Kancelari gjerman Olaf Scholz dëshiron të rivendosë marrëdhëniet me Moskën dhe po planifikon një takim me udhëheqësin rus Vladimir Putin më vonë këtë muaj.
Zyrtarët e lartë gjermanë tashmë kanë planifikuar takimet me homologët rusë në janar në një përpjekje për të lehtësuar tensionet gjeopolitike mes alarmit në rritje se Kremlini po planifikon një sulm ushtarak kundër Ukrainës.
Sipas një raporti të së hënës nga gazeta gjermane Bild, këshilltari gjerman për politikën e jashtme Jens Plotner ka diskutuar me Kremlinin një takim midis udhëheqësit gjerman dhe atij rus për më shumë se dy javë. Gazeta, e cila ka një reputacion për të nxjerrjen e lajmeve të brendshme politike gjermane përpara rivalëve të saj mediatik, raportoi se Scholz po kërkon “një fillim të ri” në marrëdhëniet me Moskën dhe dëshiron të fokusohet në politikat e energjisë dhe Ukrainën.
Bisedimet SHBA-Rusi
Zyrtarë të lartë amerikanë dhe rusë do të zhvillojnë bisedime në Gjenevë më 9 dhe 10 janar mbi përqëndrimin e trupave ushtarake të Rusisë në kufirin e saj me Ukrainën, ku, sipas zyrtarëve të inteligjencës perëndimore dhe ukrainase, ndodhen rreth 100,000 ushtarë rusë.
Udhëheqësit dhe zyrtarët perëndimorë kanë refuzuar tashmë përfshirjen në bisedime të kërkesës ruse për ndalimin e zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s dhe reduktimin e pranisë ushtarake të aleancës në ish-shtetet sovjetike të Evropës Qendrore.
Bisedimet e Gjenevës, të cilat nga pala amerikane do të drejtohen nga zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, janë planifikuar të pasohen nga bisedimet e këshillit Rusi-NATO dhe një takim i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE).
Udhëheqësit perëndimorë kanë paralajmëruar për pasoja të rënda nëse Kremlini vendos të kryejë një tjetër sulm ndaj Ukrainës të ngjashëm me atë të vitit 2014, kur Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë dhe përdori grupe të armatosura lokale për të pushtuar një pjesë të madhe të rajonit të Donbasit në Ukrainën lindore, në kufi me Rusinë.
Presidenti amerikan Joe Biden u tha gazetarëve të premten se ai e këshilloi homologun e tij rus Vladimir Putin kur ata folën me telefon një ditë më parë se bisedimet e ardhshme mund të funksiononin vetëm nëse udhëheqësi rus “do të zbuste tensionet”.
Zoti Biden tha se ai gjithashtu ia bëri të qartë udhëheqësit rus në bisedën e tij të dytë brenda një muaji se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë janë gati të ndëshkojnë Rusinë me sanksione të ashpra ekonomike.
“Ia bëra të qartë Presidentit Putin se nëse ai bën më shumë lëvizje në Ukrainë, ne do të vendosim sanksione të ashpra”, tha Presidenti amerikan Biden. “Ne do të rrisim praninë tonë në Evropë me aleatët e NATO-s”, shtoi ai.
Zyrtarët e Kremlinit, megjithatë, kanë përsëritur paralajmërimet për Perëndimin për një “gabim kolosal” që mund të ketë pasoja të mëdha për marrëdhëniet tashmë të tensionuara SHBA-Rusi.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Presidenti i Finlandës, Sauli Niinistö në një konferencë shtypi në Helsinki, të mbajtur më 25 tetor të vitit 2021. Shqetësim për veprimet e Rusisë mes disa vendeve të vogla evropiane
Por pavarësisht fjalëve të ashpra nga Uashingtoni, ka shqetësime midis vendeve më të vogla evropiane, të cilat kanë frikë se fuqitë më të mëdha perëndimore mund të përpiqen të arrijnë një marrëveshje me Moskën pa praninë e tyre.
Presidenti finlandez Sauli Niinistö po kërkon që të gjitha vendet evropiane, pavarësisht nëse janë anëtarë të aleancës perëndimore apo jo, të përfshihen në negociatat e sigurisë midis Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.
Zoti Niinistö ka përsëritur të drejtën e vendit të tij për t’u anëtarësuar në NATO nëse dëshiron, një refuzim i prerë i kërkesës ruse që NATO të mos pranojë anëtarë të rinj.
“Hapësira e manovrimit të Finlandës dhe liria e zgjedhjes përfshijnë gjithashtu mundësinë e rreshtimit ushtarak dhe të aplikimit për anëtarësim në NATO, nëse ne vetë duam të vendosim kështu”, tha
Presidenti Niinistö në një fjalim të fortë para vendit me rastin e Vitit të Ri.
Ai tha se ultimatumet e Rusisë “janë në konflikt me rendin evropian të sigurisë” dhe ai dëshiron një rol të rëndësishëm për Bashkimin Evropian në çdo negociatë për të ndihmuar në shprehjen e nevojave të sigurisë dhe pikëpamjeve të vendeve më të vogla.
“Në këtë situatë, Evropa nuk mund vetëm dëgjojë shqetësimet tona”, tha Presidenti Niinistö. “Sovraniteti i disa vendeve anëtare, si ai i Suedisë dhe Finlandës, është sfiduar nga vende jashtë Bashkimit Evropian. Kjo e bën BE-në një palë të përfshirë. BE-ja nuk duhet të jetë e kënaqur vetëm me rolin e një koordinatori teknik të sanksioneve”, shtoi ai.
Shqetësimet e Gjermanisë
Fjalimi i kancelarit gjerman Olaf Scholz-it para vendit me rastin e Vitit të Ri ishte më i butë dhe ndërsa ai paralajmëroi për një përgjigje ndëshkuese perëndimore ndaj çdo agresioni të mëtejshëm rus mbi Ukrainën, ai theksoi rëndësinë e “dialogut konstruktiv” me Rusinë.
Kancelari gjermane ka qenë nën presionin e aleatëve dhe anëtarëve të qeverisë së tij të koalicionit, duke përfshirë Ministren e Jashtme Annalena Baerbock, udhëheqëse e Partisë së Gjelbër të vendit, për të ndaluar çdo miratim zyrtar të tranportit të gazit natyror rus përmes gazsjellësit nënujor Nord Stream 2, të sapopërfunduar që lidh Rusinë dhe Gjermaninë.
Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore kritikuan ish-kancelaren Angela Merkel për mbështetjen e saj që ajo i dha projektit Nord Stream 2. Ata thonë se ky gazsjellës rrezikon të thellojë varësinë evropiane ndaj gazit rus. Muajin e kaluar, kryeministri i Polonisë i bëri thirrje publikisht kancelarit Scholz që të kundërshtojë fillimin e punës së gazsjellësit Nord Stream 2, duke paralajmëruar se ai mund të përdoret si një armë ekonomike shtrënguese nga Rusia.
Përveç taktikave që duhen përdorur kundër Rusisë, vazhdon të ketë mosmarrëveshje mes fuqive perëndimore edhe lidhur me vlerësimin e synimeve të udhëheqësit rus Vladimir Putin. Kryeministri italian Mario Draghi ka minimizuar rrezikun e veprimit ushtarak rus, duke thënë se Kremlini dëshiron të eksplorojë diplomacinë dhe nuk po përgatitet “për veprim”.
Disa zyrtarë italianë thonë se kanë frikë se biseda për një luftë të afërt mund të marrë një jetë më vete, duke ndikuar dhe formuar sjelljet e Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ata gjithashtu theksojnë projekt-traktatet e sigurisë që Rusia ia paraqiti Shteteve të Bashkuara javën e kaluar, si tregues të një gatishmërie për bisedime të mëtejshme. /VOA