Dom Gjergj Meta, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka komentuar arrestimet e protestuesve, që janë shprehur kundër rritjes së çmimeve të naftës.
Gjergj Meta iu bën thirrje autoriteteve policore, që të lirojnë demonstruesit.
Ai bën thirrje që të lirohen protestuesit sidomos në Mirditë, Mat e Dibër, duke thënë se këta zona kanë banorë të varfër, që duhet të jenë jashtë, për të mbajtur familjet e tyre e jo të vuajnë nëpër burgje vetëm pse kanë dale në protesta.
Postimi i Dom Gjergjit:
U LUTEM LIRONI TË ARRESTUARIT!
Arrestimet e mbrëmshme dhe të sotshme të disa personave, apo shpallja në kërkim e disa të tjerëve, në Rrëshen dhe Bulqizë, për shkak se kanë dalë të protestonin për shtrenjtimin e çmimit të naftës, është një akt policor ekstrem dhe i pajustifikuar.
Nuk është vështirë të gjehen nene për të arrestuar dikë.
Por kam bindjen, dhe nuk dua të gabohem, se Prokuroria dhe Gjykata do të zhvleftësojë masën e arrestit e do t’i lënë të lirë ata persona, që janë prindër e familjarë e nuk janë kriminela, as trafikantë droge, as zyrtarë të korruptuar, as përfitues të paligjshëm të pasurisë publike.
Dua të besoj se edhe njerëzit e ligjit brenda tyre e dinë se këta protestues kanë të drejtë. Edhe ata vetë janë prindër e familjarë, sidomos policët e thjeshtë, e këta çmime karburanti bien edhe mbi ata e familjet e tyre. Nëse nuk mund t’i bashkohen protestës së paku të jenë të kuptueshëm e nëse një urdhër, sado nga lart të vijë, kur është kundër ndërgjegjes së tyre, është moralisht e lejueshme të mos zbatohet.
Unë u bëj thirrje me shumë përulësi dhe përgjegjësi organeve kompetente: ju lutem lërini të lirë protestuesit paqësorë, pasi ata janë në të drejtën e tyre. Lërini të kthehen në familjet e tyre, sepse ndryshe ato varfërohen më tej.
Ndërkohë të merren masa e të dialogohet me popullin, me njerëzit e t’u vihet në ndihmë atyre me paketa ndihme, pasi nuk është vetëm nafta problemi, por edhe shumë produkte të tjera që ndikojnë në cilësinë e jetës së njerëzve.
Mirdita, Mati, Bulqiza e Dibra mbeten ende zona të varfëra e në nivelet e mbijetesë. Si ipeshkëv i Rrëshenit, që e njeh mirë situatën në këto zona, jap gatishmërinë e Dioqezës së Rrëshenit në këto momente të vështira për të gjithë, me çfarë të kemi mundësi, por me vullnet e përgjegjësi maksimale për të mirën e familjeve dhe fshatrave në nevojë.
+ dom Gjergj Meta
Ipeshkëv i Rrëshenit