Dhuna në kampionatin shqiptar nuk ka të ndalur dhe kohët e fundit po bëhen më të shpeshta sulmet nga ana e tifozëve. Rasti i fundit ndodhi në sfidën mes Skënderbeut dhe Vllaznisë, e cila u luajt në Korçë.
Në minutat e fundit të pjesës së parë, arbitri anësor u godit me një send pas koke, duke bërë që loja të ndalohej për disa minuta. Arbitrit iu dha ndihma e menjëhershme nga stafi mjekësor, por ajo që përbën zhgënjim është fakti që raste të tilla vazhdojnë të dëmtojnë futbollin shqiptar, madje në një qytet si Korça që njihet si vend “fair-play”.
I njëjti episod ndodhi dhe në sfidën që korçarët luajtën në shtëpi përballë Partizanit, ku anësori Orgest Grabova pësoi një çarje në kokë në minutat e fundit të sfidës.