Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurisë (ILDKPKI) fillon kontrollin e plotë dhe hetimin administrativ për deklaratat e interesave private të Kryetarit të Autoritetit të Medias Audiovizive, Z. Gentian Sala.
Dokumentet e publikuara dhe në Ora News tregojnë një pasurim të beftë ë Kryetarit të AMA-s dhe bashkëshortes së tij me 164 mijë euro gjatë vitit të parë në detyrë (dhjetor 2015-dhjetor 2016), ndërkohë që të ardhurat vjetore të deklaruara nga dy bashkëshortët janë vetëm 17 280 euro.
Dhe ILDKPI informon se kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshorten e tij, fëmijët, si dhe personat e lidhur
“Nisur nga njoftimet në media në lidhje me pasurinë e zotëruar nga Kryetari i Autoritetit të Medias Audiovizive, Z. Gentian Sala dhe nga bashkëshortja e tij Znj. Dorela Sala, Inspektori i Përgjithshëm bazuar në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar dhe ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, ka urdhëruar fillimin e procedurave të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ për të gjitha deklaratat e interesave private të subjektit Gentian Sala” thuhet në njoftimin për media të publikuara sot, 23 janar 2017.
Objekt kontrolli do të jetë dhe gjendja e konfliktit të interesit
“Objekt i këtij kontrolli nuk do të jenë vetëm pasuritë e subjektit në fjalë, burimet e krijimit dhe ligjshmëria e tyre, por gjithashtu edhe gjendja e konfliktit të interesit. Mbledhja e të dhënave dhe informacioneve, kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshorten e tij, fëmijët, si dhe personat e lidhur”
Inspektori i Përgjithshëm ka kërkuar kryerjen e një hetimi tërësor brenda një kohe sa më të shpejtë të mundshme.
Inspektorati i Lartë gjithashtu falenderon median për bashkëpunimin e deritanishëm me ILDKPKI, dhe i fton ato si dhe çdo person tjetër që zotëron informacione për pasuri të fshehura, të padeklaruara dhe të vëna në kundërshtim me ligjin për subjektin e mësipërm, t’i depozitojnë pranë Inspektoratit të Lartë, duke j’u garatuar konfidencialitetin si një prej parimeve më të rëndësishme të punës së ILDKPKI-së.
Si u pasurua brenda 1 viti, gruaja e Gentian Salës, kreut të AMA-s
Në formularin e deklarimit te pasurisë të vitit 2015 Gentian Sala ka deklaruar se zotëron një apartament në zonën e ish-Bllokut, njëkohësisht edhe 4700m2 tokë arë në Kruje – Mazhe e Madhe.
Çuditërisht sapo vihet në krye të AMA-s familjarët i dhurojnë një orë Perrelet Chronograph GMT Skeleton e cila kushton 19 mijë dollarë, ose e konvertuar në lekë rreth 25 milionë lekë.
Pronat e bashkeshortes
Më 5 shkurt 2015 bashkëshortja e Gentian Salës, ka deklaruar në formularin e deklarimit të pasurisë blerjen e një apartamenti banimi me sipërfaqe 217.5 metra katror në “Rezidencen Platea” që ndodhet rrugës për në Dajt.
Njëkohësisht tek e njëjta zonë deklaron dhe blerjen e dy vendeve të parkimit. Shuma e paguar për blerjen e shtëpisë dhe te garazhit është 97,000 euro (nëntëdhjetë e shtatë mijë euro).
217.5m 2 x 400 euro/m2=87000 euro ndërsa vendet e parkimit kushtuan 10.000 euro. Çmimi në këtë rezidencë në rrugë zyrtare konfirmohet nga firma se është 600 euro metri katror. Pra vlera normale e shtëpisë do të ishte 130 500 euro. Por përtej kësaj, a e justifikon burimin e 97.000 euro-ve bashkëshortja e Kreut të AMA-s?
Dorela Sala bashkëshortja e kryetarit të AMA deklaron në formularin e deklarimit të pasurisë se të ardhurat e saj vijnë nga puna në firmën “Delioitte Albania” me një rrogë mujore 700 euro, (vjetore 8 400 euro) dhe pranon se në këtë kompani ka afro 22 muaj që nga 1 marsi 2013 deri në 1 janar 2015.
Absurditeti arrin me faktin se këto dy vite punë nuk justifikojnë blerjen e apartamentit 217 metra2 dhe të 2 garazheve. Nga një matematike e thjeshte del se zonja Sala duhet të punonte 25 vjet, me rrogë mujore 700 euro që të blinte apartamentin të cilin zotëron tani. Pra, praktikisht këtë super shtëpi ajo do të mund ta blinte në vitin 2038.