Vula e një individi dhe çekiçi i një gjyqtari nuk zëvendësojnë 4446 delegatët e kuvendit të 11 dhjetorit dhe anëtarësinë e Partisë Demokratike. Kështu u shpreh në intervistën me Merita Haklajn deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, i cili akuzoi kryeministrin Edi Rama se po ndikon te gjykata për të penguar dhe zvarritur procesin e regjistrimit të statutit të 11 dhjetorit.
“Ka një pengesë, një zvarritje për ta çuar përtej afateve ligjore të zgjedhjeve vendimmarrjen që për një gjykatë do të ishte e vështirë të vendoste kundër kuvendit të 11 dhjetorit, që ka marrë vendim për shkarkimin e zotit Basha. Gjykata duhet të bëjë diçka të pamundur për ta rrëzuar këtë. Vetëm vonesa për të nxjerrë jashtë procesit zgjedhor e cila nuk mund të realizohet pa mbështetjen e Edi Ramës, i jep dorë Bashës që të tundë një vërtetim me të dhëna të 2017-2018-ës.
Urojmë që gjykata nuk do të hyjë në komplikime që nuk do krijojnë precedentë për më vonë. Vula e një individi nuk ndryshon votën e 4446 delegatëve që vendosën për ta shkarkuar, çekiçi i i një gjyqtari nuk zëvendëson delegatët, as vula e as çekiçi nuk zëvendësojnë delegatët e anëtarët. Janë anëtarët që zgjedhin organet e tyre”.
Si njohës i mirë i ligjit, Bylykbashi sqaron atë që thotë ligji për regjistrimin e partive për logon dhe simbolet. Në rastin konkret, ai thekson se vërtetimi nga gjykata që përdori Basha i përket vitit 2017-2018, ku logo është PD-PDSH dhe nuk i korrespondon asaj që ka vendosur Basha në statutin e 17 korrikut, që ishte vetëm PD, por i përket atij që është vendosur më 11 dhjetor 2021.
“Gjykata është tërësisht në shkelje të ligjit. Ligji e përcakton qartë që regjistrimi i partisë bëhet brenda 30 ditësh dhe të njëjtat procedua shërbejnë edhe kur ka ndryshime, janë të gjitha të dhën të rëndësishme si në regjistrimin e për herë të parë apo ndryshime duhet një afat dhe të gjitha këto i kanë ndodhur PD-së se ka ndryshuar inicialet, ka rikthyer PDSH, që Basha e hoqi më 17 korrik mundet për t’ia dhuruar dikujt tjetër. Në statutin që miratoi është vetëm PD. Vendimi i 11 dhjetorit e rikthen të plotë por ka ndryshuar logo dhe vula. Simbolika është gjithmonë e rëndësishme. Jemi rikthyer te logo e ‘91.
Një partie këto të dhëna i duhen për fletën e votimit dhe kapërcimi i afatit që është 16 janari bën të pamundur për ne të çojmë atë që ka vendosur anëtarësia. Me mosveprimet e saj gjykata ka bërë të mundur që vendimet e abnëtarësisë të mos bëhen ekzekutive. Vertetimi nga gjykata, Basha e përdori sikur gjykata e kishte pranuar, por duhet të sqarojmë se statuti i korrikut i Bashës atë që ai tund ende, por që është i shfuqizuar nuk ka PD e PDSH, vërtetimi thotë PD-PDSH, që do të thotë se janë të dhëna të statutit 2018 dhe ai është statuti i fundit i regjistruar në shkelje të ligjit nga gjykata. Nuk i korrespondon atij që ka vendosur Basha, por 11 dhjetorit”.
Sipas Bylykbashit as statuti i korrikut dhe as i 11 dhjetorit nuk janë regjistruar në gjykatë. Ai tha se presin datën që të caktojë gjykata, datën e shqyrtimit.
“Basha rezulton i regjistruar nga zgjedhjet 2017. Basha ende nuk ka të mbyllur procesin gjyqësor që është kontestuar në gjykatë zgjedhja e tij dhe pa një vendim ai nuk është regjistruar ende. Basha ka sjellë një vërtetim me të dhëna 2017-18-ës. Pra në mnëyrë të paligjshme as statuti i korrikut dhe 11 dhjetori nuk janë regjistruar në gjykatë. Ne presim datën që të caktojë gjykata, datën e shqyrtimit”.