Këtë të mërkurë drejtoria Vendore e Policisë së Shkodrës dhe Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, ka bërë analizën vjetore të punës
Pjesë e këtij takimi është bërë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano.
Nano, gjatë fjalës së tij, ka vlerësuar strukturat vendore të Policisë që operojnë në qarkun e Shkodrës, për punën e bërë gjatë vitit 2021.
Ai gjithashtu ka kërkuar dominimin e situatës kriminale nga Policia, duke u shprehur se duhet më tepër punë parandaluese dhe forcë reaguese ndaj çdo individi/grupi kriminal.
Më tej, Nano është ndalur në masat që duhen marrë për vitin 2022, për parandalimin e kultivimit të kanabisit, dhe për këtë puna duhet të fillojë që në këto momente, me marrjen e informacioneve për personat që përgatiten për të kultivuar bimë narkotike, për goditjen e atyre që futin fara në mënyrë kontrabandë dhe i shesin me qëllim kultivimin e tyre, për mbajtjen nën kontroll të personave me tendenca kriminale, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të rënda, krimin e rrugës, si dhe zgjidhjen në kohë të konflikteve, të cilat mund të çojnë në pasoja për jetën e qytetarëve.
Njëkohësisht, Nano ka kërkuar që performanca e Policisë në komunitet, të rritet akoma më tej, punonjësit e Policisë t’u ofrojnë një shërbim sa më cilësor qytetarëve dhe të reflektojnë një sjellje të denjë për të qenë punonjës policie, me qëllim që të gjithë këta komponentë të bëjnë që qytetarët të besojnë më shumë te Policia, ta mbështesin më shumë Policinë, se bashkërisht me qytetarët mund të ndërtojmë një ambient më të sigurt për të ardhmen e vendit.
Drejtori i Përgjithshëm është ndalur edhe te masat parandaluese që duhen marrë në pikat e kalimit kufitar, për parandalimin e krimeve ndërkufitare, kryesisht të trafikimit të lëndëve narkotike, të kontrabandimit të emigrantëve nga vendet e treta dhe të kontrabandës.
Nano ka kërkuar një bashkërendim të punës midis Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin, por dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese, që të koordinojnë veprimet me njëra-tjetrën, të grumbullojnë informacion, të bëjnë analiza risku dhe të godasin sa më ashpër, me zero tolerancë, këdo që tenton të kryejë këtë veprimtari kriminale.
“Kërkoj nga të gjitha strukturat tuaja, më shumë angazhim e përkushtim, për të rritur forcën parandaluese dhe goditëse ndaj çdo veprimtarie kriminale.
Puna me ndershmëri e përkushtim ka vetëm një medalje, atë të mirënjohjes së qytetarëve, ndaj punoni që ta meritoni”, – ka përfunduar fjalën e tij Drejtori i Përgjithshëm.