Shteti shqiptar është përballur në 14 çështje gjyqësore ndërkombëtare ku janë dhënë deri më tani vendimet për 9 dhe pjesa tjetër janë në gjykim.
Për vendimet në disfavor të Shqipërisë dëmi financiar është 388.5 milionë euro sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pavarësisht kësaj situate, Avokatura e Shtetit, një ndër institucionet më të rëndësishme në vend sa i takon arbitrazheve informacion të plotë mbi njohjen e këtyre vendimeve pranë Gjykatave të Apelit vendase, si dhe ecurisë së ekzekutimin të tyre. Referuar auditimit KLSH nënvizon se mbi të gjitha nuk ka një analizë të arsyeve që kanë çuar në këtë situatë kur shtetit i duhet të paguajë qindra milionë euro për veprimet e një institucioni të caktuar dhe ku është shkelur ligji.
“Në përfundim të proceseve gjyqësore në gjykatat e huaja të cilët kanë rezultuar me penalitete të rënda financiare për Shtetin Shqiptar, nga ana e Avokaturës së Shtetit mungojnë analizat dhe vlerësimet mbi veprimet dhe mosveprimet e administratës publike, shkaqet, masat që duhet të merren ndaj shkaktarëve, apo sugjerimet/propozimet drejt Këshillit të Ministrave mbi hapat e nevojshëm për tu ndërmarrë me qëllim evitimin e veprimeve të padrejta dhe/ose abuzive në të ardhmen nga funksionarët publikë” thuhet në auditimin e KLSH.
Përpos kësaj audituesit kanë konstatuar se Shqipëria ka një ecuri të dobët edhe kur është fituese e çështjeve në gjykatat ndërkombëtare duke mos rikuperuar vlerat financiare që i takojnë.
“Mungojnë veprimet e nevojshme administrative e ligjore për rikuperimin e vlerave financiare në rastet e vendimeve në favor të RSH” thuhet në auditim.
I njëjti vlerëson se evidentohen parregullsi administrative në procedurat e kontraktimit, ku si rrjedhojë e mosaplikimit të kritereve të nevojshme mbi lëshimin e faturave për shërbimet e kryera nga studio e huaja të përzgjedhura, prodhohen kosto shtesë të paparashikuara në buxhet për TVSH-në e pagueshme.
Një tjetër element është mangësia e mangësia e theksuar mbi arkivimin e dokumentacionit thuajse përgjatë gjithë proceseve të audituara si, praktika kontraktimi, prokurimi, inspektimi, etj, duke ekspozuar njësinë drejt risqeve të theksuara mbi ruajtjen dhe mbrojtjen e dokumentacionit shtetëror.
Arbitrazhet në proces
Arbitrazhet ndaj Shqipërisë janë rritur në mënyrë të dukshme. Dy nga gjashtë çështjet i takojnë vitit 2020 dhe në total. Vetëm pak kohë më parë Shqipëria humbi arbitrazhin me kompanitë “Aktor” dhe “Copri” si dhe Hydro Srl të Bechetti. Një çështje në vazhdim është ajo me “Dondi & Kubota” ku humbja e shtetit shqiptar llogaritet në 90 milionë euro nga të cilat vetëm 20 milionë si pretendim gjykate ndërsa pjesa tjetër lidhet me mospërfundimin e investimit.
Në 23 shtator 2020, pranë ICSID, u regjistrua një tjetër çështje kundër Shqipërisë. “Kompania Durrës Kurum Shipping” dhe të tjerë paditën shtetin duke kërkuar 100 milionë euro kompensim për prishje të njëanshme të kontratës. Këtyre më pas u shtohen edhe çështja e Akërnisë që rrist në mënyrë të jashtëzakonshme shumën potenciale që Shqipëria mund të humbasë të Arbitrazhe.
/Monitor.al/