Prokurorja e Durrësit, Flora Reka dha shpjegime për gjetje të ngjashme në kriterin e pasurisë dhe figurës me ato që u konstatuan gjatë vetingut të bashkëshortit të saj, gjyqtarit të shkarkuar, Shpëtim Reka.
Prokurorja Flora Reka e Prokurorisë së Rrethit Durrës u përball të mërkurën më 16 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore që zgjati rreth katër orë ajo dha shpjegime për konstatimet në kriterin e pasurisë dhe të pastërtisë së figurës, që ishin të ngjashme me ato të evidentuara gjatë procesit të bashkëshortit të saj, gjyqtarit Shpëtim Reka, i cili u shkarkua më 22 shkurt.
Po ashtu, ajo dha shpjegime dhe për konstatimet në kriterin profesional për disa çështje të denoncuara nga publiku dhe në media. Prokurorja Reka u përfaqësua për një pjesë të gjetjeve të Komisionit nga avokati Genci Çifligu.
Procesi i vetingut për këtë subjekt rivlerësimi po kryhet nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtr ishte i pranishëm Theo Jacobs.
Konstatimet për pasurinë
Komisioni i ka kaluar subjektit barrën e provës për disa konstatime lidhur me një apartament 3+1 me sipërfaqe 146.5 m2 të blerë në Durrës në vitin 2004 për çmimin 70 mijë euro. Sipas KPK-së, Reka nuk ka deklaruar në vitin 2004 nënshkrimin e kontratës me rezervë; pagimin e kësteve në vlerën 20 mijë euro; burimin e ligjshëm të të ardhurave që kanë shërbyer për pagesat; detyrimin e mbetur dhe as pagesën e këstit të fundit. Ndërkohë, Sanxhaktari evidentoi se Reka ka deklaruar në vitin 2004 marrjen e kredisë bankare në vlerën 31 mijë euro, me qëllim përdorimin për blerje apartamenti.
Nga analiza financiare e KPK-së ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 744 mijë lekë për pagesën e kësteve në vitin 2004 dhe 365 mijë lekë për pagesën e një kësti në vitin 2006.
Avokati Çifligu pranoi se subjekti nuk e kishte deklaruar blerjen e këtij apartamenti në vitin 2004, por argumentoi se një pasuri quhet pronë pasi është paguar gjithë çmimi. Ai theksoi se në vijim ishte deklaruar pasi konsiderohej si pronë. “Por ka deklaruar kredinë në shumën 31 mijë euro që ka shërbyer si burim për apartamentin,” vërejti Çifligu.
Ai këmbënguli se subjekti dhe familja e saj kanë pasur burime të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie nga kursimet në vite, nga shitja e një apartamenti në shumën 3.3 milionë lekë dhe kredia. Çifligu konstatoi se Komisioni nuk ka konsideruar në analizë pakësimet e llogarive bankare dhe e konsideroi të pasaktë mundësinë financiare të subjektit të pasqyruar në analizën e KPK-së.
Po ashtu, ai kërkoi rishikimin e shpenzimeve TIMS duke vërejtur se deri në momentin e disa pagesave nuk ishin kryer udhëtime dhe nuk duhej që këto vlera të shpërndaheshin. Po ashtu, ai kërkoi që të mos përllogariteshin shpenzime për shkollimin e fëmijëve pas qershorit të vitit 2006, pasi nuk kishte të tilla. Sipas avokatit, Reka rezultonte me burime të mjaftueshme për krijimin e kësaj pasurie.
Lidhur me mosdeklarimin e detyrimit të mbetur në shumën 7000 euro, Çifligu theksoi se subjekti ka deklaruar vlerën e apartamentit në shumën 70 mijë euro si dhe vlerën e paguar 60 mijë euro. “Duket qartë detyrimi 10 mijë euro nga viti 2005,” pohoi ai.
Për mungesën e mandateve të pagesave për vlerën 7000 euro, Çifligu solli në vëmendje faktin se shoqëria ndërtuese e kishte pezulluar aktivitetin dhe kishte qenë e pamundur të siguroheshin dokumente. Ai shtoi se administratori i shoqërisë kishte kryer deklaratë ku shpjegohej se subjekti dhe bashkëshorti i saj i ishin kryer të gjitha pagesat dhe nuk kishin detyrime.
Reka ka deklaruar se babai i ka dhuruar në vitin 2000 një apartament me sipërfaqe 70.7 m2 në Tiranë dhe se ka blerë një pjesë të kësaj pasurie prej rreth 10 m2 në shumën 500 mijë lekë. Ajo ka shpjeguar se dhurimi i pjesës së apartamentit nga babai është i padokumentuar, pasi për efekt dokumentacioni është kryer nga i vëllai.
Nga hetimi i Komisionit ka rezultuar se babai i subjektit ka përfituar një sipërfaqe trualli së bashku me motrën e tij nëpërmjet një vendimi të Komisionit të Kthimit dhe Kompesimit të Pronave të vitit 1995 dhe në vijim, pjesën e tij ia ka dhuruar të birit i cili e ka investuar. Nga objekti 8-katësh i ndërtuar është përfituar dhe apartamenti të cilin disponon prokurorja Reka.
KPK e konsideron deklarativ pretendimin e subjektit për dhurimin pjesërisht të kësaj pasurie nga babai i saj dhe blerjen e sipërfaqes shtesë prej 10-12 m2 në vlerën 500 mijë lekë. Sipas Sanxhaktarit, në bazë të dokumentacionit ligjor, përfitues i ndërtimit mbetet vetëm vëllai. Ndërkohë, Komisioni ngre dyshime dhe për kalimin e kësaj pasurie vetëm tek Reka pa kundërshpërblim, duke përjashtuar fëmijët e tjerë.
Avokati Çifligu paraqiti një historik të gjatë të përfitimit të pronës, duke theksuar se ajo është e ligjshme, “Përfitimi i pasurisë ka ardhur nga veprime të ligjshme juridike”, theksoi ai dhe shtoi se edhe fëmijtë e tjerë kanë fituar nga babai në mënyra të tjera.
Avokati Çifligu kundërshtoi edhe gjetjen tjetër të Komisionit lidhur me pamundësinë e subjektit për të vërtetuar pagesën e detyrimeve për të ardhurat e deklaruar si të përfituara nga dhënia me qira e apartamentit në Tiranë, shuma që janë deklaruar si burim për pasuritë e tjera dhe për shpenzime.
Sipas avokatit, qiramarrësit kanë qenë subjekte tregtare dhe e kanë pasur ata detyrimin për pagesën e tatimeve. Ai shtoi, se institucionet tatimore kanë sqaruar se është e pamundur të evidentohen veçmas pagesat e subjekteve tregtare lidhur me detyrimet për qiratë, pasi detyrimet janë paguar prej tyre në total, pa u specifikuar.
Dyshime u ngritën dhe mbi një apartament me sipërfaqe 51 m2 të blerë nga nëna e subjektit në qytetin e Durrësit në vitin 2008, pasuri të cilën ia ka dhuruar djalit të prokurores Reka në vitin 2016.
Sipas KPK-së, subjekti nuk ka aritur të provojë me dokumentacion provues burimin e ligjshëm të të ardhurave të nënës për blerjen e kësaj pasurie, megjithëse ka deklaruar se e ëma kishte qenë bashkëpronare në një shtëpi me tre kate në Lion të Francës të trashëguar nga babai i saj, që fillimisht e kishte dhënë me qira dhe e kishte shitur pas vitit 1998.
“Ngrihen dyshime të arsyeshme se kjo mund të ketë qenë pasuri e subjektit të rivlerësimit qysh prej fillimit,” deklaroi Sanxhaktari lidhur me apartamentin në pronësi të djalit të Rekës.
Avokati Çifligu shpjegoi se apartamenti ishte përfituar prej djalit të subjektit me dëshmi testamentare nga gjyshja e tij. Ai deklaroi se ishte provuar se nëna e subjektit kishte qenë bashkëpronare e shtëpisë në Lion të Francës dhe se kjo pasuri ishte lënë me qira dhe ishte shitur. Ai konsideroi se Reka gjendej në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar dokumentacion për të gjitha të ardhurat e siguruara nga qiraja si dhe për dokumentacionin e shitjes, ndërsa theksoi se nëna e subjektit rezultonte me të ardhura të mjaftueshme për këtë investim.
Në vijim, Sanxhaktari evidentoi se Reka kishte përfituar në kundërshtim me ligjin një truall me sipërfaqe 500 m2 në fshatin Vuno të Bashkisë Himarë, që rezulton se subjekti e ka blerë në bashkëpronësi me të vëllanë në vitin 2002 për shumën 200 mijë lekë. Sipas KPK, subjekti e ka poseduar në vijimësi në mënyrë të padrejtë këtë pasuri të blerë nga Bashkia Himarë.
Relatorja Sanxhaktari sqaroi se kishte pasur hetime penale ndaj zyrtarëve të Bashkisë Himarë lidhur me shitjen e trojeve, por nuk ishin gjetur probleme për truallin e blerë nga subjekti që rezultonte të kishte kryer dhe pagesën përkatëse.
Avokati Çifligu e cilësoi të pakuptimë gjetjen për përfitimin e tokës në mënyrë të paligjshme dhe shtoi se KPK nuk citon asnjë ligj apo dispozitë që është shkelur. Ai theksoi se prona ishte blerë nga një autoritet publik dhe ishte kryer pagesa përkatëse sipas ligjit.
Lidhur me një automjet tip Benz të blerë nga djali i subjektit në vitin 2012 për shumën 1.3 milionë lekë, KPK ka gjetur se pala shitëse e kishte blerë dy muaj më parë në Itali për çmimin 11 mijë e 570 euro si dhe kishte paguar 481 mijë lekë për zhdoganimin. Po ashtu, është konstatuar balancë negative në shumën 100 mijë lekë për blerjen e Benz-it dhe rreth 800 mijë lekë pamundësi për blerjen e një autoveturë tip “Opel”, çmimi shitjes së të cilës është deklaruar se ka shërbyer për blerjen e makinës në 2012-ën.
Çifligu deklaroi se djali i subjektit nuk kishte arsye përse të pyeste palën shitëse sa e kishte blerë mjetin. Ai vërejti se këtë makinë, djali i prokurores Reka e kishte shitur 650 mijë lekë, fakt që sipas tij tregonte gjendjen jo të mirë të makinës, që mund të kishte ndikuar dhe tek pala shitëse për ta shitur më lirë nga sa e kishte blerë.
Avokati Çifligu dha shpjegime dhe për konstatimin e KPK-së lidhur me shitjen e një automjeti tip Benz nga bashkëshorti i subjektit në vitin 2005 në vlerën 10 mijë euro, që e kishte blerë në 2003-in për çmimin 2500 USD. Sipas Çifligut, bashkëshorti kishte kryer shpenzime për makinën që i kishin rritur vlerën.
Nga analiza financiare e KPK-së ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshorti kanë pasur burime për krijimin e pasurive deri në vitin 2003, ndërsa në vijim janë konstatuar balanca negative në disa vite, konkretisht nga rreth 500 mijë lekë në vitet 2004 dhe 2006; 120 mijë lekë në 2007-ën; pamundësi në shumën 750 mijë lekë në vitin 2008 dhe rreth 360 mijë lekë në 2011-ën.
Çifligu e kundërshtoi analizën financiare dhe kërkoi që të konsiderohen të ardhurat nga qiraja, gjendjet cash të deklaruara prej subjektit, pakësimet e tyre si dhe të likujditetet në përllogaritjen e burimeve të pasurive. Po ashtu, ai kërkoi të rishikohen shpezimet e udhëtimeve jashtë shtetit si dhe të shkollimit të fëmijëve. Në përfundim të mbrojtjes për këtë kriter, avokati Çifligu deklaroi se ishte e provuar se subjekti kishte pasur burime të ligjshme për krijimin e pasurive dhe për shpenzimet.
Konstatimet për figurën dhe profesionalizmin
Prokurorja Reka u përball në seancë me gjetjen e Komisionit lidhur me përdorimin e një mjeti nga bashkëshorti për një udhëtim jashtë shtetit, ku dhe ajo kishte qenë e pranishme, që rezultonte të ishte në pronësi të një personi të dënuar për krim të organizuar.
Subjekti shpjegoi se mjeti ishte gjetur nga kunati i saj, pasi në udhëtimin e planifikuar do të udhëtonin dhe dy fëmijët e tij. Reka deklaroi se bashkëshorti kishte pasur kontakt me personin e dënuar vetëm në momentin e nënshkrimit të kontratës së qirasë. Ajo shtoi se dhe dorëzimi i mjetit tek pronari ishte kryer nga babai i nipave.
Në vijim ajo dha shpjegime dhe për disa gjetje lidhur me çështje të denoncuara nga publiku dhe në media, ku në dy raste denoncuesit kanë ngritur pretendime se subjekti me anë të kualifikimit të veprës penale ka lehtësuar pozitën e të proceduarve. Këto pretendime u kundërshtuan nga prokurorja Reka.
Relatorja Sanxhaktari evidentoi se ndaj subjektit në vitin 2004 ishte dhënë prej Prokurorit të Përgjithshëm masa disiplinore “vërejtje me paralajmërim për largim nga detyra”, lidhur me gjetjen e një procedimi të vitit 2002, që nuk u bënë të ditura në seancë.
Në përfundim ajo deklaroi se kishte punuar gjithë kohës me korrektësi, profesionalizëm dhe ndershmëri dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 18 mars, në orën 09:30. /BIRN/