Nga Boldnews.al
Disa të dhëna të siguruara nga Partia Demokratike në Sistemin e Menaxhimit Total të Informacionit (TIMS) tregojnë se “njeriu-hije” i aferës së inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe “biznesmeni i plehrave”, Klodian Zoto, kanë qenë shpesh në të njëjtat fluturime jashtë Shqipërisë me ministrat e rëndësishëm të qeverisë “Rama”, Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri.
Dy ministrat kanë pasur rol shumë të rëndësishëm në dhënien me koncension të impianteve të trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë.
Kjo çështje tashmë është vendosur në qendër të vëmendjes së opinionit publik, pas arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, si edhe Komisionit Hetimor Parlamentar për shqyrtimin e procedurave të ndjekura për procedurat e koncensionit të landfillëve, me vlerë totale investimi e shërbimi rreth 430 milionë euro.
Zv.kryeministri Arben Ahmetaj, i cili ka qenë ministër i Ekonomisë dhe më pas Financave në periudhën 2014-2017, kur janë dhënë koncensionet për grupin financiar me fytyrë të dukshme Klodian Zoton, i pyetur në Komisionin Hetimor, nuk pranoi të tregonte nëse e njihte Mirel Mërtirin.
Megjithatë, të dhënat e sistemit TIMS krijojnë dyshime të forta se Mërtiri ka qenë shpesh në të njëjtin avion, në hyrje apo në dalje të Shqipërisë.
Ndoshta rastësi? Nuk duket edhe aq, nëse mbahet në konsideratë se Mirel Mërtiri dhe Arben Ahmetaj ndodheshin në të njëjtin mjek, kur në verën e vitit 2017 u aksidentuan gjatë një udhëtimi në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut.
Referuar të dhënave të grupuara nga Partia Demokratike, rezulton se katërshja Gjiknuri-Ahmetaj-Mërtiri-Zoto, kanë qenë më së paku dy herë në të njëjtin avion, në dalje nga Shqipëria.
Në 4 herë të tjera, Ahmetaj ka “rastisur” në dalje nga Shqipëria me Mirel Mërtirin. Dhe, në një herë tjetër, Ahmetaj e Gjiknuri kanë qenë në të njëjtin fluturim vetëm me Mërtirin, pa Zoton.
Ndërkohë, referuar të njëjtave të dhëna të Partisë Demokratike, Arben Ahmetaj dhe Mirel Mërtiri rezulton të kenë hyrë së bashku në Shqipëri në 11 raste. Ndërkohë, në një rast, Ahmetaj ka kyrë në vendin tonë njëkohësisht me Klodian Zoton.
Situata e “katërshes së inceneratorëve” ka një ngjashmëri të frikshme me rastin “Tahiri-Habilaj”.
Ish-ministri i Brendshëm, “kampion” i qeverisë Rama-1, u dënua me 3 vjet e 4 muaj burgim për “shpërdorim detyre”, pasi kishte favorizuar dhe lehtësuar trafikun e narkotikëve të kushërinjve të tij, Artan, Moisi dhe Florian Habilaj, drejt Italisë.
Edhe Tahiri deklaronte se nuk i njihte kushërinjtë e tij trafikantë, njëlloj siç rreket të krijojë idenë sot Ahmetaj për njohjen me Mirel Mërtirin, i konsideruar si “njeriu-hije” i aferës së inceneratorëvë, një përcaktim i përdorur shpesh edhe në Komisionin Hetimor Parlamentar.
Por, në rastin e Tahirit, hetimi i ish-Prokurorisë për Krime të Rënda, konfirmoi njohjen e tij me Habilajt.
Natyrisht, askush nuk mund të pretendonte që të gjendeshin prova të Tahirit duke ngarkuar skafet me lëndë narkotike.
Megjithatë, shumë të dhëna hetimore provuan se Saimir Tahiri kishte njohje të thella me Habilajt.
Saimir Tahiri iu shiti makinën Habilajve, ndërkohë që nuk ndryshoi pronësinë, duke i lejuar që ata të ishin të paprekshëm nga Policia në Shqipëri.
Tahiri përdori Habilajt për t’i rregulluar në Itali skafin, me të cilin kreu një udhëtim turistik në Greqi, në verën e vitit 2014.
Familjarët e ngushtë të Tahirit, bashkëshortja dhe babai i tij, ishin në të njëjtin avion, madje në të njëjtën sedilje me kapon e grupit, Moisi Habilaj, gjatë një udhëtimi drejt Italisë, në vajtje e në kthim.
Këto të dhëna, të ndërthurura me provat e aktivitetit kriminal të Habilajve, bindën Gjykatën e Posaçme të Apelit për dënimin me burg të Saimir Tahirit.
Ndërkohë, “afera e inceneratorëve” sheh të lidhur procedurat e ndjekura nga Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj e të tjerë, me “biznesmenët e plehrave”, Mirel Mërtiri e Klodian Zoto.
Biznesmenët dyshohen nga SPAK-u se kanë krijuar një skemë mashtruese financiare, një skemë e cila duhej identifikuar, zbuluar dhe vendosur para përgjegjësisë ligjore pikërisht nga Arben Ahmetaj e Damian Gjiknuri.
Por, fluturimet e shpeshta jashtë Shqipërisë, ku “kontrollorët” kanë rastisur të jetë në të njëjtin avion me “subjektet e kontrollit”, duket se nuk i kanë lënë aspak kohë Gjiknurit e Ahmetaj të zbulonin aferën gjigande të inceneratorëve.