Nga Gjergji Koja
Në gjashtë bashki me rreth 650 mijë zgjedhës në total do të mbahen zgjedhjet për Kryebashkiakë, proces ky që është kthyer në një test për politikanë e diplomatë, megjithëse në një situatë normale, do të trajtohej si një proces tërësisht lokal.
Zgjedhjet zhvillohen në një situatë të polarizuar politike, veçanërisht në përplasjet brenda Partisë Demokratike, ku për herë të parë Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë vendosur në një betejë ku mund të matin forcat, se kush ka më shumë elektorat, apo se kush mund të thithë më shumë vota përtej anëtarësisë së Partisë Demokratike.
Ndaj dhe sot emrat e propozuar nga “Shtëpia e Lirisë”, të mbështetur nga ish-Kryeministri Sali Berisha, apo PD e drejtuar nga Lulzim Basha, kanë dominuar në 3 javët e fushatës, duke lënë në hije emrat e kandiduar nga Partia Socialiste.
Duket se zgjedhjet e së dielës më tepër se sa votime për të caktuar kryebashkiakët e 6 qyteteve, dy prej të cilave me peshë elektorale si Shkodra dhe Durrësi, janë një proces prej të cilit do të përcaktohet edhe fati i opozitës reale.
Berisha apo Basha, nesër do të mësojnë qoftë edhe zyrtarisht, se sa mbështetje kanë në elektorat, se kush prej tyre do të duhet të dorëzojë terrenin, vulën, siglën, selinë, dhe ti japë frymëmarrje ri-organizimit të opozitës përballë një mazhorance që duket solide, por është shumë e brishtë, për shkak të skandaleve, varfërisë, papunësisë dhe urrejtjes që ka krijuar.
E ndërsa dy politikanët e së djathtës, dikur mbështetës të njëri-tjetrit dhe sot kundërshtarë të hapur do të ndajnë “hesapet”, Kryeministri Edi Rama duhet të provojë dhe të bindë shqiptarë e ndërkombëtarë, se mund të organizojë zgjedhje të lira, pa presione, pa blerje votash, pa tjetërsim të vullnetit të zgjedhësve.
Dhe ky proces është një test real për të, pasi ka të gjitha komoditetet, që në kushtet e një opozite të përçarë, e cila më shumë duket se është në garë me veten sesa kandidatët e PS-së, të mbajë larg kutive dhe zgjedhësve cilindo që ka përdorur më parë, për të shtuar votat në mënyrë të pandershme.
Deri më tani, nën qeverisjen e Ramës, janë mbajtur 4 procese zgjedhore, dy lokale dhe dy parlamentare, të gjitha me probleme, dhe me një shtim nga zgjedhjet në zgjedhje të presioneve, blerjes së votave, angazhimit të grupeve apo elementëve kriminalë, përdorimit të administratës publike dhe përdorimit të çdo resursi tjetër, përfshi edhe para të lara e palara, për sigurimin e mazhorancave në Kuvend apo kryebashkiakëve në Bashki.
Ramës mund ti duhen të 6 bashkitë për të vijuar show-n e tij se populli nuk voton as bravat as bishtat e vareve, sikundër do të shprehej, por më shumë se kjo i duhet të tregojë se vendi ka një Kryeministër që pasi ka siguruar mandatin e 3-të qeveritar, mund të përmbushë standardet zgjedhore sikundër e kërkon OSBE/ODIHR.
Ndoshta në zgjedhjet e 6 bashkive nuk do të ketë vëmendje aq sa do të duhej, në aspektin e vëzhgimit ndërkombëtar, edhe për shkak të luftës në Ukrainë, por në Tiranë, janë të atashuar aq stafe ambasadash sa të mund të luajnë rolin e vëzhguesve dhe të mbajnë shënime se çfarë ndodh në mes të Europës me votat, dhe sa lirshëm qytetarët e një vendi anëtar të NATO-s, shprehin vullnetin e tyre.
Në mesin e fushatës, diplomatja amerikane Yuri Kim, bëri një deklaratë ndoshta të nxituar, duke tentuar të udhëzojë zgjedhësit se për kë kandidat do të votonin, ndërsa kujtoi “non gratat”. Deklarata e Kim shkaktoi reagime dhe përplasje në distancë dhe nga ky moment ambasadorja u tërhoq, deri në shfaqjen e rradhës, kur nga zyrat e KQZ kërkoi që njerëzit të votonin të lirë.
Në fakt kjo pritet! Më shumë rëndësi se emrat e atyre që do të marrin mandatet 1 vjeçare të kryebashkiakëve, është fakti se ata që do ti drejtohen nesër kutive të votimit të zgjedhin vetë se kë do të donin të ishte fitues, pavarësisht nëse ai mbështetet nga Rama, Berisha apo Basha. Të gjithë e kuptojnë që për 1 vit asnjë nga kryebashkiakët nuk do të mund të ndryshojë asgjë në jetën e atyre banorëve, hallet e të cilëve kalojnë kufinjtë e një bashkie.
Thjesht në këto zgjedhje ato duhen lënë të hedhin votën në kuti siç e mendojnë, ndoshta kështu mbajnë ende gjallë shpresën se dinjiteti i tyre nuk blihet as me një zarf, as me një tollon nafte dhe as me një pako me ushqime apo falje faturash dritash.