Debatet mbi vaksinimin e detyrueshëm kundër COVID-19 po zhvillohen në të gjithë Europën. Austria ka hedhur hapin e parë; vende të tjera mund të ndjekin të njëjtin shembull
Në fillim të vitit, presidenti Emmanuel Macron tha se dëshironte të “bezdiste” personat që kishin vendosur të mos vaksinoheshin kundër COVID-19.
Pesë milionë njerëz të pavaksinuar në Francë, së shpejti do ta kenë të ndaluar të hyjnë në restorante, teatro dhe trena të distancave të largëta. Megjithatë, ata mund ta konsiderojnë veten me fat. Sepse Italia dhe Greqia kanë miratuar ligje që e bëjnë të detyrueshëm vaksinimin për të gjithë banorët mbi 50 dhe 60 vjeç përkatësisht. Austria sapo e ka vendosur këtë rregull për të gjithë të rriturit dhe Gjermania mund të ndjekë të njëjtin shembull.
Shumica e vendeve europiane i kanë përjashtuar tashmë njerëzit e pavaksinuar nga hapësira të mëdha të jetës publike, dhe kjo ka dhënë efekte të ndryshme. Në shumë vende, vaksinimi është një kusht i punësimit në spitale dhe në azile. Por duke u përballur me skepticizmin kokëfortë ndaj vaksinave, disa qeveri kanë shkuar një hap më larg.
“Do të kisha preferuar të ndiqja një rrugë tjetër. Por… ne duhet ta ndërmarrim këtë hap drastik”, tha Alexander Schallenberg, kancelari i atëhershëm i Austrisë, duke njoftuar planin e vaksinimit të detyrueshëm në nëntor. Austria dhe Gjermania kanë ndër normat më të ulëta të vaksinimit në Europën Perëndimore.
Shumë njerëzve nuk u pëlqen aspak ideja se qeveritë mund t’i urdhërojnë të shpojnë krahët me gjilpëra. Përkrahësit e vaksinave thonë se të pavaksinuarit po pengojnë lirinë e qytetarëve të tjerë, duke mbingarkuar sistemet e kujdesit shëndetësor dhe duke i bërë më të mundshme karantinat e reja. Sidoqoftë, vaksinimi i detyrueshëm ka rreziqet e veta.
Fillojmë me problemet ligjore dhe logjistike. Ligji i Austrisë, i cili vlen për 7.4 milionë njerëz, hyri në fuqi më 1 shkurt. Ai duhet të zbatohet nga të gjithë banorët mbi 18 vjeç, përveç grave shtatzëna dhe personave me kushte mjekësore që i përjashtojnë nga vaksinat.
Nga mesi i marsit, të pavaksinuarit përballen me gjoba prej të paktën 600 € (680 dollarë), me kontrolle dhe gjoba të mëtejshme çdo tremujor. Por agjencia përgjegjëse për regjistrin e vaksinave thotë se regjistri nuk do të jetë gati deri në prill. (Kontrollet në vend do të zbatohen përpara asaj kohe.) Sistemi ligjor mund të shtrëngohet nëse shumë të pavaksinuar zgjedhin gjobat në vend të vaksinave. Gjermania, ku Parlamenti do të debatojë mbi mandatet e vaksinave javën e ardhshme, nuk ka as regjistër vaksinash, duke e bërë zbatimin edhe më të ndërlikuar.
Për më tepër, gjykatat kushtetuese do t’i kundërshtojnë urdhrat që duken të parakohshme ose joproporcionale. Shumë mendojnë se qeveritë europiane mund të bëjnë më shumë për të baraspeshuar kufizimet me lokalizimet. Në vend që thjesht të imponojnë masa nga lart-poshtë, ato mund të identifikojnë dhe të shënjestrojnë rajonet ku ndodhen komunitetet, me një numër të madh njerëzish të pavaksinuar, duke përfshirë disa grupe minoritare.
Një shqetësim i dytë është ai epidemiologjik. Mandati gjerman dhe ai austriak u propozuan kur mbizotëronte varianti Delta. Po nëse për variantin e ardhshëm do të nevojitet një vaksinë e modifikuar, ose një dozë e re? Sipas deputetit dhe mjekut gjerman Janosch Dahmen, pasiguria rreth varianteve të ardhshme është një arsye e fortë për të vazhduar me vaksinimin e detyrueshëm (të mirëplanifikuar). Të tjerë nuk janë dakord. Një virolog austriak i kërkoi vendit të rimendonte planin e tij, duke marrë parasysh imunitetin e përhapur që do të japë vala Omicron.
Një shqetësim i tretë është reagimi. Shumica e gjermanëve mbështesin vaksinimin e detyrueshëm. Por edhe pse kalimi nga nxitjet tek urdhrat mund t’i shtyjë disa skeptikë të bëjnë vaksinën, të tjerë mund të kthehen në armiq të paepur.
Protestat kundër vaksinimit, shumë prej tyre të nxitura nga e djathta ekstreme dhe të prirura ndaj dhunës, po përhapen me shpejtësi. Urdhri i vaksinimit të detyruar me siguri do t’i përkeqësojë edhe më tepër gjërat. Për të shmangur krijimin e “përçarjeve” sociale, së fundmi, çekët hodhën poshtë një plan për t’i detyruar personat mbi 60 vjeç të vaksinoheshin.
Askush nuk e di nëse detyrimi do të funksionojë. Një panel austriak zbuloi se afërsisht dy të tretat e 1 milion të rriturve ende të pavaksinuar, nuk kishin gjasa të vaksinoheshin në rast të një urdhri. Por sondazhe të tilla kanë kufijtë e tyre. Për shembull, rezultoi se francezët i pranuan vaksinat më tepër sesa tregonin sondazhet. Ndërsa vendet e tjera përballen me kundërshtimet ndaj vaksinave, ata do të shikojnë nga afër eksperimentet në vendet gjermanishtfolëse. /Monitor/