Bajrami i Benfikës, që e kam grumbulluar, ndonëse për momentin nuk ka ende pasaportën, por po punojmë që ta marrë sa më parë dhe shpresojmë që ta marrë në kohë në mënyrë që ta shohim në aksion. Pastaj duhet të kemi parasysh Balliun, i cili është lojtar që e kemi grumbulluar edhe në të kaluarën, por ka pasur probleme fizike. Urojmë që këtë herë të mos ketë ndonjë problem këto ditë dhe të jetë i gatshëm.
Është edhe Vrioni, që po paraqitet shumë mirë në Austri. Më në fund ka gjetur vazhdimësinë, ka shënuar 11 gola dhe dua ta rishoh në aksion me Kombëtaren. Pak a shumë këto janë risitë, për të tjerat kemi një grup mjaft solid dhe pres një rendiment të mirë në këto dy ndeshje.
Rëndësia e dy miqësoreve – Kam folur me djemtë edhe hera të tjera, ne nuk duhet t’i luajmë këto ndeshje si të ishin miqësore, e kam thënë edhe më parë, për Kombëtaren shqiptare nuk ka miqësore, të gjitha ndeshjet duhet t’i luajmë me 100% të mundësive tona, edhe sepse sa i përket rritjes në aspektin psikologjik këto janë ndeshje shumë të rëndësishme për të parë progresin që kemi bërë. Pra, janë dy ndeshje të rëndësishme, janë dy skuadra shumë të forta.
Për Spanjën, nuk ke çfarë thua shumë, vërtetë Italia e mundi në gjysmëfinalen e Europianit të fundit, por Spanja ia fshehu topin gjatë ndeshjes. E dimë shumë mirë se si luan, sidomos sa i përket zotërimit të topit që ata kanë, por ne duhet të jemi shumë të zotë që t’i bëjmë presion të lartë, në mënyrë që ata të mos kenë mundësi të ndërtojnë lojën e tyre. Ky është qëllimi ynë, por sigurisht fusha do të tregojë të vërtetë si gjithmonë.
Gjeorgjia është qartësisht një ekip tjetër i rëndësishëm, i një niveli shumë të mirë, dhe do të jenë dy ndeshje që na mundësojnë të bëjmë kolaudimet e duhura për të parë se në çfarë gjendje jemi. Më vjen mirë që të gjithë lojtarët po luajnë të gjithë me klubet e tyre dhe janë futbollistë që luajnë në kampionate më të forta, si në Serie A, dikush luante në Serie B një ose dy vite më parë dhe kjo u jep atyre më shumë eksperiencë. Shpresoj që të mund të shoh progres mbi të gjitha në aspektin psikologjik dhe mbi të gjitha në aspektin e pjekurisë.
Objektivat në rezultate – Luajmë gjithmonë për të marrë rezultate pozitive, mbi të gjitha kundër Spanjës e dimë që do të jetë e vështirë të përballesh me një ekip të tillë, por përtej rezultatit dua të shoh progresin e lojës tonë, sidomos të shohim se si do të jemi përgjatë 90 minutave, kjo më intereson shumë. Kemi luajtur kundër Francës apo Anglisë, nuk kemi bërë mirë, por ndaj Spanjës do të do të doja të ishim në lojë deri në fund. Ky do të ishte një objektiv i rëndësishëm. Më pas ndaj Gjeorgjisë sigurisht shpresoj ta fitojmë këtë ndeshje, me Spanjën do të jetë e vështirë, por ndaj Gjeorgjisë është e qartë se pres lojë të mirë dhe rezultat pozitiv.