Pas kapjes së liderit të grupit në fund të muajit të kaluar, autoritetet kolumbiane janë të përqendruara në shkatërrimin e bandës “Clan del Golfo”, rrjeti kriminal i së cilës shtrihet në 28 vende anembanë botës.
Autoritet policore njoftuan se Dairo Antonio Usuga, i njohur ndryshe si “Otoniel”, ishte bosi i drogës më i kërkuar në vend derisa u arrestua në rajonin verior të xhunglës Uraba.
Presidenti Ivan Duque tha se ishte goditja më e rëndë ndaj trafikut të drogës.
Ish-organizata e Usugës ka aleanca me pesë kartele ndërkombëtare dhe grupe mafioze për të shpërndarë 20 ton kokainë në muaj, u tha gazetarëve gjenerali Jorge Luis Vargas, drejtori i policisë kombëtare.
“Pesë kartele mafioze dhe ndërkombëtare janë drejtuesit me të cilët trafikon “Clan del Golfo”: Jalisco Nueva Generacion dhe Sinaloa në Meksikë, mafia Calabresa dhe Siciliana në Itali dhe rrjetet ballkanike,” tha Vargas.
Usuga po pastronte paratë e Klanit me njerëz të biznesit me origjinë libaneze, arabe dhe izraelite, tha Vargas, pa dhënë detaje.
“Ne kemi identifikuar 28 vende ku kokaina dërgohet nga grupi”, tha Vargas.
Krahas rrugëve të rregullta drejt Shteteve të Bashkuara përmes Amerikës Qendrore, Klani dërgon lëndën narkotike në Belgjikë, Spanjë, Holandë, Gjermani, Francë, Irlandë, Britani, Itali, Shqipëri dhe Ukrainë.
Grupi ka lidhje deri në Iran, Kinë, Australi dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, tha Vargas.
“Nuk është e zakonshme që një organizatë, dhe veçanërisht një kolumbiane, të trafikojë në ato vende.”
Qeveria ka thënë se ekstradimi i Otoniel në Shtetet e Bashkuara për akuzat e trafikut të drogës është një përparësi, por Vargas nuk dha një datë për procedurën.
Analistët thonë se arrestimi i Usuga-s mund ta ndajë klanin në grupe të vogla, të shkaktojë një luftë të brendshme ose të çojë grupe si rebelët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare që të tentojnë të marrin kontrollin, por nuk ka gjasa të ndikojë në dërgesat e drogës, raporton Reuters.