Nga Gjergji Koja
Apeli i GJKKO dënoi sot me burg Saimir Tahirin, ish-ministrin e Brendshëm më jetëgjatë në vitet e tranzicionit.
Pas 5 vjet hetimesh e gjykimesh, sot u artikulua vendimi që çonte Tahirin në burg, në një moment paksa deçiziv për drejtësinë e re, pas reformës që nisi të zbatohet 3 vjet më parë.
Vendimi u pasua nga reagime euforike mbi suksesin e drejtësisë së re, mbi suksesin e akuzave publike të bëra nga opozita, u dhanë mesazhe se pandëshkueshmërisë po i vjen fundi, e plot të tjera.
Përtej vendimit penal për Tahirin nëse ai është ose jo i duhuri, i drejti, i bazuar ose jo në ligj, politikisht sot duhet të jenë të gjithë të kënaqur.
Diplomatët që kanë trumpetuar me forcë reformën në drejtësi, sot kanë një argument më shumë për ti treguar shefave të tyre në Bruksel apo Uashington se ato dhjetra milionë dollarë për realizimin e saj nuk kanë shkuar dëm.
Kryeministri Edi Rama sërisht duhet të ndjehet mirë në publik pasi ai shfaqet si njeriu që nuk e kontrollon drejtësinë, sikundër është akuzuar publikisht, pasi nëse do t´a kishte nën kontroll, Tahiri do të shpallej i pafajshëm.
SPAK dhe GJKKO, institucionet speciale të drejtësisë së re, mund të ndjehen mirë pasi çuan pas hekurave një ish-ministër, ndërsa për një tjetër ish-ministër, Lefter Kokën, pritet gjykimi.
Opozita mund të ndjehet po kështu mirë se akuzat e saj ndaj Tahirit tashmë janë provuar, të paktën sipas vendimit të Gjykatës, që e dënoi ish-ministrin si bashkëpunëtor i dy kushërinjve të tij.
Lali Eri gjithashtu mund të jetë gëzuar po kaq shumë, pasi nxorri përfundimisht jashtë loje një personazh, të cilin mund ta kishte frikë, më shumë se Edi Ramën.
Pra me pak fjalë, ky 30 muajshi burg i Tahirit i ka gëzuar të gjithë në mënyrën e tyre.
Tahiri u dënua atëherë kur nuk shërbente më as si limon i shtrydhur. Ai u dënua atëherë kur as mund të kërcënonte njeri, as mund të shantazhonte, madje sikur mos shfaqej aq shpesh në sallat e gjyqit, emri do ti ishte harruar dhe nuk do të tërhiqte kaq shumë vëmendje.
Dhe, nëse dikush duhet falenderuar për këtë dënim është ai karabinieri në Itali që përgjoi dy kushërinj të Tahirit për trafikun e drogës në Itali, pasi pa atë përgjim, ish-ministri i Brendshëm do të ishte në lojë dhe do të mbante në ankth Erion Veliajn.
Po të kthehemi pas në kohë, Tahiri u mbrojt atëherë kur ai mund të shërbente si një bombë, që do të digjte jo vetëm qeverinë dhe grupimin politik ku bënte pjesë, por edhe plot diplomatë, që jo vetëm e suportuan politikisht, por e çuan deri në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë.
Madje vizita zyrtare, e cila bëri jehonë në atë kohë, ndodhte ndërsa kishte nisur kanabizimi i vendit si një projekt madhor, i cili ishte marrë shumë më seriozisht se çdo projekt tjetër legjitim, dhe një vepër kaq madhore nuk mund të ndodhte pa dijeninë e dirigjentit.
Tahiri ishte një ushtar i vogël në perandorinë e madhe të Rilindjes, ashtu sikundër ishin dhe janë ushtarë dhe plot të tjerë, që me një dallim nga rasti i ish-ministrit të Brendshëm, nuk kanë marrë ende rolin e rezervistëve. Tahiri u dënua si reservist, ashtu sikundër Lefter Koka u arrestua po si reservist.
Ata që janë ushtarë në detyrë ende mbeten të paprekshëm, madje edhe kur mendohet se kanë kaluar vijat e kuqe, jo ato shqiptare, por përtej kufinjve.
Me logjikën e deritanishme të drejtësisë së re, këta mund të nisin të shqetësohen pasi të dalin nga formacionet e luftës, ndonëse pritshmëritë janë që të arrestohen në zyrat publike, atje ku çdo ditë firmosin ato vendimet që me një të rënë të lapsit avullojnë miliona euro e dollarë.
Prova e pandëshkueshmërisë nuk kalohet me rezervistët, aq më tepër kur atyre tentohen si vihen edhe grada gjenerali.