Gjykata e Lartë e Pensilvanisë ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e marrë në lidhje me çështjen e komedianit Bill Cosby për abuzim seksual, i cili u lirua nga burgu në muajin qershor.
Prokurorët e Pensilvanisë kërkuan një rishikim të vendimit, pasi ai u lirua nga burgu, por kërkesa e atyre nuk u pranua nga Gjykata e Lartë.
Komediani u dënua për sulm të rëndë seksual në vitin 2018, pasi u raportua se në vitin 2004 kishte droguar dhe përdhunuar Andrea Constand në shtëpinë e tij. Ai u dënua me 3 deri në 10 vite burg dhe do të qëndronte në një nga brugjet shtetërore.
Megjithatë, ai u lirua nga burgu në muajin qershor, pasi Gjykata e Lartë e shtetit hodhi poshtë akuzat për sulm seksual me arsyetimin se ishin shkelur të drejtat e tij të procesit të rregullt ligjor. Gjyqtarët e lartë të Pensilvanisë thanë se vendimi i një ish-prokurori të qarkut Montgomery për të mos e ndjekur penalisht Cosby që në vitin 2005 u përdor kundër tij në gjyq.
Nga ana tjetër zyra e Prokurorit të Qarkut Montgomery, e cila udhëhoqi çështjen kundër Cosby, tha në nëntor se apelimi i rastit përqendrohej rreth Amendamentit të 14-të dhe të drejtës për process të rregullt.
“Pyetja e paraqitur në gjykatë është: Kur një prokuror shpall publikisht se nuk do të ngrejë kallëzim penal në bazë të mungesës së provave, a transformon klauzola e procesit të rregullt ligjor të Amendamentit të 14-të atë njoftim në një premtim të detyrueshëm se asnjë akuzë nuk do të ngrihet kurrë? Një premtim ku objektivi mund të mbështetet sikur të ishte një dhënie imuniteti?”, thuhet në njoftim.