Nga Boldnews.al
Dy janë të njohur publikisht tashmë-Klodian Zoto e Mirel Mërtiri.
Dy të tjerët, jo shumë të njohur, janë gjithashtu pjesë e rrjetit të “biznesemenëve të inceneratorëve”.
Ata janë Erton Kaleshi dhe Pajtim Ajazaj, të cilët, në rrugëtimet e tyre profesionale, kanë mbajtur funksione që lidheshin me Arben Ahmetaj, të paktën siç rezulton në dokumentat e Komisionit Hetimor Parlamentar për inceneratorët.
Klodian Zoto, personazhi më i dukshëm i aferës së inceneratorëve, u konsiderua gjatë punimeve të Komisionit Hetimor Parlamentar si një prej lidhjeve më të forta të Arben Ahmetajt.
Ministri më i rëndësishëm i qeverisë së Edi Ramës nuk pranoi të shprehej për miqësitë e tij para deputetëve. Ai e kaloi me një batutë se nuk kishte asnjë detyrim për t’i dhënë Komisionit nëse persona të ndryshëm janë apo jo shokë të tij.
Klodian Zoto është shpallur në kërkim nga Prokuroria Speciale-SPAK-nën dyshimet se është pjesë e skandalit të inceneratorëve. Emri i tij shfaqet në kompanitë koncensionare të tre landfilleve privatë, në Elbasan, Fier dhe Tiranë.
Të dhënat e sistemit TIMS, të siguruara gjatë punimeve të Komisionit Hetimor Parlamentar, treguan se Arben Ahmetaj dhe Klodian Zoto kishte qenë në të njëjtat udhëtime jashtë Shqipërisë.
Ahmetaj i konsideroi këto të dhëna si “rastësi”.
Mirel Mërtiri, i konsideruar gjerësisht në Komisionin Hetimor Parlamentar si “njeriu-hije” i inceneratorëve, është gjithashtu një lidhje e fortë e Arben Ahmetajt.
Në një investigim të mëhershëm të agjencisë “BIRN”, rezultoi se Ahmetaj dhe Mirel Mërtiri, së bashku me dy persona të tjerë, ishin në të njëjtin mjet, kur u përfshinë në një aksident rrugor në Kumanovë të Maqedonisë, në verën e vitit 2017.
Emri i Mirel Mërtirit shfaqet në mënyrë permanente në kompanitë e “rrjetit të inceneratorëve”.
Komisioni Hetimor Parlamentar e identifikoi Mërtirin si bashkëjetues i Stela Gugalljas, e shpallur në kërkim së bashku me Klodian Zoton, pronare e kompanisë koncensionare të impiantit të mbetjeve në Elbasan, “Albtek Energy”.
Erton Kaleshi ka qenë ortak themelues i kompanisë “Consulting SE Partners”, shpk, e krijuar në Tetor të vitit 2017, së bashku me Stela Gugallja.
Sipas letrave të Komisionit Hetimor Parlamentar, kjo shoqëri ka qenë nënkontraktore e kompanisë koncensionare të inceneratorit të Elbasanit, “Albtek Energy”
“Shtetasi Erton Kaleshi, ka qënë ortak i shoqërisë për periudhën 23.10.2017 deri në 30.01.2019, kjo pasi në 01.02.2019 emërohet Këshilltar i Ministrit Arben Ahmetaj dhe më vonë Këshilltar i Ministres Anila Denaj në Ministrinë e Financave”, thuhet në raportin e deputetëve opozitarë në Komisionin Hetimor Parlamentar.
Në fakt, ky paragraf ka një lloj paqartësie, pasi Arben Ahmetaj është larguar nga zyra e Ministrit të Financave në 9 Janar 2019, disa ditë para emërimit të Kaleshit si Këshilltar në atë institucion.
Megjithatë, Komisioni Hetimor duhet të ketë siguruar dokumenta që lidhin Arben Ahmetajn me Erton Kaleshin.
Pajtim Ajazaj është administrator i kompanisë “Metronet”, e krijuar në vitin 2010.
Ortakë të tjerë të kësaj kompanie janë; “Integrated Technology Service-ITS” e Klodian Zotos; Ermonela Myrtezani, bashkëshortja e Arenc Myrtezanit, ish- administratorit të inceneratorit të Fierit; dhe “Teo-Alb”, e cila më herët ka pasur si përfaqësues Mirel Mërtirin për një kontratë me ujësjellësin e Fierit për matësat inteligjentë.
Kompania “Metronet” e Pajtim Ajazit ka të njëjtën adresë me “ITS” e Klodian Zotos në Tiranë.
Në vitin e largët 2002, Pajtim Ajazaj u emërua Drejtor i Përgjithshëm i “Albtelekom” sha.
Ai e mbajti postin e titullarit për pak muaj, ndërkohë që ushtroi për disa vite detyrën e Drejtorit Ekonomik të “Albtelekom” sha., sipas raportimeve të mëhershme mediatike.
Në vitet 2003-2004, Arben Ahmetaj ka qenë zv.ministër i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, e cila kishte në pronësi “Albtelekom” sha.