Kryeministri Edi Rama u shpreh i gatshëm që të shkojë në prokurori për të dhënë versionin e tij të asaj që ka ndodhur me nxjerrjen e të dhënave të listës së pagave për mbi 630 mijë qytetarëve shqiptarë dhe ku dyshon.
“Unë e kam një opinion shumë të qartë, nëse prokuroria ka dëshirë ta dëgjojë opinionin tim, jam gati t’ia them, nuk e them publikisht se nuk dua të bëj politikë. Unë e kam shumë të qartë se përse mund t’ju duhen pagat atyre që kanë hedhur në treg databazën e patronazhistëve. Është një farsë e orkestruar nga ata që i kanë përdorur këto të dhëna për veten e tyre dhe ua kanë hedhur patronazhistëve për t’i akuzuar”, tha Rama.
Por a është ky një sulm politik, sipas Kryeministrit?
Rama tha se politik, jo politik, kjo nuk ka asnjë vlerë tani, qytetarët që janë të sëkëlldisur dhe duhet të dinë si mund të kenë ndodhur dhe pse nuk duhet të jenë të shqetësuar për integritetin tërësor të të dhënave të tyre.
“Përdorimi politik i kësaj ngjarje është në sytë e të gjithëve. Unë kam edhe një ide përse nuk është përdorur publikisht deri kur kanë mbaruar zgjedhjet dhe pse po përdoret tani.
Që është për të krijuar konfuzion dhe nxitur armiqësi mes njerëzve dhe nesh, kjo është shumë e qartë. Por t’ju bësh këtë njerëzve për të nxjerrë brazën nga çelësi, çelësin nga brava apo që je bërë xheloz që ke mbetur jashtë bravës dhe çelësin dhe hedh gurin që të mos merret njeri me bravën dhe çelësit është një mundësi për t’u treguar njerëzve deri ku mund të shkojnë bravaxhinjtë dhe çelësaxhinjtë. Ne na duhet të sqarojmë opinionin se nuk bëhet fjalë infiltrimin në sistemin tërësor”, tha ai.
Rama përjashtoi mundësinë e dorëheqjeve nga drejtues të institucioneve, përfshi edhe Drejtoreshën e AKSH, pas publikimit të skandalit.
“Që të jemi shumë të qartë, SHBA-së i dolën në rrugë të gjitha sekretet, nuk di të ketë pasur ndonjë dorëheqje. Kështu që tjetër është kur gjërat ndodhin si rezultat i një dështimi të sistemit ose si rezultat i një vepre sikur ishte rasti i të ndjerit Klodian Rasha dhe komplet tjetër kur gjendemi përpara sulmeve.
Dhe në të gjitha rastet, ka plot, as nuk ka ndodhur dhe nuk kam kërkuar t’i kërkohet ndonjërit dorëheqje, vetëm këtu është kjo dhe AKSHI nuk ka lidhje, është si t’i kërkosh dorëheqjen ministrit të Bujqësisë, sepse e-Albania nuk ka lidhje me sistemin e Tatimeve, sepse sistemi i tatimeve është tjetër dhe e-Albania është komplet tjetër” tha ai.