Nga Andi Bushati
Agresioni rus mbi Ukrainën e ka bërë idenë e Ballkanit të hapur të ngjajë me një foshnje që ka lindur e vdekur. Më kot kryeministri shqiptar Edi Rama u mundua ta etiketojë votën serbe në OKB, kundër luftës së nisur nga Putini, si një shenjë të unifikimit të kësaj pjese të gadishullit tonë me perëndimin.
Ky interpretim i sforcuar dhe abuziv ishte vetëm në përpjekje për të mbrojtur me aq mjete sa kishte në duar, projektin e tij të përbashkët me Vuçiçin.
Në fakt, konflikti i hapur në territorin e dikurshëm të BRSS, ne në Ballkan, po na rikujton një gjë: atë se një pjesë dërrmuese e Serbisë dhe mbi të gjitha elita politike në pushtet, përngjan shumë pak me kartolinën që do të na shesë kryeministri ynë.
Protestat masive të së premtes në mbrëmje në Beograd, kur shkelej me këmbë flamuri i BE-së dhe ngrihej lart ai i Rusisë, nuk ishin thjeshtë nisma të grupimeve të vogla prosllave. Ky afishim në krah të Kremlinit ka gjetur prej nëntë ditësh një tokë pjellore në të gjitha mediat e kontrolluara nga Vuçiçi.
Televizionet dhe gazetat serbe, në të cilat regjimi i atyshëm ka një kontroll edhe më të madh sesa ai i Tiranës mbi mediat tona, kanë bërë sistematikisht fajtor perëndimin dhe nacionalistët ukrainas për shpërthimin e luftës. “Në Beograd një pjesë e madhe e mediave janë reshtuar me Moskën dhe servirin propagandën e Kremlinit” theksonte dy ditë më parë Radio France International. Ndërsa një faqe e specializuar “Le courrier des Balkans”, për të demostruar përkatësinë e sebëve kundrejt “vëllait të madh rus”, jepte një sërë titujsh të tabloidëve të këtij vendi ku shkëlqente ai i “Objektiv”: “Ariu i zemëruar u zgjua”.
Pra duhet kuptuar kjo atmosferë e përgjithshme, për të dekriptuar më mirë edhe deklaratat dhe vendimet e politikanëve. Ajo shpjegon se përse, ndonëse nbn presionin e fortë të Brukselit, Aleksandar Vuçiçi refuzoi të renditej përkrah botës perendimore duke mos pranuar të vëndosë sanksioni mbi regjimin e Putinit.
Ajo na zbërthen gjithashtu se përse një aleat i pandashëm i autokratit serb në ushtrimin e gjatë të pushtetit, kryetari i parlamentit, Ivica Daçiç do e arsyetonte shpërthimin e konfliktit në Ukrainë me afrimin e NATO-së në kufijtë rusë. Ajo na zbardh edhe pse një ekstremist tjetër, ministri i brëndëshëm i Vuçiçit, Aleksandar Vulin, ka kërcënuar me luftë nëse Kosova afrohet me Aleancën Atlantike.
Në të gjitha qarqet e pushtetit në Beograd nuk mungojnë paralelizmat mes sulmit që Nato bëri në 1999 në Kosovë kundër regjimit të Millosheviçit me atë të Kremlinit sot, madje ato shkojnë edhe më larg duke aluduar, sipas modelit të Vulin, se precedentët e rajoneve rusofone të Donjeckut dhe Luganskut mund të shërbejnë si percedent që serbët të kërkojnë veriun e Kosovës.
Natyrisht në kohë lufte ka shumë më pak vend për moral, sesa për interesa. Serbia pa dyshim që ka zgjedhur të sajat. Si një shtet i pavarur ajo është në të drejtën e vet që të mbrojë aleancat që i duken të arsyeshme. Ajo mund ta quajë me vend të mos vendosë sanksione ndaj Moskës, duke i kthyer të njëjtin borxh që i ka që prej kohës së Millosheviçit.
Ajo mund të mos dojë ta prishë aleancën me Kremlinin, të cilin e ka mbrojtësin kryesor në Këshillin e Sigurimit kundër pavarësisë së Kosovës. Ajo është në të drejtën e saj të mbrojë teorinë e një NATO-je agresive, që nuk e ka reshtur provokimet ndaj Rusisë prej tre dekadash.
Por ama, t’i shesësh të gjitha këto si shenja të afilimit të saj me perëndimi, ashtu sikurse u rek të bënte Edi Rama, ky është thjeshtë një naivitet qesharak që nuk e kapërdin askush. Sa do që ai mund të interpretohet si një përpjekje e dëshpëruar në mbrojte të projektit të përbashkët Rama-Vuçiç për Ballkanin e hapur, me luftën në Ukrainë, ky i fundit ka marë një goditje fatale. Dhe kjo për dy arsye kryesore.
E para konkrete dhe praktike. Në një kohë që Serbi mund të qarkullojnë lirshëm mallrat dhe kapitalet ruse dhe Shqipëria ka vënë sanksione ndaj tyre, një treg i përbashkët për depërtimin pa kufij të tyre bëhet automatikisht i pamundur.
Së dyti, për arsye ideore dhe politike. Sa herë që Edi Rama ka dashur ti dalë në mbrojtje atij që fillimisht u emërtua si mini-Shengen, kryeministri ynë e ka paraqitur atë si një kopjim të vlerave mbi të cilat u themelua bashkimi europian. Ai ka përmendur shpesh shembullin e Gjermanisë dhe Francës që sapo patën dalë nga një konflikt vëllavrasës.
Por me qëndrimin që Beogradi po mban ndaj luftës së re, kjo fabul ka rënë. Pak rëndësi ka se kush mbron të duhurat apo të gabuarat, por Shqipëria dhe Serbia janë reshtuar në koncepte të ndryshme vlerash. Atëherë Parisi dhe Boni vendosën të flasin më shumë për çelikun dhe qymyrin sesa për Alzasën dhe Lorenën.
Ndërsa në Beograd shqetësimi është se kush do të marrë Donjecin apo Luganskun dhe nëse kjo hap rrugën për Republika Serbska apo për Miitrovicën e veriut.
Prandaj dhe Ballkani i hapur duket sot më i largët se kurrë. U desh lufta dhe rethimi i Kievit që shumëkush të zgjohej nga ëndërra mashtruese që i treguan në kohë paqeje. /Lapsi.al/