Është shuar mbrëmjen e sotme në moshën 83-vjeçare, këngëtarja e njohur e muzikës së lehtë shqiptare, Anita Take.
Ndarja e saj nga jeta erdhi për shkaqe natyrore në shtëpinë e saj. Ndërkohë bëhet e ditur se homazhet do të bëhen ditën e premte, datë 13 janar, nga ora 11:00 deri në orën 12:00, në hollin e Radio Tiranës. Gjithashtu mësohet se funerali nis nga ora 12:00, prej andej për në Varrezat e Sharrës. Ajo u ngjit në skenë para 50-vjetësh, por vazhdon të kujtohet me nostalgji nga të gjithë ata që e kanë ndjekur karrierën e saj artistike.
Ajo ka mbetur në kujtesën e shqiptarëve dhe shumë këngë të saj akoma këndohen edhe sot. Këngëtarja e madhe Anita (Anida) Take me ëmbëlsinë e zërit dhe interpretimin e shkëlqyer në skenë, ka lënë gjurmë të thella në historikun e muzikës dhe të këngës shqiptare.
Por përveç zërit dhe pasionit për këngën, ajo pati edhe një fat tjetër, sepse u njoh dhe lidhi jetën me një nga kompozitorët më të shquar të muzikës dhe me themeluesin e muzikës së lehtë shqiptare, Agim Prodani.
Kjo lidhje e saj me një artist dhe një mjeshtër të kompozicionit, bëri që Anita Take brenda një kohe relativisht shumë të shkurtër, të bëhej këngëtarja më e kërkuar për artdashësit shqiptarë.
Për kontributin e dhënë në muzikë dhe në këngë, ajo është dekoruar nga Presidenti me titullin e lartë: “Naim Frashëri i Artë”.
Anita Take interpretoi për publikun edhe në këto vitet e fundit.