Mund t’iu duket e pabesueshme, por kirurgia më e vjetër në botë mbush plot 90 vjeç vitin që vjen. Alla Ilyinichna Levushkina, 89 vjeç ka punuar për 68 vjet si kirurge në Rusi dhe ka thënë se nuk ka në plan të dalë në pension.
Ajo është shprehur se ia del të kryejë 4 operacione në ditë në Spitalin “Ryazan City”, në afërsi të Moskës, shkruan Daily Mail.
Më 5 maj, ajo mbush 90 vjeç, por nuk ka dëshirë që të dalë në pension edhe pse në gjithë këto dekada ka bërë plot 10 000 operacione.
Mjekja e kalitur është vetëm 1 metër e 50 cm dhe për këtë arsye i duhet të qëndrojë mbi një platform të veçantë në mënyrë që të arrijë pacientët e saj.
‘Të jesh mjeke, nuk është vetëm profesion, por stil jetese,” ka thënë ajo për Lite FM, kur është pyetur përse nuk ka dal në pension.
“Nëse unë e lë punën, kush do t’i bëjë operacionet?” është ajo që e shqetëson kirurgen ruse.




















