Nga BoldNews.al
Rreth 540 punonjës të kompanisë të kompanisë call-center “Albacall” kanë marrë një dhuratë shumë të hidhur në vigjilje të vitit të ri.
Në fillim të Janarit 2022 ata do të mbeten të papunë.
Dy shkresa të nënshkruara nga administratorja e kompanisë, Ines Muçostepja, njofton se atyre do t’u ndërpriten marrëdhëniet e punës, për shkak të pamundësisë financiare.
Në 3 Dhjetor 2021, Muçostepa ka nënshkruar një shkresë, në bazë të të cilës është vendosur që tre të katërtat e stafit në total prej 730 punonjësish do të jenë pjesë e asaj që konsiderohet “shkarkim kolektiv”.
Sipas Muçostepës, “aktualisht, kompania Albacall po ndeshet me volume tepër të ulta pune, për shkak të humbjes së klientëve ose/dhe uljes së numrit të orëve të punës për klientë e tjerë. Për pasojë, në kushtet kur ka të ardhura shumë të ulta, ndërsa kostot fikse mbeten të larta, këto rrethana kanë çuar në një situatë financiare të papërballueshme për shoqërinë”.
Dështimi i kompanisë
Kompania “Albacall” operon në fushën e call-center në Shqipëri që prej vitit 2009. Ajo është në pronësi të shoqërisë italiane “Abramo Costumer Care”, e cila ka filiale të ngjashme në disa vende të botës.
Kompania administrohet në vendin tonë prej krijimit të saj nga Ines Muçostepa. Zonja Muçostepa është njëkohësisht edhe kryetare e Bashkimit të Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë.
Zonja Muçostepa u riemërua në krye të Bashkimit të Dhomave për një mandat 4-vjeçar në një proces të zhvilluar në fund të Korrikut 2019.
Procesi i zgjedhjes së kryetares së kësaj strukture u shoqërua me dyshime për ndërhyrje politike.
Ines Muçostepa njihet si person i afërt me kryeministrin Edi Rama.
Eksponenti i rëndësishëm i Partisë Demokratike në opozitë, Edmond Spaho, e konsideroi zgjedhjen e Muçostepës në atë kohë si “një hap i kryeministrit Rama për të kapur biznesin”.
Kompania “Albacall” e administruar nga Ines Muçostepa rezulton me fitim deri në fund të vitit 2020, referuar bilanceve të dorëzuara në administratën tatimore.
Në fund të vitit të kaluar, kompania ka arritur të fitojë mbi 90 milionë lekë të reja ose rreth 800 mijë euro, të cilat ka vendosur t’i shpenzojë për rritjen e investimeve.
Por, vetëm disa muaj më vonë, “Albacall” njofton se është në vështirësi financiare e për këtë arsye ka vendosur të shkurtojë në mënyrë drastike më shumë se gjysmën e stafit.
Shkarkime masive nga puna
Shkarkimi kolektiv nga puna, i parashikuar nga kompania “Albcall”, përbën një prej goditjeve më të rënda në sektorin privat.
Fillimisht, administratorja e kompanisë, Muçostepa, në një shkresë të datës 3 Dhjetor 2021, njoftoi shkarkimin e 188 punonjësve.
Por, në një komunikim të dytë via e-mail, numrit i shkarkimeve kolektive mbërriti në 352 punonjës.
“Me shkresën e datës 3 dhjetor 2021, shoqëria ka njoftuar fillimin e procedurave të pushimit kolektiv një numër prej 188 punonjësish. Me anë të kësaj shkrese, Shoqëria njofton se do të pushojë një numër shtesë prej 352 punonjësish”, jep kumtin aspak pozitiv administratorja Muçostepa.
Në shkresë, njoftohet gjithashtu se punonjësit që do të humbasin vendin e punës do të thirren personalisht brenda 30 ditëve për t’iu komunikuar pushimi nga puna.