Nga Boldnews.al
Agjencia e Prokurimit Publik (APP) ka vendosur që kompania e ndërtimit, “Biba X”, të përjashtohet nga pjesëmarrja në tendera publikë për një periudhë 14-mujore.
APP ka konstatuar se kompania e tre vëllezërve Barush, Skënder dhe Luan Biba kanë keqinformuar autoritetet për përfitimin e një kontrate me vlere rreth 100 mijë euro.
Në Prill të vitit 2021, kompania “Biba X” u shpall fituese e tenderit “Rikonstruksioni i disa akseve rrugore, Faza II”, e zhvilluar nga Bashkia Vlorë.
Tenderi ishte me fond limit 11.7 milionë lekë të reja dhe “Biba X” fitoi me ofertën më të lartë ndër tre konkurentë që morën pjesë në garë.
Agjencia e Prokurimit Publik deklaron se ka nisur hetimin administrativ nga raportimet dypalëshe ndërmjet APP-së dhe Inspektoratit Shtetëror të Punës.
Nga verifikimet e kryera, rezulton se “Biba X” ka marrë pjesë në procedurën tenderuese, ndërkohë që kishte në fuqi një gjobë nga Inspektorati Shtetëror i Punës.
Në përfundim, Agjencia e Prokurimit Publik ka vendosur përjashtimin e “Biba X” për 14 muaj nga e drejta për të marrë pjesë në procedurat tenderuese, me argumentin se “ka keqinformuar për qëllime kualifikimi”.
Emri i kompanisë “Biba X” u shfaq në skandalin e tenderit të Unazës së Re në Tiranë, në vitin 2018.
Ajo ishte ortake me shoqërinë “DH Albania” dhe së bashku u shpallën paraprakisht fitues të procedurës mbi 20 milionë euro për ndërtimin e një loti të Unazës së Re, në pjesën perëndimore të kryeqytetit.
Raportimet mediatike dhe më tej hetimet e institucioneve shtetërore, zbuluan se “DH Albania” ishte një kompani fantazëm, e cila kishte përdorur dokumenta false, duke u sjellë si degë e shoqërisë amerikane “Dunwell Haberman”.
Skandali, i cili përfshinte ish-ministrin e Infrastrukturës së asaj kohe, si edhe një seri zyrtarësh të tjerë të lartë, përfundoi vetëm me dënimin e Avdjol Dobit, 26-vjeçari shqiptar që rezultonte në letra si administrator i kompanisë “DH-Albania”.