Celine Dion po bën një pushim nga turnetë për t’u shëruar nga një problem shëndetësor.
Fituesja pesë herë e çmimit Grammy, anuloi pjesën e mbetur të turneut të saj Botëror Courage në Amerikën e Veriut, i cili ishte planifikuar për 9 mars deri më 22 prill, duke theksuar se po trajtohet për “spazma të rënda dhe të vazhdueshme të muskujve”.
“Unë me të vërtetë shpresoja se do të isha mirë deri tani, por supozoj se duhet të jem më e duruar dhe të ndjek regjimin që mjekët e mi më dhanë,” shkroi ajo. “Ka shumë organizim dhe përgatitje që janë bërë në shfaqjet tona, dhe kështu ne duhet të marrim vendime sot që do të ndikojnë në planet e dy muajve më vonë. Do të jem shumë e lumtur të kthehem me shëndet të plotë, si të gjithë ne që po e kalojmë këtë pandemi dhe mezi pres të rikthehem përsëri në skenë. Ndërkohë, jam prekur shumë nga të gjitha fjalët inkurajuese që të gjithë më dërgojnë në rrjetet sociale. Ndjej dashurinë dhe mbështetjen tuaj dhe kjo do të thotë shumë për mua”, shtoi Dion.
Ajo performoi më parë 52 shfaqje në të gjithë Amerikën e Veriut në turneun, i cili u ndërpre me fillimin e pandemisë COVID-19 në mars 2020. Turneu do të rifillojë në maj me pjesën evropiane dhe të Lindjes së Mesme.