Nga Boldnews.al
Një vonesë nga ana e qeverisë, në dukje burokratike, mund të shtojë edhe me rreth dy vjet kontratën 30-vjeçare të koncensionit të landfillit të Sharrës, e cila përkthehet automatikisht në miliona euro shtesë për kompaninë “Integrated Energy BV”.
Ministria e Financave ka konstatuar se Këshilli Kombëtar i Territorit, i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ka vonuar për shumë kohë zbardhjen e lejes së ndërtimit për impiantin e përpunimit të mbetjeve.
Sipas kontratës, çdo vonesë për shkaqe që lidhen me autoritetet qeveritare, do të kompesohet me kohë të njëjtë në afatin e koncensionit.
Sipas të dhënave zyrtare, qeveria është vonuar me afërsisht dy vjet në nxjerrjen e lejes së ndërtimit.
Në 17 maj 2019, Këshilli i Rregullimit të Territorit miratoi lejen e ndërtimit me kusht për inceneratorin e Sharrës.
Sipas dokumentit, fillimi i ndërtimit të inceneratorit do të niste zbatimit, ndër të tjera, edhe pasi qeveria të plotësonte disa prej detyrimeve të saj.
Ministria e Financave, në një raport mbi ecurinë e koncensioneve, konstaton se kompania koncensionare me administrator të parë Klodian Zoton, nuk ka plotësuar planin e investimeve për vitin 2020.
Sipas Financave, arsyeja që ka çuar në mosrealizim të plotë të vlerës së investimit ka qënë koha e gjatë e marrjes së lejes së ndërtimit në KRT për objektet përbërëse të impiantit.
Leja e ndërtimit është marrë në 24 Nëntor 2020, pra më shumë se 18 muaj nga miratimi i saj.
Në nenin 4 të kontratës koncensionare mes Ministrisë së Mjedisit dhe “Integrated Energy BV” parashikohet se vonesat për shkak të nxjerrjes së lejeve të ndërtimit apo licensave, të cilat janë përgjegjësi e qeverisë, do të zgjasin automatikisht periudhën e koncensionit për një periudhë kohe të barabartë me vonesën e shkaktuar.
Pra, koncensioni i landfillit të Sharrës, rrjedhimisht, do të shtyhet edhe me të paktën 18 muaj pas afatit 30-vjeçar, i cili ishte përllogaritur fillimisht të përfundonte në vitin 2047.
Aktualisht, kompania private përfiton rreth 10 milionë euro në vit për depozitimin e mbetjeve të Bashkisë së Tiranës në landfill.
Kjo e ardhur pritet të rritet akoma më shumë, pasi pranë saj do të depozitojnë mbeturinat bashkitë e Kavajë, Durrësit e Shijakut.
Po ashtu, me ndërtimin e inceneratorit, fitimet e kompanisë do të jenë akoma më të larta, pasi qeveria do të blejë energjinë e prodhuar nga impianti i përpunimit të mbetjeve.
Kjo do të thotë se të ardhurat vjetorë të koncensionarit do të rriten shumë.
Me shtimin e afatit të koncensionit, për shkak të vonesës qeveritare, atëherë “Integrated Energy BV” do të përfitojë miliona euro edhe për të paktën dy vjet ekstra mbi afatin e kontratës koncensionare.
Historia e inceneratorëve në Shqipëri duket tipike nga ato ‘aferat korruptive e kriminale”, në të cilat lidhen fuqishëm një grusht i vogël biznesmenësh me figura të larta qeveritare.
Kompania koncensionare është formalisht në pronësi të disa shtetasve italianë. Megjithatë, shumëkush në Shqipëri, përfshirë edhe politikanë të lartë, janë të bindur se “persona-hije” janë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.
Për këtë arsye, një Komision Hetimor Parlamentar i ngritur së fundit, i ka emrat Zoto-Mërtiri në listën e personave të dyshuar për “aferë korruptive” dhe pritet t’i thërrasë për të dhënë dëshminë e tyre në një seancë dëgjimore.
Po ashtu, SPAK thotë se ka nisur hetime për “aferën e inceneratorëve”.
Disa kallëzime, të depozituara pranë Prokurorisë së Posaçme, përfshijnë një aradhë emrash, ndër të cilët kryeministri Edi Rama; zëvendësi i tij, Arben Ahmetaj; Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçi; kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj; deputeti socialist, Alqi Bllako, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, si edhe ata që konsiderohen si “biznesmenët e plehrave”, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri.