Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka folur për krizën që po kalon PD-ja.
I ftuar në emisionin “Pushteti” në Fax News Bylykbashi tha se reforma zgjedhore e miratuar nga Rama, veçanërisht heqja e koalicioneve tradicionale i ka kushtuar zgjedhjet e 25 prillit PD-së.
“Rikthimi ynë në Parlament ka qenë i debatueshëm. Edhe baza e partisë së PD-së filloi të mësohej me një realitet tjetër. Parlamenti është instrument shumë i madh që na jep mundësinë të bëjmë opozitë të fortë. Momenti kur e humb është pamundësi e madhe. Nëse do të ishim në parlament ne do të impononim më shumë në reformën zgjedhore dhe mbi të gjithë nuk do të ishte hequr koalicioni i madh që bëri Rama. Pasoja ishte humbja e zgjedhjeve. Mosqënia bashkë në koalicion na kushtoi. Gjendemi në një situatë ku mbas 25 prillit ka zhvillime që na kanë çuar në këtë debat të madh. Po ndodh një situatë e fortë brenda PD-së që ka nevojë për zgjidhje”, deklaroi Bylykbashi.
Më tej, deputeti demokrat u shpreh se Foltorja e Berishës ka filluar të rigjenerojë bazën e partisë. Ai shtoi se nëse kjo lëvizje nuk do të kishte nisur, atëherë PD do të shkonte drejt një gjumi vdekje.
“Largimi i z.Berisha nga grupi parlamentar, prodhoi një lëvizje politike që ka marrë emrin Foltore. Janë zhvillime politike që po e rigjenerojnë bazën e partisë. Nëse nuk do ndodhte Foltorja, partia do të shkonte drejt një gjumi vdekje. Rama e sheh qeverisjen të gjithë në dorën e tij. Ky eshtë produkti i të menduarit autokratik të këtij kryeministri. Nga ana tjetër kemi një opozitë që jo vetëm ka humbur zgjedhjet, jo vetëm ka një krizë të fortë, por edhe nuk inspiron me lidership. Në këtë situatë njerëzit kërkojnë zgjidhje”, tha ai.