Nga Bujar Nishani
Më së fundi Partia Demokratike ja ka arritur të gjejë fillin e shprishjes së asaj katrahure, rrëmuje e kolapsi ku e zhytën në tetë vitet e fundit, këtë parti me histori të madhe politike dhe potenciale përfaqësimi pothuajse të gjysmës së popullsisë së vendit.
Partia Demokratike si themeluese e pluralizmit shqiptar post diktatorial, qeverisëse e vendit ndër etapa me impakte historike për vendin, doli në opozitë në vitin 2013 për pasojë të logjikës normale politike të një shoqërie të lirë.
Konsumi politik prej qeverisjes, në proçese elektorale të drejta dhe barabarta, e penalizon maxhorancën dhe kërkon rotacionin e pushtetit.
Kjo ndodhi me Partinë Demokratike edhe pse me qeverisjen e saj ajo kishte lënë gjurmë të rënda kontributesh në ekonominë e shqiptarëve, lirinë e lëvizjes së tyre, garancinë përfundimtare të sigurisë kombëtare dhe ndërlidhjen e përhershme mes trojeve amtare.
Pikërisht pas këtij momenti duhet të niste proçesi i rigjenerimit politik dhe puna për një fizionomi të re për Partinë Demokratike, për të ndërtuar projektin e ri të një alternative qeverisëse të së ardhmes.
Ky proçes nuk dukej i lehtë edhe për faktin se kundërshtari politik i Partisë Demokratike, tashmë në pushtet kishte si raport politik me opozitën asgjesimin e saj.
Modeli politik i maxhorancës që kishte përballë Partia Demokratike si opozitë, ishte i mbështetur tek filozofia e “kapjes”, “korruptimit”, “degradimit”, “paralizimit” të çdo faktori, aktori, fushe sociale dhe entiteti shoqëror.
Padyshim që përtej pushteteve, institucioneve, aktorëve shoqërorë, ajo që ishte objektivi kryesor i kësaj kapje prej pushtetit ishte kundërshtari politik, ajo që e rrezikonte politikisht ta zëvendësonte si alternativë, opozita.
Pra, vetë Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Nga dita në ditë, nga muaji në muaj e nga viti në vit, pushteti nisi të kapte, korruptonte dhe asgjesonte çdo fushë, faktor, mekanizëm e dimension të shoqërisë e po rritej me formatin e një oktapodi gjigand. Përballë këtij oktapodi, opozita u shpërfaq pa kurrfarë antidoti të fuqishëm, pa asnjë projekt konkret të shtrirë në etapa të nevojshme.
Aq sa e vërtetë është që ekzistenca, forca dhe pesha e një partie të madhe qëndron tek anëtarësia dhe elektorati i saj, po aq e vërtetë është që në rastin e një drejtuesi me kufizime të theksuara në kulturën demokratike, ajo parti udhëhiqet, vendos e vepron dhe është tregues totalisht i imazhit dhe përmbajtjes së atij drejtuesi.
Ky qëlloi të ishte dhe rasti i Partisë Demokratike në epokën e opozitarizmit të tretë të saj.
L. Basha i ardhur pa merita në krye të Partisë Demokratike, rezultoi të ishte vunerabël i madh ndaj platformës së këtij oktapodi të madh pushteti që u rrit me shpejtesi në skenën politike dhe shoqërore të Shqipërisë pas 2013.
Ky vunerabilitet i skajshëm sa për arsye të paftësisë së tij epike e sa për shkak të defekteve serioze të integritetit, u përkthye në humbjen ditë pas dite të forcës politike të Partisë Demokratike, të besueshmërisë së saj tek elektorati, të seriozitetit për të qenë alternativë ndryshe e qeverisjes.
Strukturat e partisë u zëvendësuan me struktura paralele pa legjitimitet por okulte dhe anëtari u trajtua si shërbëtor për pushtetin personal të kryetarit e jo si shpirti dhe motorri i fuqisë së aksionit politik.
Nga 2013 deri në 2021 elektorati tradicional i Partisë Demokratike, u përfshi në një kaos perceptimi dhe emocionesh tek përplaseshin mes tyre; besimi me zhgënjimin, shpresa me dështimin, humbja me egon për t’ja dalë.
Në këtë kaos, përveç Edi Ramës që dilte gjithnjë i fituar, i kënaqur mbetej dhe Lulzim Basha i cili vijonte të gëzonte pushtetin e infektuar rëndë të kryetarit të opozitës.
Humbësit e mëdhenj ishin anëtarët dhe votuesit e Partisë Demokratike që ishin bërë peng i dhunës, përdhosjes dhe keqtrajtimit social e shoqëror prej pushtetit.
Pas çdo përballje elektorale në tetë vite, pushteti vijonte dominimin e kapjes dhe korruptimit të gjithshkaje, selia opozitës thellonte mpirjen dhe degradimin e konkurencës ndaj pushtetit.
Tek analizon sot faktet mbetesh i shokuar nga kurajo e lidershipit të Partisë Demokratike për të dorëzuar tek pushteti çdo kontroll politik mbi shtetin dhe sistemin që pushteti nuk kishte mundësi ta merrte vetë.
Kur Edi Rama nuk kishte mundësinë formale të bënte ndryshimet kushtetuese në interes të partisë së tij, këtë mundësi ja dhuronte Lulzim Basha.
Kur pushteti llogariste se nuk e mundëte dot koalicionin opozitar, me çdo lloj manipulimi i deformimi që të përdorte, atëhere “Kali i Trojës” shfaqej Lulzim Basha duke ja dhuruar pushtetit copëzimin opozitar.
Pas 25 prillit ra përfundimisht maska që Lulzim Basha kishte arritur ta mbante pa ja grisur dot askush, duke bërë të mundur që jo vetëm opinioni i ftohtë ndaj politikës por dhe militantët më të zjarrtë, të kuptonin tradhëtinë e madhe politike që ju ishte bërë tek pushteti prej vulëmbajtësit të partisë.
Vendimi i pamoralshëm dhe tërësisht ilegjitim i Lulzim Bashës ndaj Sali Berishës ishte veçse kulmimi i një sjelljeje vijuese e nënshtrimit ndaj interesave të drejtpërdrejta politike të Edi Ramës dhe epilogu i një skenari pengmarrje ndaj kryetarit në ikje të Partisë Demokratike.
Tashmë filli është kapur dhe “rrodhja” ka filluar të zhbëhet.
Dikush që është çuditur paksa nga distancimi kaq i madh e i menjëhershëm i anëtarësisë dhe elektoratit të Partisë Demokratike nga L. Basha dhe bashkëngjitja e tyre foltoreve të S. Berishës, duhet thjesht të kuptojë mentalitetin, parimet dhe thelbin e moralit të kësaj anëtarësie dhe atij elektorati.
Ndryshe nga mbështetja dhe struktura mbi të cilën është ngritur pushteti i E. Ramës (model të cilin tentoi pa sukses ta imitoi dhe L. Basha), elektorati dhe struktura politike e Partisë Demokratike, është pjesa e shoqërisë së ndershme, antikonformiste, e lirisë dhe jo e rrjeshtit.
Si grupim njerëzish është pretendues i standardeve reale të jetës, dinjitetit dhe të qenit vetvetja.
Ky është dhe shpjegimi midis asaj që pse elektorati i së majtës qëndron aq solid pavarësisht se interesat dhe parimet që ata kanë shkelen e tradhëtohen pafund nga lidershipi i tyre, ata qëndrojnë “stoik” në mbështetjen e tyre symbyllur, ndërsa elektorati i së djathtës është aq reagues e “buzëhollë” në raportin me të mandatuarit prej tyre.
Kjo ishte dhe arsyeja themelore e fenomenit që u pa në Partinë Demokratike me nisjen dhe gjatë foltores.
L. Basha pati krijuar një hendek të madh me anëtarësinë dhe elektoratin e PD.
Ajo mardhënie apo afinitet që ekzistonte (aq sa ishte) vinte kryesisht për “focë zakoni”, pasi si anëtarësia ashtu dhe elektorati thjesht e konsideronte L. Bashën si kryetarin zyrtar të entitetit të tyre politik.
Por po aq evident ishte fakti se L. Basha as u perceptua e as u trajtua kurrë si një lider apo model inspirues, madje edhe pse pati atë investim e mbështetje pakushte të S. Berishës.
Më në fund të gjithë u bindën me themel, që L. Basha vetëm i kishte gënjyer, pandërprerë e pafundësisht në besimin e tyre.
Ndaj filli i kapur ka garancinë e zgjidhjes deri në fund të kurthit të ngritur.
Garancia është morali, parimet, dinjiteti, integriteti i modelit që përfaqëson anëtarësia e Partisë Demokratike.
Ata do vijojnë të mbeten përherë arsyeja e ekzistencës së asaj Shtëpie të Lirisë, ekzistencë veç mbi parimet mbi të cilat ajo lindi dhe ka shërbyer gjithmonë.