Me një ton tallës, që është bërë tipik për Ministrinë e Jashtme ruse, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, sugjeroi që “nëse lindin çështje urgjente” aleanca duhet të kontaktojë ambasadën e Moskës në Bruksel, e cila merret ekskluzivisht me lidhjet dypalëshe midis Rusisë dhe Belgjikës.
Po të ekzistonin marrëdhënie normale midis aleancës dhe Rusisë do të kishte një mori “çështjesh urgjente” për t’u trajtuar: Afganistani, tensionet në rajonin Indo-Paqësor, terrorizmi, sfidat globale të migrimit.
Edhe pse askush nuk e ka shfuqizuar zyrtarisht Aktin Themelues NATO-Rusi të vitit 1997, që nga fillimi i konfliktit ruso-ukrainas në vitin 2014 marrëdhëniet midis Moskës dhe aleancës ndodhen në ngrirje të thellë.
Për Presidentin rus Vladimir Putin, kjo ndërprerje është një hap logjik. Jo vetëm sepse, si gjithmonë, ai druhet që të mos duket “i dobët”. Në një sondazh të vitit 2020 të perceptuar gjerësisht si të manipuluar, Putin siguroi që ai të qëndrojë në Kremlin deri në vitin 2036 duke e bërë atë faktikisht president të përjetshëm.
Një ftohje e re e thellë
Që atëherë ai është ngjitur në një fazë të re në luftën e re të ftohtë që po zhvillon kundër Perëndimit, në të cilën NATO-ja është simboli përfundimtar. Në minimin, nëse jo shkatërrimin e unitetit të komunitetit transatlantik, ai sheh jo vetëm një garanci sigurie për regjimin që ka ndërtuar ai në Rusi, por trashëgiminë e tij të ardhshme historike.
Mbyllja e misionit të NATO-s i jep Kremlinit një pretekst, megjithëse formal, për të përshkallëzuar gradualisht tensionet me fqinjët e Rusisë. Kryesisht me Ukrainën, por edhe me Poloninë dhe Shtetet Baltike. Për Putinin, tensione të tilla janë një mjet i rëndësishëm për përçarjen e Perëndimit dhe provokimin e mosmarrëveshjeve brenda Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Çfarë formash mund të marrë ky përshkallëzim? Mund të jenë veprime ushtarake si bllokimi i ngushticës Kerch në Detin e Zi apo ndoshta edhe i porteve ukrainase. Përsa i përket krahut lindor të NATO-s, Moska po ndihmon në krijimin e një krize migracioni në kufirin lituanez dhe polak me Bjellorusinë me mbështetjen e diktatorit të Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko. Testimi i sigurisë kufitare të NATO-s është një komponent thelbësor i taktikave të Kremlinit.
Asi në mëngën e Putinit
Kremlini është i bindur se politika të tilla do të ndihmojnë në përballjen e mëtejshme dhe në krijimin e një pyke midis francezëve, gjermanëve, italianëve dhe belgëve”të mirë” dhe polakëve, çekëve, lituanezëve, letonezëve dhe rumunëve “të këqij”.
Pak javë më parë, ambasadori i Rusisë në Belgjikë, Aleksandër Tokovinin, dha një shembull tjetër të rëndësishëm të këtyre taktikave.
Në një intervistë me gazetarët belgë, diplomati e vlerësoi Belgjikën si një komb i cili – ndryshe nga shtetet e tjera evropiane të paidentifikuara – “nuk shkakton probleme” në marrëdhëniet me Rusinë. “Ju jeni një vend i arsyeshëm,” tha ai me tonin përçmues të një administratori kolonial. Dhe menjëherë kaloi në një temë tjetër të rëndësishme – sa e dobishme dhe fitimprurëse është për çdo vend evropian të jetë klient i gjigantit rus të energjisë Gazprom.
Kjo është gjithashtu simptomatike. Kriza aktuale e gazit – të cilën Moska e përdor në avantazhin e saj -ndodh në një vit veçanërisht me fat për Putinin. Ajo vjen në krye të samitit të Gjenevës me Joe Biden-in, i cili përfundimisht i dha fund izolimit të tij ndërkombëtar; fitorja e socialdemokratëve në Gjermani (që shihen si me qëndrim miqësor ndaj Moskës), dhe vizita e zëvendëssekretares së Shtetit të SHBA Victoria Nuland në Moskë për të diskutuar çarmatimin dhe rolin e mundshëm të Rusisë në trajtimin e problemit të Afganistanit.
Është një kohë e përshtatshme që regjimi rus të bëjë publicitet për tubacionin e tij strategjik të gazit Nord Stream 2. Arma e tij kryesore tani është e mbushur dhe gati. Pasi i prishi marrëdhëniet me NATO-n, Kremlini do ta përdorë këtë dhe aftësitë e tjera në dispozicion edhe më aktivisht. /DW