Të shtunën mbrëma e gjithë vëmendja do të jetë e përqendruar në “Air Albania” ora 19:45, aty ku do të luhet një nga ndeshjet më të rëndësishme të kampionatit shqiptar. Përballë njëra-tjetrës do të vihen dy skuadrat e kryeqytetit, Tirana kryesuese kundër Partizanit që kërkon europën.
Një duel që të garantuar ka emocionet dhe luftën që ekipi i Orges Shehit dhe djemtë e Dritan Mehmetit do të luftojnë për të fituar një përballje që vlen më shumë për krenarinë e skuadrave se sa për renditjen e tyre në tabelën e klasifikimit.
E kur jemi vetëm 24 orë përpara kësaj përballje, le ti hedhim një sy edhe statistikave të demave dhe bardhebluve në këtë sezon në fushën e lojës, statistika të nxjerra nga analiza e bërë nga fshf.org.
Tirana nga njëra anë është ekipi që arrin të jetë më efektiv, ndërsa Partizani është ekipi që prodhon më shumë lojë.
Jo çuditërisht Partizani është skuadra që në këtë kampionat ka gjuajtur më shumë drejt portës kundërshtare, plot 33 herë më shumë se Vllaznia, që është e dyta në këtë renditje të veçantë. Tirana, nga ana tjetër, është e dyta në klasifikimin e goditjeve brenda kuadratit të portës: 38% e tentativave të ekipit që kryeson kampionatin janë brenda portës. Por kurioz është fakti se gjatë këtij sezoni Partizani ka realizuar 63 goditje me kokë në portë (rekord absolut për kampionatin), ndërsa Tirana vetëm 27 goditje, vetëm një më shumë se Egnatia dhe Laçi. Të dhënat e goditjeve me kokë pasqyrohen edhe në krosimet: Partizani është skuadra që ka realizuar më shumë krosime në kampionat, teksa Tirana është e fundit në këtë aspekt.
Po të kemi parasysh edhe fazën e mbrojtjes, ecuria e këtyre dy skuadrave është gjithmonë në nivele të larta: Partizani (në të njëjtin nivel me Vllazninë) është skuadra që ka pësuar më pak goditje në portë nga të gjithë, ndërsa Tirana është e treta në këtë renditje të veçantë. Si mbrohen kaq mirë këto dy ekipe? Duke kërkuar më shumë duelet fizike. Të dyja skuadrat, në fakt, janë të parat për duelet mbrojtëse të bëra (dhe të kërkuara), një tregues i qartë se janë skuadra që shkojnë në presing dhe që kanë intensitet të madh gjatë ndeshjes.
Intensitet që konstatohet edhe në faullet e bëra: Tirana është skuadra që ka bërë më shumë faulle në kampionat (pothuajse 16 për ndeshje), Partizani është i treti me pak më shumë se 14 faulle për ndeshje.
Ndaj do të jetë një derbi jo vetëm i nxehtë për shkak të emocioneve që do të zbresin në fushë, por dhe mbi të gjitha sepse do të përballen skuadrat që kanë numrat më të mirë në kampionat për nga performanca (por jo në renditje). /abcnews.al