Banka hungareze OTP ka kërkuar zyrtarisht aprovimin e Autoritetit të Konkurrencës për blerjen e filialit të Alpha Bank në Shqipëri.
Njoftimi zyrtar pranë Autoritetit të Konkurrencës është bërë qysh në fillim të muajit janar, megjithatë ky institucion vetëm javën e fundit ka bërë publik njoftimin e transaksionit, duke ftuar palët e interesuar të shprehin opinionet e tyre.
Marrëveshja mes grupit grek Alpha Bank dhe atij hungarez për blerjen e Alpha Bank Albania u njoftua zyrtarisht në fund të muajit dhjetor.
Grekët zgjodhën ofertën e hungarezëve prej 55 milionë eurosh për blerjen e 100% të aksioneve të bankës, megjithëse oferta e OTP ishte e dyta më e lartë në garë. Gara për blerjen e Alpha Bank ishte ndër proceset më konkurruese të këtij lloji në vitet e fundit.
Veç OTP, due diligence kryen edhe ABI Bank, Tirana Bank, Union Bank dhe Fibank, por në fund bullgarët vendosën të mos bëjnë ofertë.
Për grupin hungarez, kjo do të jetë blerja e dytë e rëndësishme në tregun shqiptar në më pak se katër vjet. Në vitin 2019, OTP hyri në Shqipëri duke blerë bankën shqiptare të grupit Societe Generale.
Banka OTP Albania në fund të vitit të kaluar ishte banka e pestë më e madhe në Shqipëri dhe zotëronte 6.4% të aktiveve të tregut bankar, për një vlerë totale prej 114 miliardë lekësh.
OTP është huadhënësi i katërt më i madh në ekonominë shqiptare, me një portofol prej 69 miliardë lekësh ose 10.6% të totalit të kredisë së dhënë nga sektori bankar.
OTP Albania e mbylli vitin 2021 me një fitim neto 1.9 miliardë lekësh. Mbështetur në të dhënat paraprake të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave,OTP kishte me një kthim nga kapitali në nivelin 20.3%, më i lartë në sektorin bankar shqiptar për vitin e kaluar.
Ndërsa Alpha Bank Albania në fund të vitit të kaluar raportontre një vlerë totale të aktiveve prej 80 miliardë lekësh ose 4.5% të tregut. Edhe Alpha e mbylli vitin 2021 me rezultat financiar pozitiv, në vlerën e rreth 88 milionë lekëve.
Transaksioni në fjalë do të sjellë një përqendrim të mëtejshëm të tregut bankar në Shqipëri dhe do ta ulë numrin e përgjithshëm të bankave në 11.
Me blerjen e Alpha Bank, pjesa e tregut e OTP në Shqipëri pritet të arrijë në afërsisht 11% dhe do të vazhdojë të renditet e pesta në treg për nga madhësia, pas BKT, Credins, Raiffeisen, dhe Intesa Sanpaolo. Megjithatë, OTP do të fitojë një pjesë ndjeshëm më të larta në tregun e kredisë, ku do të arrijë në mbi 16% të totalit, duke kaluar BKT dhe duke u renditur si huadhënësi i tretë më i madh, pas Credins Bank dhe Raiffeisen Bank.
Blerja e Alpha do t’i japë OTP një rritje të konsiderueshme edhe në tregun e depozitave, ku aktualisht mban 6.7%, ndërsa pas blerjes së Alpha do të arrijë në 11.3%, afërsisht me të njëjtën pjesë tregu sa Intesa Sanpaolo.
Megjithatë, edhe pas blerjes së Alpha Bank, OTP do të ishte larg të fituarit të një pozite dominuese në tregun bankar, ndaj ky operacion nuk pritet të gjejë pengesa te Autoriteti i Konkurrencës.
Blerja e Alpha Bank nga OTP duhet të miratohet në vazhdim edhe nga Banka e Shqipërisë, që në vitet e fundit është shprehur pozitivisht rreth procesit të konsolidimit të sektorit bankar në Shqipëri.
Grupi bankar hungarez OTP është një ndër aktorët më të rëndësishëm në tregjet e Europës Qendrore dhe Lindore, me një total aktivesh prej më shumë se 42 miliardë eurosh. /Monitor/