Për deputetin dhe ish-nënkryetarin e PD, Edmond Spaho për sa kohë që e kërkon shumica Kuvendi i Partisë Demokratike është ai i 11 dhjetorit.
I ftuar në “Frontline” në News 24, Spaho u shpreh se Lulzim Basha është përgjegjës për këtë situatë pasi ai ka marrë shumicën e vendimeve në PD në mënyrë personale edhe përjashtimin e Berishës nga grupi.
Ai tha se Basha vijon të qëndrojnë kryetar i PD kundër vullnetit të shumicës së demokratëve.
“Padyshim është ai që e kërkon shumica. Për sa kohë 25% e delegatëve duan thirrjen e Kuvendit, atëherë Kuvend është ai i 11 dhjetorit. Shumica absolute e Kuvendit kërkon mbledhjen e tij me 11 për shkak të mënyrës se si ka qeverisur kryetari, Kryesia deri më tani. Çështja e Berishës është kryesore sepse u përjashtua me një vendim personal duke thyer çdo normë të statutit. PD ishte kthyer në një bunker, ku nuk flitej, vendimet merreshin në mënyrë personale. Ne kishim shumë nevojë për këtë çfarë po ndodh përndryshe PD do të katandisej në një forcë periferike.
Kemi humbur 2 palë zgjedhje vendore dhe të përgjithshme, demokratët janë pa punë, kanë investuar energji prandaj frustrimi është i tyre. Tani me ‘Foltoren’ po ngjallet besimi. Në vend që të japë dorëheqjen qëndron aty kundër vullnetit të shumicës. Basha nuk duhet të kishte hyrë në garë zgjedhjet e fundit. Ne jemi përgjegjës për këtë situatë, por më shumë është kryetari i PD sepse ai ka marrë shumicën dërrmuese të vendimeve. Ne u larguam dhe e lamë Reformën në Drejtësi në dorën e Edi Ramës.
Nëse ne do të diktojmë edhe se kush do të jetë deputetet apo do të drejtojë partinë atëherë nuk kemi demokraci brenda, ua kalojmë të huajve në kompetencat e tyre. Berisha e ka hedhur në gjyq dhe do ta zgjidhë atje por kjo çështje shkundi PD-në. Nuk mund ta përjashtosh pa debat dhe votë nga Grupi. Në mënyrë tinëzare Basha mori vendimin dhe pastaj njoftoi strukturat. Berisha është themelues i PD-së. Me këtë që bëri tregoi se e ka futur PD-së që po e drejton atë si diktator”- tha ai.