Në krahasim me buxhetin fillestar të fillim vitit, mosrealizimi është rreth 14 miliardë lekë, apo rreth 100 milionë euro më pak…
Të ardhurat buxhetore për gjithë vitin 2016 arritën 404.8 miliardë lekë, me një rritje prej nominale prej 6.8% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Financave. Duke pasur parasysh se inflacioni mesatar vjetor ka qenë gati 2% dhe rritja e pritshme ekonomike mbi 3%, rezulton se zgjerimi real i të ardhurave për vitin e kaluar ishte më pak se 2%.
Dhjetori ka sjellë dhe një përkeqësim të ndjeshëm në raport me planin e rishikuar. Mosrealizimi për gjithë vitin 2016 ishte 9.6 miliardë lekë, nga 5.4 miliardë lekë që kishte qenë për 11 mujorin (kujtojmë se buxheti u rishikua njëherë me ulje plani në shtator me rreth 4.1 miliardë lekë, çka e çon mosrealizimin me planin e fillim vitit në rreth gati 14 miliardë lekë – Plani fillestar i buxhetit në fillim të vitit ishte 418 miliardë lekë). Ky mosrealizim për vitin ka ardhur 5.8 miliardë lekë nga të ardhurat tatimore dhe 3.3 miliardë lekë nga ato jo tatimore, ndërsa të hyrat nga pushteti vendor kanë një tejkalim prej 450 milionë lekësh.
Vetëm në dhjetor mosrealizimi ishte 4.2 miliardë lekë, pothuajse sa për gjithë periudhën janar-nëntor, kryesisht si rrjedhojë e e performancës së dobët të akcizës (-1.1 miliardë lekë), TVSH-së (-840 milionë lekë), ndihmave (-1.1 miliardë lekë).
Për gjithë vitin 2016, të ardhurat tatimore ishin rreth 370 miliardë lekë, me një rritje prej 8.1% me bazë vjetore, por ishin 5.8 miliardë lekë më pak se plani.
Zëri që vijon të performojë më dobët është ai i TVSH-së, që ndonëse është zgjeruar me 4.5% në 132 miliardë lekë, mbetet 6.2 miliardë lekë më pak se plani.
Tatim fitimi ka qenë zëri me performancën më të mirë në buxhet në vitin 2016, duke u rritur me 17% në 29 miliardë lekë dhe duke sjellë 4.8 miliardë lekë më shumë se plani.
Që prej tetorit, tatimet nuk marrin më pagesën prej 5 milionë dollarë nga Bankers Petroleum, pasi raporti auditues i palës së tretë mbi mosmarrëveshjen e taksave për vitin 2011 I ka dhënë të drejtë Bankers. Për më tepër kompania i ka paguar në total 37 milionë dollarë deri më 30 qershor 2016 zyrës së taksave si derdhje për tatimin fitimin e vlerësuar për vitin 2011, të cilën tatimet duhet ta kthejnë mbrapsht. Sipas burimeve nga bankers, kompania nuk ka marrë asnjë pagesë deri tani.
Një tjetër factor që ka ndikuar në rritjen e tatim fitimit është performanca e operatorit shtetëror të shpërndarjes, që deri për 9 mujorin kishte paguar rreth 1.3 miliardë lekë tatim fitimi, sipas të dhënave nga kompania.
Akciza dhe tatimi mbi të ardhurat personale kishin një mosrealim përkatësisht me 2.7 miliardë lekë dhe 781 lekë.
Pushteti vendor ka pasur ecuri më të mirë, duke rezultuar 450 milionë lekë më shumë se plani, ndërsa në total, zgjerimi i të ardhurave të këtij zëri ka qenë 28%, si rrjedhojë e pothuajse dyfshimit të të ardhurave nga taksa lokale, por edhe ajo e pasurisë është rritur me gati 20%.
Pozitive ka qenë dhe ecuria e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, me një rritje përkatësisht me 11 dhe 12% në përputhje me planin.
Kanë qenë institucionet buxhetore ato që kanë “zhgënjyer” më shumë financat. Mosrealizimi i planit për vitin ishte 3.4 miliardë lekë, nga i cili 2.5 miliardë lekë ishin institucionet buxhetore.
Monitor.al