Gentian Diva mbeti i plagosur pas mesnate në Fushë-Mamurras, së bashku me Alban Skonjën. Një ngjarje e cila të paktën deri më tani duket se ka ndodhur për motive të dobëta. Paraprakisht dyshohet se shkak është bërë një vajzë, e cila ndodhej me dy personat që u plagosën Diva dhe Skonja, të cilët ndodhen në spital. Ata u qëlluan me armë zjarri ndërkohë që udhëtonin me makinë nga Kastriot Lleshajn dhe Andi Diva. Policia arrestoi këtë të fundit, i cili është nipi i Gentian Divës, ndërsa 50-vjeçari Lleshaj është ende në arrati.
Por kush është Gentian Diva?
40-vjeçari është vëllai i Enver Divës, i arrestuar në vitin 2021 për vrasjen e vëllezërve Haxhia. Enver Diva u arrestua nga prokuroria për akuzën e “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në bashkëpunim.
Më 29 Prill 2020, u vranë dy vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia në rrugën që të çon te tregu i makinave të përdorura në Durrës. Besian Xhixha, Enver Diva, Altin Ndoci dhe Klevis Alla dyshohet të jenë të përfshirë në këtë ngjarje.
Por përveç vëllait, Gentian Diva ka pasur edhe të shkuarën e tij të errët.
Në 9 Prill të vitit 2000, Gentian Diva së bashku me dy persona të tjerë në urën e Drojës në Mamurras, kanë grabitur me armë duke lënë të vdekur shoferin e një kamioni që udhëtonte drejt Kukësit.
Diva u dënua me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lezhës me 25 vite heqje lirie. Dy vjet pasi ishte mundur të arrestohej, Diva, në atë kohë 21 vjeç, u arratis nga dhomat e izolimit të Komisariatit të Lezhës.
Gentian Diva kishte 2 vjet që ishte liruar nga burgu, çka do të thotë se arratia e tij nuk mundi ta shpëtonte nga vuajtja e dënimit.
/Tv Klan/