Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan mbërriti në vendin tonë për një vizitë disaorëshe. Ai u prit në aeroport nga kryeministri Edi Rama. Erdogan pritet të zhvillojë disa takime dhe ndalesa në vend.
Vizita e Erdogan në Shqipëri po trajtohet me një protokoll ekstra, i cili më parë nuk është aplikuar edhe kur vendi është vizituar nga kancelarë apo kryeministra të vendeve të BE, përfshi këtu edhe atë të Gjermanisë, Italisë apo shteteve të tjera.
Ndërkohë mediat turke po e ndjekin me intensitet të madh këtë vizitë.
Gazeta ‘Cumhuriyet’ (Republika) shkruan se kryeministri Edi Rama ‘ka bërë një deklaratë kritike përpara vizitës së Erdogan’.
Duke folur për gazetën britanike, Financial Times, Rama është shprehur se të gjithë vendet që duan të bashkohen me BE-në, duhet të ‘refuzojnë ofertat nga fuqitë e huaja dhe të ruajnë besimin te ëndrra anëtarësimit në BE’.
Gazeta thekson se Rama nuk e përmendi specifikisht Turqinë, por është media britanike që thekson se vende të tilla si Rusia, Kina dhe Turqia po përpiqen të rrisin ndikimin në rajon.