Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj allias Tigri, ka dhënë një përgjigje gjysmake para gazetarëve dhe ka nxituar të ikë, ndërsa e kanë pyetur për arrestimin e Lefter Kokës dhe vjedhjen e miliona eurove me inceneratorët.
Ndërsa kishte dalë për të raportuar për qindarkat që qeveria Rama do të shpërndajë në festat e fundvitit për pensionistët dhe familjet në nevojë, Ahmetaj është ndeshur me një pyetje të hidhur nga gazetarët, të cilët i kanë kërkuar reagim për arrestimin e Lefter Kokës dhe shpalljen në kërkim të tre personave të tjerë të akuzuar për vjedhjen e miliona eurove përmes inceneratorëve.
Ahmetaj ka dhënë një përgjigje gjysmake duke thënë se çdokush mban përgjegjësi individuale dhe jo kolektive, duke ja lënë ‘topin’ në dorë Lefter Kokës, i cili sot ndodhet pas hekurave në pritje të vendimit të gjykatës.
Kujtojmë që afera korruptive me inceneratorët ka nisur në momentin që tigri i Ramës mori çelësat e Ministrisë së Financave duke i dhënë dritën jeshile kolegut të tij të Bujqësisë Lefter Koka që të nisë aksionin, ndërkohë që më herët Shkëlqim Cani kishte refuzuar të firmoste kontrata koncensionare për inceneratorët.
Madje Arben Ahmetaj u përfshi edhe në një aksident automobilistik në Maqedoninë e Veriut në vitin 2019-të, ku brenda makinës me të cilën ai udhëtonte ndodheshin dhe dy prej të kërkuarve sot nga policia, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
Por mesa duket përballë gazetarëve dhe pyetjeve të tyre për inceneratorët tigri i Ramës la mënjanë egërsinë që shpesh e karakterizon, dhe zgjodhi të veprojë të ikë si lepur me vrap, në mënyrë që të shmangë një sërë pyetjesh të tjera që e prisnin. /Taulant Halili/ Boldnews.al