Kryerja e punimeve në shtëpi nuk mund realizohet pa marrë leje nga autoritet e pushtetit vendor.
Leja mund të merret në rrugë elektronike, ose duke kërkuar leje në njësinë administrative. Për çdo punim në shtëpi, përveç lyerjes, pronari i saj mund të aplikojë online në faqen ‘e-albania’. Dokumentet e nevojshme për deklaratë paraprake për kryerje punimesh janë: formulari i deklaratës dhe formatit të përcaktuar në sistemin elektronik të lejeve, dokumenti që vërteton pronësinë e tij apo të drejta të ligjshme për pasuri private ose publike, për strukturën që ka në përdorim, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe projekti teknik i realizimit të punimeve, i firmosur nga projektues të licencuar. Në rastin kur punimet që kryhen me deklaratë paraprake për kryerje punimesh shtrihen në territorin e më shumë se një bashkie, aplikuesi do të paraqesë dokumentacionin përkatës pranë secilës bashki për punimet që përfshihen brenda territorit administrativ të kompetencës.
PROCEDURAT
Personi që do të kryejë punime në shtëpi duhet të dorëzojë për shqyrtim deklaratën paraprake për kryerje punimesh nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve, i cili mundëson edhe ngarkimin, lehtësisht, të dokumentacionit shoqërues të saj. Autoriteti vendor përgjegjës kryen verifikimet e nevojshme brenda 5 ditëve nga data e dorëzimit të saj. Në rast konstatimi të mosrespektimit të kushteve dhe kërkesave ligjore që rregullojnë deklaratën paraprake të punimeve, autoriteti vendor përgjegjës e kundërshton atë me vendim të arsyetuar. Në mungesë të përgjigjes brenda afatit 5-ditor, konfirmimi konsiderohet i dhënë në heshtje dhe sistemi gjeneron aktin përkatës dhe njofton deklaruesin për mundësinë e fillimit të punimeve.
Proceduar për marrjen e lejeve online i sqaron ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni. Në një intervistë për ‘TVSH’, ajo ka shpjeguar procesin e dhënies së lejeve të ndërtimit dhe bën të ditur se pas vënies në funksion të sistemit online, janë regjistruar 809 aplikime online në bashki e KKT dhe kanë të nisur të jepet lejet e para. Gjermani thotë se procesi online i vendosur për herë të parë në vendin tonë po ecën mirë. “Nga shtatori deri në fund të dhjetorit janë kryer rreth 809 aplikime online për leje në bashki dhe KKT. Vetëm Bashkia e Tiranës ka dhënë 45 leje ndërtimi dhe 62 leje zhvillimore, ndërsa në rang vendi janë dhënë 65 leje ndërtimi. Kjo procedurë është e hapur për të gjithë qytetarët”, – tha Gjermeni.
Sa leje ndërtimi janë aplikuar?
Unë dua të theksoj që viti i kaluar për Ministrinë e Zhvillimit Urban ka qenë i frytshëm në disa aspekte. Pikë kulmore ishte aplikimi i lejeve online të ndërtimit, gjë që u vlerësua edhe nga Banka Botërore dhe në raportin “Doing Business” patëm rankimin më të lartë. Aplikimet online filluan me ndryshimet ligjore, për ta bërë të mundur këtë gjë, më pas me përgatitjen tonë bazuar në përvojat e suksesshme të rajonit, filloi trajnimi dhe nga 1 shtatori u bë i detyrueshëm aplikimi vetëm online. Përgjegjëse janë njësitë vendore, ndërkohë që Këshilli i Territorit është përgjegjës për investimet strategjike. Stafet e bashkive janë trajnuar nga ne në vazhdimësi. Nga shtatori deri në fund të dhjetorit janë kryer 809 aplikime online në bashki dhe KKT. Vetëm Bashkia e Tiranës ka dhënë 45 leje ndërtimi dhe 62 leje zhvillimore, ndërkohë që në rang vendi janë dhënë 65 leje ndërtimi nga bashkitë, të tjerat janë në proces e sipër. Tani mund të aplikojnë të gjithë me kartën e identitetit në portalin ‘e-albania’ për çfarëdo lloj leje ndërtimi. Ne dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit e monitorojmë vazhdimisht.
Opinionistët e shohin si me efekt elektoral?
Ajo që kam ndjerë në çdo qytet, në çdo bashki, apo zonë ku kam shkuar ka qenë emocionuese për mua, për faktin se qytetarët janë sorollatur vite të tëra, shumica e tyre për 10 vite. Dhe unë do të doja që opinionistët të ngrenë këtë shqetësim të parin. Ku kanë qenë 10 vite që kjo nuk është zgjidhur? Fakti që po zgjidhet dhe po legalizohet një ndërtim pa leje dhe për më tepër po punohet qoftë për legalizimin e këtyre ndërtimeve, qoftë për kontrollin e territorit që të mos kemi më ndërtime pa leje, qoftë edhe për planifikimin e territorit që çdo gjë të bëhet në bazë të një plani, mendoj që është përqasje që i ka munguar Shqipërisë dhe kjo duhet të na gëzojë të gjithëve pa kufij politikë. E theksoj që edhe procesi i legalizimit nuk kanë qenë një proces që e kemi ndarë, këta të legalizohen se janë të majtë dhe këta jo se janë të djathtë. Kudo ka qenë një diversitet dhe e tillë do të vazhdojë, pa përjashtuar askënd. Kjo duhet të na japë një mesazh pozitiv, nuk e di pse kjo mund të merret me konotacionin elektoral pse ndodhi tani në janar, ndërkohë që shumë të tjera janë bërë, janë 24 vendime që kanë pasur impakt të jashtëzakonshëm te qytetarët. Unë besoj dhe mendoj që të kemi në një emërues të përbashkët që ta përmbyllim epokën e informalitetit dhe Shqipërinë ta fusim në zhvillimin e qëndrueshëm. Kjo është një gjë që shtetet e tjera e kanë bërë vite me radhë, shumë para nesh, jemi të vonuar me kohën, por mundemi ta bëjmë këtë gjë.
Por, nisma juaj është kundërshtuar nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani me argumentin që shkakton konflikt kompetencash dhe nuk garanton kontrollin e territorit. Sa qëndrojnë arsyet e tij kundër?
Dua të theksoj që për çdo vendim të Këshillit të Ministrave që ne hartojmë për shkak të procedurave ligjore dhe institucionale, i shkon për mendim një pjese të mirë të ministrive, padyshim Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Financave etj., në varësi të specifikave që ka çdo VKM. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ku u diskutua kjo, ministri Manjani nuk ishte kundër. Dy ndjeshmëritë e tij u sqaruan. Në fakt, që me ligjin ekzistues të legalizimeve të vitit 2006, kjo përgjegjësi për shtesat pa leje të pallateve qofshin anësore, qoftë në lartësi ishte dhe është ligjërisht e ALUIZNI-t. Shqetësimi tjetër i zotit Manjani ishte përsa u përket detyrimeve të subjekteve ndërtuese. Është e shprehur në mënyrë eksplicite të VKM-së që sapo miratuam që të gjitha detyrimet e subjekteve do të realizohen nga institucionet përgjegjëse sipas legjislacionit në fuqi. Unë diskutimet dhe mendimet qoftë ndryshe, qoftë kundra mes nesh përsa i përket përmirësimit të kuadrit ligjor i shikoj si pjesë e punës, që e pasurojnë vendimin dhe ligjin që do të kalojmë dhe e bëjnë më të mirë atë.
A do paguajnë ndonjë tarifë qytetarët apo do të jenë të çliruar tërësisht në këtë proces?
Do jenë ndërtuesit, ata që do të ftohen nga ALUIZNI për ta realizuar këtë proces, për ta ndjekur derisa të merret hipoteka për të gjithë banorët dhe do t’u lihet një afat 1 muaj. Në rast se subjektet për shumë arsye nuk janë të interesuara, atëherë do të thotë që ALUIZNI këtë përgjegjësi do ta ndjekë bashkë me qytetarët. Taksa e infrastrukturës, që është pjesë e detyrimit ligjor do të paguhet sipas legjislacionit në fuqi. Procedura e legalizimit si në të gjitha rastet do të jetë falas.
DOKUMENTET
1. Formulari i deklaratës dhe formatit të përcaktuar në sistemin elektronik të lejeve.
2. Dokumenti që vërteton pronësinë e tij apo të drejta të ligjshme për pasuri private ose publike, për strukturën që ka në përdorim, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
3. Projekti teknik i realizimit të punimeve, i firmosur nga projektues të licencuar. Në rastin kur punimet që kryhen me deklaratë paraprake për kryerje punimesh shtrihen në territorin e më shumë se një bashkie, aplikuesi do të paraqesë dokumentacionin përkatës pranë secilës bashki, për punimet që përfshihen brenda territorit administrativ të kompetencës.
Hapat e procedurës:
1. Dorëzimi i deklaratës paraprake për kryerje punimesh paraqitet për shqyrtim nëpërmjet sistemit elektronik të lejeve, i cili mundëson edhe ngarkimin, lehtësisht, të dokumentacionit shoqërues të saj.
2. Autoriteti vendor përgjegjës kryen verifikimet e nevojshme brenda 5 ditëve nga data e dorëzimit të saj.
3. Në rast konstatimi të mosrespektimit të kushteve dhe kërkesave ligjore që rregullojnë deklaratën paraprake të punimeve, autoriteti vendor përgjegjës e kundërshton atë me vendim të arsyetuar.
4. Në mungesë të përgjigjes brenda afatit 5-ditor, konfirmimi konsiderohet i dhënë në heshtje dhe sistemi gjeneron aktin përkatës dhe njofton deklaruesin për mundësinë e fillimit të punimeve. Gazeta Shqiptare