Nga Paul Taylor
Vetëm 2 vite pasi presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se ndodhej “në gjendje kome”, NATO është ringjallur për shkak të kërcënimeve të Rusisë mbi Ukrainën. Sot aleanca është ende “disi e ndryshkur” por gjithsesi e besueshme në aspektin e mbrojtjes të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për sigurinë evropiane.
Se si kjo gjë i shërben synimit të vjetër strategjik të Moskës, për ta larguar SHBA-në nga Evropa dhe për ta dominuar më mirë këtë të fundit, këtë gjë e di vetëm presidenti rus Vladimir Putin. Por për ata nga ne që nuk e dinë se cili është fundi i lojës së tij, kjo duket e kundërta, për të thënë më të paktën.
Çfarëdo që do të zgjedhë të bëjë në fund Putin në lidhje me Ukrainën, nëse synimi i tij ishte të dobësonte aleancën perëndimore, ai padyshim që ka bëra disa autogola. Së pari, ai e ka rritur dhe jo zbehur oreksin e Suedisë dhe Finlandës për t’u anëtarësuar në NATO, ose më së paku vendosmërinë e tyre për ta mbajtur të hapur këtë opsion.
Të dyja vendet nordike, mbetën të paangazhuara ushtarakisht në ndonjë aleancë qëkur iu bashkuan Bashkimit Evropian pas Luftës së Ftohtë. Gjithsesi, ato kanë bashkëpunuar gjithnjë e më ngushtë me aleancën veriatlantike që nga pushtimi dhe aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014.
Për më tepër, ultimatumet e tij publike, kanë detyruar edhe anëtarët më pak entuziastë të NATO-s të pozicionohen në një mënyrë të tillë, ku janë të detyruara të riafirmojnë politikën e “dyerve të hapura” të aleancës, pavarësisht nga dyshimet e vjetra mbi mençurinë e pranimit të Ukrainës dhe Gjeorgjisë.
Sot askush nuk dëshiron të ketë një qasje të butë ndaj Putinit, që ka vendosur mbi 100.000 trupa ruse në kufi me Ukrainën. Këtë gjë e tregon edhe dorëheqja e fundit e imponuar e kreut të Marinës Gjermane, që shprehu mirëkuptim për kërkesat udhëheqësit të Kremlinit, duke shtuar se Krimea nuk do t’i rikthehej më kurrë Ukrainës, pikëpamje këto të përhapura edhe në mesin e elitës qeverisëse në Berlin.
Duke këmbëngulur në një format negocimi të stilit të Luftës së Ftohtë “midis superfuqive”, pra Rusi-SHBA, dhe duke refuzuar me përbuzje në tryezë BE-në, Rusia ka lënë më gisht në gojë të gjithë ata zyrtarë në Paris, Berlin dhe Bruksel, që ëndërronin ndërtimin e një arkitekture të re evropiane të sigurisë, si produkt i negociatave midis tyre.
Duke pasur parasysh ndarjet e unionit mbi këtë temë, shumëkush mund ta cilësojë thirrjen e Emmanuel Macron gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian javën e kaluar, që udhëheqësit e BE-së të hartojnë planin e tyre për një rend të ri sigurie që do t’i propozohet NATO-s dhe më pas Rusisë, si një lëvizje më shumë për konsum të brendshëm elektoral vend, sesa si një akt diplomatik serioz.
Së fundmi, dhe në mënyrë mjaft ironike, sjellja aktuale e Putinit e ka angazhuar akoma më shumë SHBA-në në sigurinë evropiane, pikërisht në kohën kur 2 presidentët e fundit të Amerikës, janë përpjekur që ta përqendronin fokusin strategjik të Uashingtonit drejt Kinës.
Madje edhe presidenti aktual Joe Biden, po përpiqej në heshtje që t’ua kalonte vendeve evropiane një pjesë të mirë të barrës së sigurisë së BE-së. Tashmë kemi më në fund një Shtëpi të Bardhë, e cila është e gatshme të përqafojë idenë e një “autonomie strategjike” më të madhe evropiane.
Por në fakt ajo po e gjen veten duke u marrë gjatë gjithë kohës me sigurinë evropiane. Pavarësisht nëse Rusia do të nisë sërish një sulm ushtarak ndaj Ukrainë – dhe Putin i ka rritur aq shumë pritshmëritë, saqë tani mund të duhet një lëshim të madh që ai të tërhiqet në mënyrë paqësore – kjo krizë është e detyruar që të formësojë llojin e NATO-s
që do të dalë nga samiti historik, i cili do të mbahet në qershor të këtij viti, ku për herë të parë në më shumë se një dekadë, aleanca do të miratojë një koncept të ri strategjik, dhe do të zgjedhë Sekretarin e ri të Përgjithshëm.
Kërcënimi rus, i cili ishte reduktuar në një shqetësim modest në strategjinë e mëparshme të aleancës – shumë më pak emergjent sesa lufta kundër terrorizmit, apo misionet e menaxhimit të krizave dhe stabilizimit në vende të largëta si Afganistani dhe Iraku – është tani sërish në qendër të vëmendjes.
NATO po përballet me një presion të shtuar nga ana e anëtarëve të saj lindorë, që dikur vuajtën pasojat e dominimit sovjetik. Ajo ka kaluar nga strategjia e saj aktuale e përforcimit me forca minimale të përhershme në krahun lindor, në një pozicion ushtarak më afër “mbrojtjes së përparuar” në stilin e Luftës së Ftohtë.
Kjo e fundit përfshin më shumë trupa dhe pajisje të pozicionuara pranë vijës së frontit, në kundërpërgjigje të dislokimeve ruse në Bjellorusi dhe rreth Ukrainës. Ne po shohim tashmë shenjat e para të kësaj strategjie të re, me Britaninë e Madhe që po dërgon më shumë trupa në shtetet baltike dhe Poloni, dhe me Francën që ofrohet të bëjë të njëjtën gjë në Rumani, ku komandanti suprem i aleatëve të NATO-s ka rekomanduar një prani tokësore.
Ndërkohë SHBA-ja ka të ngjarë të vendosë më shumë trupa në krahun lindor, ndërsa aleatët e NATO-s si Spanja, po planifikojnë të dërgojnë anije luftarake në Detin e Zi. Rezultati më i dukshëm i sjelljes kërcënuese të Rusisë, do të jetë padyshim rritja e pranisë ushtarake të NATO-s tek vendet ish-satelite të Moskës në Evropën Lindore, dhe jo largimi i forcave perëndimore nga ato vende siç dhe ka kërkuar Vladimir Putin.
Vendet evropiane, kanë vetëm një grup forcash të armatosura, dhe nevojat në frontin lindor ka të ngjarë të bëhen më të mëdha gjatë muajve të ardhshëm, në krahasim me ato në Sahel apo në Libi të Afrikës, ku është angazhuar disi aleanca.
Sigurisht, BE-ja do të ketë ende rolin e saj, sidomos nëse bëhet fjalë për sanksione më të ashpra ekonomike kundër Moskës, apo për reduktimin e varësisë evropiane nga gazi rus. Por
ajo nuk do të jetë në tavolinë, duke e diktuar arkitekturën e ardhshme të sigurisë të Evropës.
Kjo krizë mund të ndikojë edhe në profilin e Sekretarit të ardhshëm të Përgjithshëm të NATO-s. Pas dy mandateve të njëpasnjëshme nga përfaqësues të vendeve nordike, disa qeveri evropiane, por veçanërisht Franca, janë të vendosura të emërojnë në krye një kandidat më pro-evropian nga një vend kryesor i BE-së.
Një figurë që mund të udhëheqë një zhvendosje graduale drejt aleatëve evropianë, dhe që do të marrë më shumë përgjegjësi për kontinentin evropian, me Amerikën të pranishme në sfond, që shërben si një garante se gjithçka do të shkojë mirë.
Megjithatë, në kushtet kur lufta mbi Ukrainën do të zgjasë, dhe ndoshta do të përshkallëzohet, sigurisht që do të ketë një presion të shtuar nga Uashingtoni, Londra dhe Varshava për të zgjedhur në krye një atlantist tradicional, që do të mbajë një qëndrim të fortë ndaj Rusisë.
Nëse do të kemi në krye të NATO për 4 vitet e ardhshme një luftëtar të ri të Luftës së Ftohtë, në vend të dikujt që dëshiron ta shohë aleancën të zhvillohet me një rol më të madh udhëheqës të Evropës, Putin do të duhet të fajësojë vetëm veten.
Të gjitha këto pasoja duket se mundura të ndodhin, edhe para se të shkrepet ndonjë e shtënë e vetme në front. Prandaj ka ardhur koha të ndalojmë së supozuari se Putini është një strateg mjeshtëror, që di të shfrytëzojë dobësitë dhe përçarjet në Evropë, si dhe paqëndrueshmërinë dhe prirjen e Amerikës për t’u shpërqendruar.
Shkaktimi i kësaj krize, bie ndesh me objektivat e shpallura nga vetë Moska. Putini mund të ketë vërtet në duar “një bazukë” të madhe, por duket se ajo ka shënjestuar pikërisht këmbët e tij. / “Politico.eu”