• Kontakt
Tuesday, May 13, 2025
BoldNews.al

Nuk ka rezultat
View All Result
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025
BoldNews.al
Fillimi EKONOMI

Bizneset e agroindustrisë: Taksat e tarifat po na marrin frymën

14:45 : 22/01/2017
në EKONOMI, KRYESORE

Koniunkturat e tregut të jashtëm, barrierat e mbartura që prej 2016-s për produktet ushqimore shqiptare, dobësimi i euros, të gjitha këto të pashoqëruara me incentiva fiskale, po bëjnë që biznesi i agropërpunuesve të parashikojë një vit të dobët ekonomikisht. I vetmi sektor që parashikon shtim të investimeve dhe vendeve të reja të punës, është industria e bimëve aromatike medicinale

Nga Ola Xama

Biznesi agropërpunues parashikon një vit më të ngadaltë për aktivitetin e tij në 2017-ën. Shkaqet kryesore për këtë janë një sërë problemesh të pazgjidhura e të mbartura që nga viti që shkoi. Shtimi i eksporteve për këtë biznes në tërësi nuk mund të jetë më shumë se 10%, thotë Shoqata Shqiptare e Industrive Ushqimore, ndërsa pritet një rënie e fitimit neto për shkak të disa kostove shtesë, që kanë një vit që po rëndojnë industrinë. Për disa degë të agroindustrisë paralajmërohet edhe rënie. “Rritja e eksporteve për këtë degë të ekonomisë nuk pritet të jetë më shumë se 10%. Ne presim të kemi një frenim të eksportit të industrisë së açugeve për shkak të arritjes së kuotave të eksportit të lejuara në Bashkimin Europian. Këto kuota janë 1600 tonë. Tashmë kjo industri që në muajin gusht e ka arritur atë kuotë, vitin e ardhshëm mund ta arrijë që në muajin korrik. Që pas këtij moment ato nuk mund të eksportojnë më sepse tarifa e eksportit është 25% e vlerës. Ose ato mund të vazhdojnë eksportin, por duke ulur ndjeshëm marzhin e fitimit.” thotë Alban Zusi, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Industrive Ushqimore.

Bimët mjekësore, optimiste

E vetmja degë e agropërpunimit që pret një rritje të eksporteve për 2017-n është sektori i bimëve aromatike medicinale. Xhavit Hysenaj, sipërmarrës prej shumë vitesh në këtë degë, sqaron në një intervistë për revistën Monitor se partnerët ku ai eksporton sherebelë dhe bimë medicinale kanë kërkesa më të larta përgjatë këtij viti. “Ne presim rritje. Unë e argumentoj këtë me përmirësimin e teknologjisë së këtij sektori. Kjo ka bërë që të kemi një shtim të partnerëve tanë të huaj, që kërkojnë të marrin më shumë produkte që prodhohen në Shqipëri. Ne tashmë po konkurrojmë me cilësi. Tek sektori që unë mbuloj personalisht, që janë bimët medicinale dhe sherbela, po mbështeten edhe nga Ministria e Bujqësisë. Ajo ka futur këtë sektor në një skemë subvencionesh.” shprehet Hysenaj.

Lexo edhe:

Foto/ Votuesi lë shënimin epik mbi fletën e votimit: Forca Real Madrid

Përfundon numërimi në Vlorë dhe Berat, sa është diferenca e fitoreve të PS-së

Skemë e gabuar subvencionesh

Por për ish-kreun e Këshillit të Agrobiznesit, Enver Ferizaj, qeveria është duke subvencionuar këtë sektor në një drejtim tërësisht të gabuar. “Ne kemi pasur një model të mirë, ka qenë ai që filluam në vitin 2007-të. Në atë kohë u identifikuan projektet dhe produktet potenciale të bujqësisë shqiptare, të cilat janë potenciale për eksport. Mund të përmendim subvencionet me hardhitë apo me ullinjtë, të cilat sot sjellin fitime për këtë sektor. Çdo vit eksporti i këtij lloji ka pasur 10- 20% rritje. Madje po ta krahasojmë bujqësinë edhe me sektorë të tjerë si ndërtimi apo industria, të cilat u prekën nga kriza, bujqësia ruajti një rritje të njëtrajtshme në nivelin 5 – 6%. Për mendimin tim, subvencioni duhet të jetë, jo vetëm për një grup të caktuar fermerësh, por duhet të jetë më gjithëpërfshirës. Jo një sektor të jetë mirë, dhe një tjetër të fundoset. ”

Tarifat po i marrin frymë agropërpunuesve

Të pakënaqur me autoritetet janë dhe bizneset e tjera të kësaj dege. Alban Zusi numëron një sërë tarifash të cilat sipas tij po ia marrin frymën sipërmarrësve të produkteve ushqimore. “Bizneset agroushqimore për çdo certifikatë, qofshin biznese prodhuese, qofshin eksportuese, duhet të bëjnë përkthim dhe noterizim të certifikatës veterinare, gjë që nuk ndodh në asnjë vend të botës. Kjo tarifë për biznese të caktuara shkon edhe 1 milion ose 1.5 milion lekë në muaj (të vjetra), e dyta është tarifa e skanimit në dogana, veçanërisht për eksportuesit, e cila është totalisht pa sens. Të tarifosh me kosto skanimi gështenjat që shiten nga Shqipëria për shembull!” thotë Zusi. Ai shkon më tej duke akuzuar autoritetet se nuk kanë zgjidhur ende problemin e tarifimit të energjisë elektrike. “Ajo që po e vret masivisht biznesin e agroindustrisë është çmimi i energjisë elektrike, ku padrejtësisht, edhe pse ky biznes furnizohet në tension të mesëm, në vend që të faturohen me 11 lek/këh faturohen me 16.8 lekë/ këh. Kjo është një kosto energjie 28% më e lartë vetëm nga OSHEE. Ka shumë sipërmarrës që e kanë çuar këtë çështje në gjyq pasi për ndërmarrje të caktuara kjo pagesë e padrejtë shkon në 7-8 mijë euro në muaj. Bizneset ushqimore janë shumë të lidhura me energjinë elektrike për shkak të frigoriferëve, furrave, ambienteve ruajtëse dhe përpunuese.” sqaron ai.

Pakënaqësitë dhe vështirësitë në klimën e të bërit biznes për këtë degë të ekonomisë shqiptare janë edhe për barrierat e pushtetit lokal. Alban Zusi përmend një sërë taksash të cilat në 2016-ën sollën kosto të mëdha për këtë sektor. “Tarifa të tjera janë tarifat e pushtetit lokal. Një zyrë teknologu prodhimi në autostradë duhet të paguajë taksë për metër katrorë të barabartë me një zyrë avokati 20 m2 në qendër të Tiranës. Pagesa të tjera të tjera lokale janë edhe tarifa e infrastrukturës për ndërtimin e objekteve të veprimtarisë prodhuese, që shpesh herë arrin edhe në 20% të vlerës të ndërtimit. Mund të përmend këtu rastet e ndërtimit të stallave, fermave. Këto lloj objektesh kanë kosto të ulët ndërtimi, ndërsa tarifa për taksën e infrastrukturës llogaritet mbi çmimin dysheme të ndërtimit të pallateve në qendër të qytetit.”

Goditja e formalizimit

Për Enver Ferizaj, agroindustria dhe në veçanti fermeri, ka marrë një goditje gjatë viteve të fundit. Ai e sheh këtë në politikat e formalizimit të këtij sektori të cilat sollën humbje më të mëdha për fermerin duke e bërë atë pre të grumbulluesit dhe duke e trembur nga investimi në produkte bujqësore. “Nuk mundesh dot që brenda një viti, me shkopin magjik të formalizosh një sektor që për vite ka qenë joformal. Është shumë e vështirë që fermeri të përshatet me politika të cilat në thelb të tyre kanë burokraci. Për fshatarin e thjeshtë që prodhon diçka dhe e çon atë te pika e grumbullimit pjesa më e vështirë janë dokumentet që duhet të plotësojë. Për mendimin tim duhen krijuar lehtësi në procedurat e fermerëve, në reduktimin e kostove administrative në mënyrë që ky sektor të njohë rritje dhe fuqizim.” shprehet Ferizaj.

Por ka edhe nga ata sipërmarrës të cilët kanë zgjidhur disa probleme të vjetra me autoritetet shtetërore. Kërkesat për regjistrimin e rregullt të tokës për biznesin e bimëve aromatike medicinale tashmë kanë marrë fund. Ky biznes i cili për shkak të vetë natyrës së punës që ka, ku i nevojiten sipërfaqe të mëdha toke, sot nuk kërkon as rishikim të nivelit të taksës së pasurisë. “Ne nuk kemi kërkesa për lehtësi në taksa. Ka pasur një lëvizje pozitive për regjistrimin e pronave që ishte problem më parë, dhe tashmë pas lejimit të ndërtimit sërish në zona të ndryshme të Shqipërisë nuk kemi problemet e mëparshme.” thotë Xhavit Hysenaj.

Nëse nuk do të ketë lehtësi fiskale, shumica e bizneseve që operojnë në fushën e agroindustrisë paralajmërojnë rënie dhe të numrit të të punësuarve. “Nuk kemi pritshmëri për shtim të vendeve të reja të punës. Ka disa arsye: kemi kosto të shtuara për bizneset agropërpunuese për shkaqet tarifore dhe ato të formalizimit, të pashoqëruara me lehtësi fiskale, siç mund të jetë ulja e TVSH-së për produktet ushqimore siç është në shumicën e vendeve të botës, që nuk është më shumë se 5 deri në 6%. Këto dy fenomene kanë thithur burimet e financimit që mund të përdoreshin për shtim të investimeve dhe rritje të vendeve të punës në sektor,” shpjegon Zusi.

4A do ketë vende pune të reja?

Xhavit Hysenaj thotë se hapja e vendeve të reja të punës për 2017-ën në sektorin e bimëve medicinale do të vazhdojë. Ai lajmëron edhe një shtim të investimeve për këtë biznes. Kjo lidhet me faktin se gjithnjë e më shumë fitimet për këtë industri janë më të mëdha nëse bima përpunohet në thellësi. Në këtë mënyrë kërkohen më shumë punëtorë pa të cilët nuk mund të ndodhë rritja e prodhimit. “Në kompaninë time por dhe në përgjithësi për sektorin tonë, presim rritje me 15% të vendeve të reja të punës.” Ai sqaron më tej se dhe kursi i këmbimit favorizon këtë industri këtë vit, pasi këmbimet e mallrave të bimëve medicinale kryesisht bëhen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Këtë vit jemi të favorizuar edhe nga kursi i këmbimit, duke qenë se kemi kryesisht eksporte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, megjithatë ai nuk është bazë themeli për ecurinë e sektorit tonë.” thotë Hysenaj.

E kundërta do të ndodhë me pjesën më dërrmuese të eksportuesve agropërpunues. Kursi i këmbimit nuk do të penalizojë vetëm bizneset që tregtojnë me vendet e Bashkimit Europian, por edhe vetë ato që prodhojnë për tregun shqiptar. Kjo do të frenojë investimet e reja për këtë vit. “Presim penalizim të bizneseve eksportuese nga rënia e euros. Bizneset eksportues në këtë moment kanë një rënie në nivelin 4% të të ardhurave të tyre, ose e përkthyer në rënie mbi fitimin neto të tyre, mund të themi se fitimi i kësaj kategorie ka rënë me të paktën 20-25%. Automatikisht kjo rënie e fitimit për shkak të kursit të këmbimit me dobësimin e euros do të përkthehet në tkurrje të investimeve. Edhe bizneset agropërpunuese vendase që prodhojnë për tregun vendas do të shoqërohen po ashtu me ulje të fitimit për shkak të konkurrencës që do t’i vijë po për këtë arsye, për shkak të rënies së euros. Një produkt, një litër qumësht për shembull që kushton 1 euro në 2015–n dhe 1 euro në 2017-n, në 2015-n ai shitej me 140 lekë, tani do të shitet me 135 lekë. Automatikisht prodhuesi vendas i qumështit duhet të ulë çmimin me 5 lekë për ta konkurruar produktin e importit. Por kostot për prodhuesin vendas nuk ulen për asnjë aspekt, nuk ulet as kostoja e blerjes së qumështit, as kostoja e energjisë, as kostoja e fuqisë punëtore… rrjedhimisht ky 5 lekë për një njësi, do të hiqet nga fitimi që mund të përdorej për investime”, sqaron kreu i Shoqatës Shqiptare të Industrive Ushqimore.
Shtimi i vendeve të reja të punës nuk ka për të ndodhur edhe për një tjetër fenomen që shpjegon kjo industri: tkurrja e konsumit të mallrave të shportës. “Nuk parashikohet shtim i vendeve të reja të punës edhe për një fenomen tjetër që po haste mes përpunuesve dhe agroinvestuesve : ka rënie të fuqisë blerëse për shkak të mungesës së rënies së likuiditetit në duart e qytetarëve. Ka rënie të konsumit sidomos për produktet bazë të shportës. Nuk parashikojmë as rritje të xhiros dhe as të fitimeve. Do të jetë njësoj si 2016–ta. Nëse nuk ka masa specifike për të ulur koston e rritur artificialisht të produkteve të industrisë sonë, atëherë nuk mund të presim rritje të volumit të prodhimit.” nënvizon Zusi.
“Do të ketë rritje të kërkesës për kultivimin e sherebelës dhe ne do të përpiqemi të bëhemi të konkurrueshëm në rajon, por kemi marrë dhe mbështetje me kredi të buta për pjesën e teknologjisë. Tashmë jemi në standardet bashkëkohore të tregjeve europiane dhe amerikane. Ne presim rritje të shitjeve gjatë vitit të ardhshëm. Sa i përket kredisë nga bankat nuk kemi pritshmëri pozitive. Shkak për këtë janë burokracitë e shumta që ato kanë. Ne me fitimin tonë kemi parashikuar për këtë vit investime të reja.” thotë Xhavit Hysenaj.
“Sot mund të themi që 50% e zonave rurale jetojnë me bujqësi, dhe për to nëse do të ketë apo jo rritje e prodhimit nuk është shumë e rëndësishme. E rëndësishme është se sa leverdi kanë ata nga prodhimi kur e shesin. Ne në Shqipëri kemi fenomenin e mbetjes stok të produkteve bujqësore, ose e rënies së çmimit nën kosto. Kjo sigurisht që është një reduktim i volumit të punës që një fermer mund të ketë për vitin e ardhshëm. Ne duhet të bëjmë politika pro mbrojtjes së prodhimit vendas, të orientohemi në cilësi dhe të mos diskutohet mbijetesa e një pjese të madhe të popullsisë që jeton me bujqësi e blegtori.” thotë Enver Ferizaj.

Kërkesat e sektorit

Por cilat janë kërkesat e Shoqatës Shqiptare të Industrive Ushqimore për autoritetet? “ Për vitin 2017-të janë një sërë gjërash ne kërkojmë që të na ndihmojmë në klimën e të bërit biznes. E para është heqja e barrës financiare që i shkaktohen padrejtësisht këtij sektori për shkak të shërbimeve apo tarifave të ngarkuara në mënyrë të paarsyeshme dhe të ndryshme nga konkurrenca jonë në rajon dhe Europë. Ne presim hapjen e eksportit për të gjitha eksportet shqiptare, veçanërisht për produktet me origjinë blegtorale: mish dhe nënprodukte të qumështit. Kanë 25 vjet që nuk lejohet eksporti i këtyre produkteve. Shqipëria nuk eksporton dot qoftë edhe 1 kg mish as në Kosovë. Shkaku kryesor për mua është dështimi total i ministrisë së Bujqësisë dhe strukturave të saj për ta zgjidhur këtë problem. Nuk është problem i industrisë vendase, ato janë të certifikuara, të akredituara dhe prodhojnë produkte me standarde, por institucionet publike shqiptare janë të pabesueshme për institucionet e Brukselit për të lëshuar certifikatën e sigurisë ushqimore dhe certifikatën veterinare për këto produkte.” shprehet Zusi. Megjithatë ai shpreson për një përmirësim të eksporteve për disa kategori. “Ka një lloj pritshmërie për rritje të eksporteve të produkteve tona që janë të eksportueshme, me destinacion vendet e rajonit dhe në ato të Europës Lindore. Edhe pse me rritje krahasuar me 2016-n, presim një ulje të ritmit të rritjes së tyre, sepse fatkeqësisht eksporti ka dy faktorë: eksporti i fruta – perimeve gjatë vitit të kaluar pësoi disa goditje dhe disa operatorë në tregun vendas janë të lëkundur për të vazhduar. Madje kemi dhe kompani që janë tërhequr. Tjetra është mungesa e kuadrit rregullator publik të tregtisë së këtij sektori. Mungon një ligj që të rregullojë marrëdhënien mes fermerit prodhues, tregtarit grumbullues dhe eksportues për të ndërtuar një marrëveshje dhe kontratë paraprake dhe kjo ka bërë që të dyja të dalin me humbje vitin që shkoi dhe shihet në të dy palët një tërheqje. Fermerët janë trembur për shkak të kthimeve mbrapsht të produkteve shqiptare sidomos me Maqedoninë. Këtë problem nuk e ka zgjidhur, madje më saktë ka dështuar për ta zgjidhur qeveria shqiptare. Ata zakonisht ose i kthejnë mbrapsht produktet tona, ose i nxjerrin analiza për produktet shqiptare sikur nuk janë brenda standardeve duke dëmtuar edhe reputacionin e tyre. Gjatë vitit 2016-të ka pasur një rënie të reputacionit të produkteve shqiptare në tregjet ku ato tregtohen.” përfundon Aban Zusi. /Monitor/

Lajme të lidhura

AKTUALITET

Foto/ Votuesi lë shënimin epik mbi fletën e votimit: Forca Real Madrid

11:21 : 13/05/2025
AKTUALITET

Përfundon numërimi në Vlorë dhe Berat, sa është diferenca e fitoreve të PS-së

11:11 : 13/05/2025
AKTUALITET

Përfshihet nga flakët një banesë, ja çfarë dyshohet

11:05 : 13/05/2025
AKTUALITET

Përfundon numërimi në Korçë, PS fiton me rreth 21 mijë vota diferencë

10:42 : 13/05/2025
AKTUALITET

Putini ynë

10:40 : 13/05/2025
BOTA

SHBA-ja heq mbrojtjen e përkohshme për mijëra afganë

10:37 : 13/05/2025
Para

Le Pen: Pas “Brexit” dhe Trump, Evropa do të rizgjohet

TË GJITHA

Foto/ Votuesi lë shënimin epik mbi fletën e votimit: Forca Real Madrid

11:21 : 13/05/2025

Përfundon numërimi në Vlorë dhe Berat, sa është diferenca e fitoreve të PS-së

11:11 : 13/05/2025

Përfshihet nga flakët një banesë, ja çfarë dyshohet

11:05 : 13/05/2025

Përfundon numërimi në Korçë, PS fiton me rreth 21 mijë vota diferencë

10:42 : 13/05/2025

Putini ynë

10:40 : 13/05/2025

SHBA-ja heq mbrojtjen e përkohshme për mijëra afganë

10:37 : 13/05/2025

Plagoset me armë zjarri 37-vjeçari në Lushnjë, arrestohet bashkë me të vëllain dhe shokun për mashtrim

10:30 : 13/05/2025


RRETH NESH

Boldnews.al mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.
Na kontakto: [email protected]

NA NDIQ

  • Kontakt

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com

  • KRYESORE
  • INVESTIGIME
  • OP-ED
  • VETTING
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • SPORT
    • Euro 2024
  • TE TJERA
    • PRIVACY POLICY
    • KONTAKT
    • EKONOMI
    • SHENDETI
    • SHOW BIZ
    • KULTURE
    • POLITIKE
    • KRONIKE
    • TEKNOLOGJI
    • VIDEOT KRYESORE TE DITES
    • VIDEO
    • BOLD BLOG
    • FOTOGRAFI
    • HOROSKOPI
    • NDRYSHE
    • RAJONI
    • BOTA
    • SOCIALE
  • ZGJEDHJE 2025

2025 Boldnews Dev By Techzero1.com