Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike ka dënuar dhunën që u ushtrua ndaj kryetares së Lidhjes Demokratike të Gruas, Albana Vokshi dhe anëtares së Komisionit të Rithemelimit, Evi Kokalari.
“Komisioni i Rithemelimit të PD dënon me forcë aktet e dhunës verbale e fizike ndaj zonjave anëtare të Komisionit për Rithemelimin e PD dhe zonjave Kryetare të degëve dhe anëtare të LDGSH. PD është shtëpia e lirisë së çdo demokrati. Është e turpshme të keqpërdoren gratë nga Shoqata Basha – Bardhi, si mburojë njerezore për ruajtjen e karriges. Nuk ka logore e mburoje njerezore që ta shpëtojë deputetin Basha nga vullneti i 4446 delegatëve të Kuvendit Kombëtar, Kuvendit më spektakolar në historinë e pluralizmit politik në këto 30 vjet”, thuhet në deklaratë.
“Vullneti i 4446 anëtareve të Kuvendit Kombëtar që do të konfirmohet me referendumin e 18 dhjetorit, nuk do të mund të transformohet nga orkestra e çakorduar e Shoqatës Basha – Bardhi. Skenarët me vullnetarët e Lulzim Bashës do të denoncohen para ligjit dhe gjithë shqiptarëve dhe ideatorët dhe ekzekutuesit do të mbajnë përgjegjësi ligjore dhe morale. Komisioni i Rithemelimit të PD do vijojë punën e tij në ambjentet e selisë së PD, si shtëpia e të gjithë demokratëve”, thuhet më tej në reagim.