Genc Tafili (Tafilaj) është arrestuar në Gjermani pas shpalljes në kërkim nga autoritetet shqiptare.
Genc Tafili është dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Lartë për vrasjen e komisarit të policisë Arben Zylyftari në vitin 2000. Në vitin 2018, me një vendim të gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha, ai u lirua me kusht, rreth 6 vite para afatit të përfundimit të dënimit.
Vendimi i shkallës së parë u rrëzua nga Gjykata e Apelit Tiranë, që më 27 Maj 2021 vendosi rikthimin e tij në qeli.
Megjithatë, Genc Tafili u largua nga vendi dhe sipas raportimeve ai u arrestua në aeroportin e Frankfurtit teksa po tentonte të shkonte në Stamboll, më 31 dhjetor 2021.
Arrestimi
“Si rezultat i shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, Gjermani, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në Gjermani, me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, i shtetasit Genc Tafilaj, 43 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi në maj të vitit 2021, Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur kthimin në burg të këtij shtetasi, për të vuajtur dënimin e mbetur prej 6 vitesh, për vrasje, njoftoi policia.
“Shtetasi Genc Tafilaj është dënuar nga Gjykata e Lartë, në vitin 2002, me 25 vjet burgim dhe pasi ka vuajtur një pjesë të dënimit, Gjykata e Rrethit Krujë, në vitin 2017, ka vendosur ta lirojë me kusht. Më datë 02.08.2000, në Shkodër, shtetasi Genc Tafilaj, në bashkëpunim me babain e tij, ka vrarë me armë zjarri Drejtorin e Drejtorisë së Policisë Shkodër të asaj kohe, Arben Zylyftari. Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese, vijon punën për plotësimin e dokumentacionit, me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi në Shqipëri, për të kryer pjesën e mbetur të dënimit”, shtuan të njëjtat burime.
Lexo edhe: