Nga Andreas Kluth
Ju mund të njihni dikë që mund të jetë stoik, epikurian, skeptik apo cinik. Këto 4 katër mbiemra përfaqësojnë disa shkurtore filozofike dhe psikologjike për të përballuar një botë konfuze dhe zhgënjyese, madje dhe frustuese, ashtu siç bënë kur hynë në përdorim më shumë se 2 mijë vite më parë.
Në fillim këto terma u shfaqën në një kohë e cila në aspektin psikologjik ishte shumë e ngjashme me tonën. Bëhet fjalë për të ashtuquajturën periudhë helenistike apo “greke”, që zgjati rreth 3 shekuj, nga Aleksandri i Madh që vdiq në vitin 323 Para Krishtit, deri në kohën e perandori romak August.
Ajo ishte koha e ndryshimeve të shpejta, eksperimentimeve artistike dhe kozmopolitanzmit; por edhe e rraskapitjes, dekadencës dhe pesimizmit. Qe një epokë kur demokracia dukej në tërheqje dhe perandoritë në përparim. Pjesëmarrja në jetën publike dukej ose e pakuptimtë dhe e rrezikshme, ose në të kundërt më e domosdoshme se kurrë.
Por ishte edhe koha kur njerëzit nga bota greke deri në Jude dhe Indi, nisën t’i bënin vetes të njëjtat pyetje që kemi sot:Si duhet të veproj, duke pasur parasysh këtë kaos përreth meje? Ku ta gjej kënaqësinë? Si ta shmang dhimbjen? Çfarë ka rëndësi në fund të fundit?
Qendra kryesore e filozofisë ishte Athina. Ajo kishte humbur një luftë kundër Spartës dhe një tjetër kundër Filipit II të Maqedonisë, dhe nuk ishte më aq e pavarur, demokratike apo heroike sa kishte qenë një shekull më parë. Tre filozofët e saj më të mëdhenj – Sokrati, Platoni dhe Aristoteli -kishin vdekur. Trashëgimia e tyre dukej shumë madhe, por një brez i ri mendimtarësh ishte gati për të ecur përpara.
Këtu përfshiheshin personazhe poliedrikë si Pirroja, që e shoqëroi Aleksandrin në fushatën e tij në Indi. Atje, ai u takua me gjimnozofistët, që në greqisht do të thotë “burra të urtë të zhveshur”, ose ata që tani i njohim si mjeshtrat e Jogës. Ata gjithashtu mund të kenë qenë budistë të hershëm, dhe mjeshtri i të cilëve Sidharta Gautama Buda, kishte vdekur ndoshta vetëm 1 shekull më parë.
I ndikuar nga të gjithë, nga Sokrati e deri tek këta indianë, Pirro e kuptoi se ne nuk mund të dimë asgjë me siguri. Por në vend se të dëshpërohej për këtë gjë, ai mendonte se ajo ofron të vetmen rrugëdalje nga mjerimi. Është padyshim më mirë të frenosh gjykimin e nxituar, dhe për këtë mjafton të mendoni për teoritë e sotme të konspiracionit.
Pra, Pirroja dhe ndjekësit e tij shijuan në mënyrë aktive ironitë dhe kontradiktat që vijnë nga “njohuria”e rreme. Siç kishin bërë më herët Sokrati dhe Jogistët, dhe siç do të bënin më vonë budistët Zen në Japoni, Pirronistët krijuan enkas disa paradokse, për të dalë nga mjegulla jonë mendore, dhe për të na ofruar qetësinë. Kësisoj ata u bënë skeptikë, pra ishin njerëz që kërkonin gjithmonë të vërtetën, por që nuk e gjetën asnjëherë atë.
Nëse ky skepticizëm i hershëm ishte më shumë një qëndrim sesa një dogmë, po kështu ishte edhe cinizmi, i cili u zhvillua në të njëjtën kohë. Përkrahësi im i preferuar i saj ishte Diogjeni.
Ashtu si jogistët në Indi, Diogjeni dëshironte të ishte i lirë nga shqetësimet materiale dhe nga ndërlikimet dhe kotësitë e normave shoqërore.
Ndaj ai jetonte gjysmë i zhveshur brenda një fuçie, jashtëqiste në publik dhe në përgjithësi sillej po aq spontanisht sa edhe qentë rreth tij. Në këtë kuptim, ai u bë një kynikos – si qeni – ose cinik. Ju mund ta imagjinoni atë sot si një hipi radikal apo një asket.
Ai u zhvesh edhe nga përkatësi të tjera mendore me të cilat kënaqen zakonisht njerëzit. Dhe një ndër to ishte kombësia. Unë jam një “qytetar i botës”, një kozmopolit, i thoshte ai cilitdo që e pyeste. Nga këtu buron dhe kozmopolitizmi ynë. Thuhet se në një rast Aleksandri i Madh shkoi ta takojë personalisht filozofin e nderuar.
“Vetëm fol dhe do të të plotësoj çdo dëshirë”- i tha pushtuesi i madh qenit njeri të ulur pranë fuçisë së tij. “Faleminderit. Në këtë rast, spostohu pak mënjanë se më ke zënë rrezet e Diellit”-iu përgjigj Diogjeni. “Nëse nuk do të isha Aleksandri, do të dëshiroja të isha Diogjeni”- thuhet të jetë shprehur më vonë Mbreti i Maqedonisë dhe Persisë, Faraoni i Egjiptit dhe Zoti i Azisë.
Ndërkohë një burrë i quajtur Epikur, jetonte dhe punonte kryesisht për vete, ndërsa kujdesej për kopshtin e tij. Ai besonte se e gjithë natyra, përfshirë edhe ne njerëzit, është e përbërë nga atome të pa shkatërrueshme, diçka që e ka konfirmuar shkenca moderne.
Sipas tij,për ne si shpirtra nuk ka jetë të përtejme, por vetëm për ato atome të cilat do të ribashkohen në një formë tjetër. Atëherë, si duhet të përballemi me gjithë këtë vuajtje ndërsa atomet tona janë në strukturën e tyre aktuale?
Sigurisht duke reduktuar dhimbjen, dhe duke maksimizuar kënaqësinë. Por kujdes! Epikuri e përcaktoi kënaqësinë dhe dhimbjen kryesisht sipas qasjes që bëjnë budistët. Nëse konsumoni ushqim dhe pije alkoolike apo e teproni me epshin tuaj, do të keni së shpejti probleme më të mëdha, dhe do ta përgatisni terrenin për vuajtjet tuaja të ardhshme.
Pra çelësi është moderimi, dhe në fakt abstenimi. Kënaqësia epikuriane ka të bëjë më shumë me zhvillimin e një bisede të këndshme me miqtë në oborrin e shtëpisë suaj, me jo më shumë se sa disa ëmbëlsira elbi dhe ujë. Për Epikurin ashtu si për Pirron, Diogjenin apo Budistët, synimi i vërtetë i jetës nuk ishte pra hedonizmi (qejfi), por qetësia shpirtërore.
Por kjo nënkuptonte gjithashtu, sidomos për epikurianët, një tërheqje nga bota në një sferë të brendshme dhe private.
Një burrë i quajtur Zenon reagoi kundër kësaj qasjeje. Ashtu si të tjerët, ai donte të kapërcente kulturën materiale, t’i mbante gjërat e thjeshta dhe të qëndronte i qetë. Por për Zenonin kjo nuk nënkuptonte tërheqje por angazhim, jo izolim por pjesëmarrje aktive. Zenoni mendonte se çelësi ishte virtyti, dhe më pas ruajtja e tij gjatë kryerjes së detyrës, martesa, vullnetarizmi, regjistrimi, kandidimi për poste të larta e kështu me radhë.
Meqenëse kjo lloj pjesëmarrje – në thelb politika – do t’ju futë në telashe të pashmangshme, Zenoni theksonte se mënyra e duhur për të ruajtur virtytin dhe për të përballuar pasojat ishte auto-disiplina e trupit dhe mendjes. Qetësia që ai predikoi kishte gjithashtu një analogji me filozofinë lindore. Dhe për shkak se Zenoni i zhvilloi këto mendime në tregun e Athinës ndërsa ecte me miqtë nëpër një stoa – një portik me kolona – filozofia e tij u bë e njohur si stoicizëm.
Në përdorimin aktual, në ditët e sotme skeptikët rreshtohen zakonisht kundër shumicës. Stoikët mund të duken të guximshëm por edhe mizorë, të pakujdesshëm dhe pasivë. Cinikët janë zakonisht njerëz inatçorë. Epikurianët janë në rastin më të mirë snobë. Gjithsesi filozofët e lashtë meritojnë një vend më të mirë, pasi kanë ende shumë për të na thënë.
/ “Bloomberg” – Bota.al /