Nga Gjergji Koja
Lulzim Basha duket se po përpiqet të konfigurojë një pol të tretë në politikën shqiptare, pavarësisht se sot ka logon, vulën dhe mban mbi supe historikun e një force politike që peshon shumë më tepër se shpatullat e tij.
Basha po shfaqet si “njeriu i ri”, që s’ka pasur lidhje dhe s’ka lidhje me asgjë që ka ndodhur në këto vite, edhe pse prej 2005 ka qenë dhe është pjesë e këtij tranzicioni.
Basha po sillet si politikani që po përpiqet të rrëzojë pikërisht këtë tranzicion, edhe pse është konfuz dhe herë bën aleancën e heshtur me njërin krah dhe herë shpreson se krahu tjetër do e mirëkuptojë.
Ai sulmon Berishën, Ramën e Metën, por nuk e ka problem që të nesërmen të ulet dhe të flasë me cilindo prej beniaminëve të tyre, që njëherë në javë i konsideron si “trekëndëshi i Bermudës”. Madje nuk është çudi që nëse nesër do ti ofrohet, të bëjë marrëveshje me secilin prej tyre.
Në fakt kjo është politika e këtyre 31 viteve në Shqipëri ku armiqtë apo kundërshtarët më të mëdhenj politikë janë ulur, kanë nënshkruar marrëveshje, i kanë zbatuar, kanë krijuar periudha të muajve të mjaltit dhe më pas i janë rikthyer akuzave të mëparshme, duke e trajtuar si diçka krejt normale.
Me dëshirë ose jo, sot Lulzim Basha ligjërisht është kryetari i Partisë Demokratike, pavarësisht se ka kohë që nuk sillet si i tillë. Ai u angazhua fort jo për të forcuar PD-në, por për krijimin e një poli të ri politik. Dhe për këtë ka shfrytëzuar edhe idetë që dikur artikuloheshin nga Edi Rama “përtej të majtës e të djathtës”, por me një dallim të madh, sepse Kryeministri aktual kishte në rrjesht elektoratin e Partisë Socialiste.
Lulzim Basha po përpiqet të thithë këtë elektorat, pasi me shumë sukses ka larguar elektoratin tradicional të PD-së, militantët dhe anëtarët e kësaj partie. Mund të duket e çuditshme, pasi këtë rol mund ta luante Sali Berisha, nëse Lulzim Basha do të ishte një konservator në raport me anëtarësinë dhe elektoratin e forcës politike që drejton.
Por, Basha nuk i honepste dot militantët, edhe pse ishin ata që e suportuan nga dita e parë kur i hyri politikës. Nuk i duronte dot për faktin se ata kishin shumë më tepër historik se ai, se ata kishin shumë më shumë kontribute se Kryetari apo kur ia përplasnin në fytyrë një nga një pakënaqësitë që kishin.
Këta në sytë e Lulzimit ishin pengesë jo për të marrë pushtetin, të cilin edhe sot shpreson se mund ta fitojë përmes të paangazhuarve, por se me to nëpër këmbë, nuk do të kishte mundësinë që partinë ta kthente në një shtojcë interesash sa shoqërore aq edhe familjare.
Nëse deri në 9 shtator këtë elektorat ai e mbante nën kontroll me Sali Berishën dhe të tjerë emra që ishin rritur në PD, pas kësaj date ai e kishte të qartë se bashkë me ish-Kryeministrin dhe mbështetësit e tij, do të largonte edhe ata që kurrë si ka dashur. Më herët ai i kishte tradhëtuar këta njerëz, të cilët i thërriste në protestat e dhunshme dhe më pas i linte në mëshirën e policisë, duke marrë rolin e të pafajshmit apo të paditurit.
Sot palca e kësaj partie është shumë larg Bashës, jo sikundër mund të interpretohet me vendimin e 9 shtatorit (përjashtimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar), por është një proces që vetë Lulzimi e nisi pak nga pak që në 2017.
Në atë vit, Lulzim Basha nisi të vendosë tullat e para për tu larguar nga PD, jo selia e vula, por nga njerëzit e saj, kur zhvendosi zyrën në bulevard dhe zëvendësoi me shpejtësi simbolet, emrin, madje hoqi nga qarkullimi edhe dy gishtat, simbolin e demokratëve nga viti i largët 1991. Lulzimi në atë kohë fliste për Republikën e Re, atë për të cilën flet edhe sot, në tentativë për të qëndruar politikisht në këmbë, sipas teorisë “mos ti kemi kujt borxh”.
Dhe avash avash Lulzimi nisi projektin e tij për të thithur një elektorat që nuk duronte dot siglën e PD, as të PS dhe të ndonjë prej partive të tjera ekzistuese. Është ky elektorati që vazhdimisht shihet si hambar votash, që dikur bliheshin në emër të PD dhe më pas PS, apo mbi të cilin marrin peshë dhe formësohen si parti parlamentare, subjekte që kanë një kryetar, por s´kanë anëtarë e struktura as sa një rrugicë qorre.
Pjesa më e madhe e këtij elektorati ka pasur gjithmonë një çmim, përmes të cilit bëhet ajo diferenca herë për njërën palë dhe herë për palën tjetër, në zona apo qarqe të caktuara, dhe që jep qeverisjen.
Këta nuk janë as të kuq, as blu, as gri, as të bardhë, thjesht janë ata që përcaktojnë të ardhmen e atyre qindra e mijëra votave majtas e djathtas, për një thes mielli apo një zarf që ka vlerën e mbijetesës për 3 muaj.
Pikërisht këta sot po mundohen të thithen nga Basha me tezën se ai është kundra të gjithëve, edhe pse është pjesë e një sistemi të kalbur që iu ngjit dhe nuk po i shqitet.
Në fakt, përtej çdo shfaqjeje, Lulzim Basha sot nuk po sillet ndryshe nga ajo çka ndodhur në këto vite të tranzicionit. Ai po vepron me të njëjtën mendësi sikundër kanë vepruar edhe shumë të tjerë para tij që synonin të “kafshonin” te torta elektorale që s´ka një “pronar”.
Thjesht ai ka një synim, të jetë në lojë përsa kohë që do ia kërkojnë, dhe të shpresojë që mund të kthehet në një “king maker”.
Ndoshta shpreson se ky elektorat që sot thotë se e ka për zemër, do ti besojë më shumë deklaratave politike të “njeriut të ri” se sa faktit se ai tradhëtoi elektoratin tradicional të partisë që përfaqëson me sigël e vulë.
Dhe nëse dështon ai se ka për gjë të largohet, pa turp, pasi në fund të fundit mund të përdorë dhjetra alibi me apo pa prova.
Të paktën nëse largohet nuk do t’i kishte detyrime njeriu dhe kjo do të ishte tentativa e dështuar e rradhës për të krijuar “polin e tretë”.