Dëshmia e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në Komisionin Hetimor për inceneratorët ka kaluar në akuza personale mes tij dhe kryetares së komisionit Jorida Tabaku.
Veliaj e ka cilësuar Tabakun si shpifëse, duke shtuar se qëndrimin e tij e bazon në vendimet e Gjykatës. “Jemi përballur në gjykatë dhe ke dalë shpifëse. Je dënuar për shpifje”, tha Veliaj.
Tabaku i është përgjigjur po me akuza, duke e quajtur gënjeshtari më i madh në Tiranë. “Fatkeqësia më e madhe në këtë vend është se përdor SPAK-un si qen sulmi”, tha Tabaku.
Teksa Tabaku e pyeti për vendimin e këshillit bashkiak të Tiranës për pronësinë e landfillit të Sharrës, Veliaj i lexoi shkresat e kryebashkiakëve të PD në Vorë e Kavajë. Mes të tjerash, Tabaku i kërkoi stafit të komisionit që t’i marrë Veliajt vendimin e këshillit bashkiak, por ai nuk pranoi ta dorëzonte, teksa tha se e ka në dorë dhe i duhet.
Debatet
Jorida Tabaku: Për çfarë është VKM, për zbatimin e buxhetit. Të kanë autorizuar për zbatimin e buxhetit? Lexoje, po gënjen. Të kujtoj se po bën dëshmi të rreme. Sapo gënjeu nën dëshmi. Administroni provën që kryetari i bashkisë së Tiranës gënjeu në dëshmi. konsultohu me stafin. Po gënjen, z. Veliaj, po gënjen.
Veliaj: Po ç’është ky njeri? Në këshill bashkiak shkohet për buxhetin dhe për pronën. Për sa kohë është prona shtet nuk ka arsye të shkosh në këshill se nuk është prona jonë.
Tabaku: Lexo vendimin e këshillit bashkiak, miratimi vjetor i buxhetit të shtetit, ku thuhet se landfilli i sharrës administrohet nga Bashkia e Tiranës dhe nuk ka fonde për landfillin e Sharrës. Vendimi nr.106 i këshillit bashkiak të Tiranës për buxhetin vjetor. Këshilli bashkiak ka një autoritet dhe përgjegjësi për të gjitha fondet e Bashkisë së Tiranës. Këshilli Bashkiak ka përgjegjësinë që nuk i ka kryetari i bashkisë. Mban përgjegjësi për angazhimet 30-vjeçare që ju i keni vendosur në atë mbledhje, kur nuk i keni kompetencë. Zoti Veliaj në nenin 59, shkruhet Këshill bashkiak është pushteti përgjegjës për angazhimin e fondeve buxhetore.
Veliaj: Qetësohu!
Tabaku: Unë jam shumë e qetë, të kapa në gënjeshtër, të them referoju stafit se di më shumë.
Veliaj: Ka bërë gjithë përshkrimin pika g. Përgjigjja është kjo. Me qetësi! Me qetësi! Këshilli Bashkiak me këtë vendim 106 ka marrë vendime dhe një që quhet pika g. në pikën 7 për angazhimin e bashkisë së Tiranës për landfillin. Gjithë përshkrimi i detyrimeve kontraktuale dhe në pikën g. Këshilli Bashkiak ngarkon kryetarin e Bashkisë të firmosë angazhimin dhe detyrimet që kanë njësitë. Për angazhimin e mësipërm është e nevojshme të planifikohet dhe buxheti.
Tabaku: Në vendimin e Këshillit Bashkiak në cilin nen është, cilën pikë. I cilës datë është.
Veliaj: I të njëjtës datë 28 shtator 2017. Në mars i jam përgjigjur shkresës që jam dakord në parim.
Tabaku: Këshilli bashkiak nuk ka miratuar buxhetin në mars. Si e ke miratuar pa buxhet. Po flasim për një shkresë të 2017. Pse ke angazhuar fonde buxhetore pa autorizimin e këshillit bashkiak.
Veliaj: Është histeri komplet.
Tabaku: Është jashtëzakonisht normale.
Veliaj: Po ç’presion mavri, të kam mundur në Gjykatë.
Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, e pyeti Veliajn nëse njihte Klodian Zoton, Mirel Mërtirin dhe Stela Gugalljan. Veliaj u përgjigj: “I njoh pasi kam parë fotot me drejtuesit e PD në Zimbabve. I kam parë në foto me Gert Bogdanin, drejtuesin e marrëdhënieve me jashtë në PD”.
“Nuk kam kryer asnjë diskutim, apo udhëtim, jam njohur nga mediat me këto personazhe. Nëse kjo quhet njohje, atëherë i njoh”, iu përgjigj Veliaj.
Sipas Tabakut, kjo nuk ishte e vërtetë dhe i tha kryebashkiakut se “dëshmia e rremë përbën vepër penale”.
Gjatë seancës së sotme, përveç Veliajt është parashikuar të dëshmojë edhe Ëngjëll Agaçi, sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Damian Gjiknuri, sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste dhe Alqi Bllako, deputet i Kuvendit të Shqipërisë.