Lideri historik i demokratëve Sali Berisha deklaroi gjatë një lidhje telefonike për ‘Opinion’ se PD-ja zyrtare është Kuvendi i thirrur nga 4200 delegatë në 11 dhjetor.
Berisha iu përgjigj sulmeve të Lulzim Bashës dhe mbështetësve të tij lidhur me vlefshmërinë e firmave, duke i ftuar të shkojnë nesër dhe t’i kontrollojnë te zyra e Edi Palokës.
“Injoranca kurrë nuk është dhe nuk do të jetë argument. Janë ata që kanë frikë nga liria, kanë frikë nga anëtarësia. Nuk bëjnë dot 10 metra nga zyra e tyre për të shkuar dhe për të kontrolluar dosjen. Ata që bëjnë avokatinë e Lulzim Bashës le të shkojnë te Edi Paloka nesër. Nëse iu intereson e vërteta le të shkojnë nesër dhe të marrin një për një dokumentet dhe formularët që kanë. Kanë të dhënat, kartën e identitetit dhe funksionin e anëtarit”.
“PD-ja zyrtare është Kuvendi”, tha Berisha, ndërsa replikoi me gazetarin Robert Rakipllari.
Robert Rakipllari: Unë nuk jam këtu për t’i bërë avokatinë Lulzim Bashës, por po ju zoti Berisha që i keni avokatinë Lulzim Bashës për 16 vite…
Sali Berisha: Unë i kam sqaruar shqiptarët. Kam kërkuar ndjesë për mbështetjen që i kam dhënë. Por duhet të respektohen parimet themelore. Ju ftoj të shkoni nesër.
Robert Rakipllari: Unë nuk kam pse të shkoj. Ju keni detyrimin për t’i bërë emrat publikë. Janë sekretë këta persona?
Sali Berisha: Jo, nuk janë sekretë. Merrni ekipin e gazetarëve tuaj nesër…
Blendi Fevziu: Nesër do të shkojë Rakipllari bashkë me gazetarët.
Sali Berisha: Ka një problem të vogël. është e paprecedetë, sepse nuk ka ndodhur kurrë një Kuvend i thirrur nga anëtarët, duhet respektuar më shumë. Pse ka tmerr dhe frikë peng-kryetari?













