Tom Brady i jep fund karrierës në NFL. Legjenda e futbollit amerikan tërhiqet pas 22 sezonesh në majë, ndërsa cilësohet gjerësisht nga specialistët si më i miri në historinë e këtij sporti.
“Quarterback”-u i Tampa Bay Buccaneers, i cili ka fituar 7 herë titullin kampion (Super Bowl) në sportin më popullor në SHBA, do të ndalet në moshën 44-vjeçare.
Karriera e tij ishte ajo e një lojtari i cili nga i panjohur, u bë një yll thuajse nga rastësia. Në shkollë të mesme ishte zëvendësues, ashtu si edhe në fillimet e tij në universitet, ku ishte i shtati në radhën e pasuesve. Ai ia doli në vitin e fundit të bëhej pjesërisht titullar, por kur erdhi momenti i përzgjedhjes në NFL, të gjitha skuadrat e injoruan. Ai u zgjodh i 199-ti në listë nga Neë England Patriots, në atë që mund të cilësohet goditja më e madhe në historinë e sporteve profesioniste me një sistem përzgjedhje.
Në vitin e tij të dytë, ai kaloi nga pasuesi i katërt, falë edhe dëmtimeve në skuadër, në titullar dhe udhëhoqi New England Patriots drejt titullit të parë kampion duke mundur kundër të gjithë parashikimeve St. Luis Rams, për të nisur një nga ciklet fituese më të shkëlqyera në historinë e këtij sport. Pas 6 titujsh me New England Patriots në 20 vite ku dominuan AFC, ai vendosi dy vite më parë t’i jepte lamtumirën për të firmosur për Tampa Bay Bucaneers dhe aty përsëriti veten, duke fituar një tjetër titulli kampion duke përforcuar më shumë statusin e një legjende.