Gjatë ditëve të fushatës për zgjedhjet e 25 Prillit, kryeministri Edi Rama u shfaq në Ballsh duke ecur përmes bulevardit kryesor, në anë të të cilit ishte hapur kanali për ujësjellësin e ri dhe parashikohej ndërtimi i shëtitores së re pedonale.
Zyrtarët lokalë i flisnin Ramës për korsinë e re të biçikletave, por në sfond shihej qyteza e lënë pas dore, me pak banorë që bënin sehir nga parvazet e kafeneve në anë të trotuareve të shqyer, ku fasadat e reklamave ngriheshin si mekanizmat e dalë boje, të një kohe që kishte ndalur.
Rilindja Urbane ishte për Ballshin si makiazh mbi një jetë të mbetur në fije të perit, gjysëm të vdekur dhe gjysëm të gjallë. Sepse në fije të perit ishte zemra e qytezës, rafineria e naftës, të cilën Edi Rama e shmangu, për të shmangur premtimet që nuk i mbante dot më gjatë fushatës elektorale.
Për vite me radhë, naftëtarët e Ballshit janë gënjyer nga drejtuesit e Partisë Socialiste, që u kishin premtuar shkëlqimin e dikurshëm të industrisë përpunuese të naftës, por ditët e fundit i kanë hapur rrugë çmontimit dhe shitjes për skrap të uzinës.
Dështimi me rafinerinë tani është i prekshëm
Për t’i mbajtur nën kontroll, punëtorëve u është premtuar një pagë minimale për dy vitet e ardhshme. Nëse pranojnë paratë, ç’kuptim ka të protestojnë? Në ndërkohë rafineria do të çmontohet dhe pajisjet do të shiten për skrap duke i dhënë fund shpresës për rimëkëmbjen e industrisë së përpunimit të naftës në Ballsh.
“… punonjesve te uzines u kemi lidhur page minimale per tre vjet, qe te kene kohe te sistemohen ne pune te tjera”, ishte komenti që bëri kryeministri Rama në rrjetet sociale. Për herë të parë, Rama u flet punëtorëve për një rrugë tjetër, që nuk lidhet më me uzinën.
Për vite me radhë ka bërë të kundërtën. Qyteti është mbajtur me shpresa të rreme për rikthimin në punë, sidomos në prag të fushatave elektorale, kur socialistëve u duhej vota e ballshiotëve.
Para zgjedhjeve të 25 Prillit 2021
Në nëntor të vitit të kaluar presioni i naftëtarëve ishte në kulm. Burrat dhe gratë që nuk kishin marrë pagat e prapambetura hynë në grevë urie. Historitë e varfërisë qenë të dhimbshme, por kryeministri arriti t’i bindë që ta ndërprenin grevën dhe të uleshin me të.
Nga takimi që pati me ta, arriti një marrëveshje.
Zgjidhja afatshkurtër ishte: pagë 40 mijë lekë neto për një vit. Në planin afatgjatë, Rama nxiti fantazinë e ballshiotëve duke u folur për mundësinë e gjetjes së një investitori tjetër për rafinerinë e naftës.
“Jemi në kontakt me 3 kompani dhe janë komopani të mëdha dhe të rëndësishme” u shpreh ai 5 muaj para zgjedhjeve, duke transmetuar sërish shpresë tek puntorët.
Socialistët fituan në 25 Prill. Tani ka nisur demontimi i uzinës që pajisjet të shiten për skrap.
Para zgjedhjeve të 25 qershorit të vitit 2017
Para zgjedhjeve të vitit 2017, qeveria arriti t’i bindë naftëtarët e Ballshit se rafineria do të funksiononte përmes një investitori që kishte dy veçori. E para, se ishte “serioz” dhe e dyta se ishte “amerikan”.
Me ndërmjetësimin e qeverisë shqiptare, në vitin 2016, banka ra dakord ta shiste rafinerinë tek kompania IRTC. Realisht, pas saj qëndronte biznesmeni shqiptar Besnik Sulaj.
Edi Rama, Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri i prezantuan atëherë si investitorë seriozë që kishin marrë përsipër shlyerjen e detyrimeve të prapambetura për naftëtarët.
“Kur ne kemi negociuar me këta investitorë, që dolën më të vendosurit dhe më seriozët për ta çuar këtë punë përpara, sepse kemi pasur gjithfarëlloj takimesh, gjithfarëlloj përpjekjesh, kushti ka qenë që ditën e parë, gjithë këtyre njerëzve siç ia premtova ju në takim, i duhen paguar rroga e prapambetur dhe duhen siguruar”,tha Rama në nëntor të vitit 2016.
Përpara ishin zgjedhjet e vitit 2017. Me rifillimin e punës, Ballshi ra në qetësi. Në qytet kishte edhe shpresë se gjërat ishin në rrugën e duhur.
Por IRTC dështoi të paguante shumën e rakorduar me bankën, sipas kontratës së shitjes. Zgjedhjet e 25 Qershorit të 2017 u fituan nga Partia Socialiste. Rafineria ndërpreu punën. Në ikje, kompania la pas pas rrogat e papaguara për më shumë se një vit dhe disa dhjetëra milionë euro taksa të papaguara.
Naftëtarët dolën në protesta. Në nëntor të vitit 2017 e morën rrugën në këmbë nga Ballshi në Tiranë. Në Ministrinë e Energjitikës gjetën derën mbyllur.
Para vitit 2013, kur socialistët nuk e kishin provuar pushtetin, premtimet qenë më patetike. Ballshiotëve u premtohej kthimi i të drejtave mbi pasuritë nëntokësore për t’ia marrë ato “një grushti kusarësh”. Edi Rama, Gramoz Ruçi dhe kandidatët e tjerë e kërkuan votën duke premtuar t’i rikthenin naftën punëtorëve të rafinerisë.
Sapo socialistët konfirmuan fitoren, Rezart Taçi pranoi ta shiste ARMO-n e mbytur në borxhe tek Heaney Assets, një kompani offshore e kontrolluar prej drejtuesve të Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit (IBA), që në 2008 pati financuar pjesën më të madhe të blerjes së ARMO-s prej tij.
Kompania offshore Heaney Assets dështoi brenda një viti, ndërsa në vitin 2015, njeriu që qëndronte pas saj, ish-drejtori i përgjithshëm i IBA-s, Xhihangir Haxhijev u arrestua në vendin e tij për një seri mashtrimesh me kreditë, ndër të cilat përfshihej edhe kredia falë të cilës Rezart Taçi bleu ARMO-n.
Pas kolapsit, asetet e ARMO-s u sekuestruan në favor të kreditorëve dhe u shitën në ankand. Rafineria e Ballshit u riposedua nga një bankë private dhe naftëtarët mbetën rrugëve./Lapsi.al