Gjashtë persona janë vënë në pranga këtë të Premte në kuadër të një aksioni që zbuloi barna kontrabandë në Tiranë. Katër prej të arrestuarve janë administratorë farmacish e deposh farmaceutike.
Aksioni
Policia njoftoi se seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një hetimi 10-mujor, zhvilloi dhe finalizoi operacionin policor i koduar “Përfitimi”, në kuadër të të cilët u bë arrestimi i shtetasve:
- Blerim Bitri, 40 vjeç, administrator i një farmacie;
- Florian Marku, 39 vjeç, administrator i një farmacie;
- Margarita Xhaxhiu, 64 vjeçe, e dyshuar si dërguesja e mallrave kontrabandë;
- Jani Papuli, 66 vjeç, i punësuar nga shtetasja M. Xh;
- Florian Lila, 40 vjeç, administrator i një farmacie;
- Bashkim Osmani, 56 vjeç, administrator i një depoje farmaceutike.
Referuar burimeve zyrtare nga policia, arrestimi i tyre u bë pasi gjatë periudhës së Covid-19, këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shisnin medikamente të dyshuara kontrabandë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar barna të ndryshme, një automjet dhe 6 aparate celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe i pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për shëndetin” dhe “Tregtim dhe transportim i mallrave kontrabandë”, shtuan të njëjtat burime.