Papa Francesku zhvilloi një vizitë 3 ditore në Hungari dhe Sllovaki, ku takoi udhëheqësit e dy vendeve.
Në kthim nga vizita baritore në Hungari e Sllovaki, Papa Francesku deklaroi se për Kishën Katolike të cilën ai kryeson martesa është vetëm lidhja mes burrit e gruas.
“Unë kam folur qartë për këtë” u tha Papa gazetarëve në avion gjatë rrugës së kthmit në Romë. “Martesa është një sakrament. Kisha nuk ka pushtet të ndryshojë sakramentet. Dhe martesa si sakrament është burri me gruan”, u shpreh Papa Francesku.
Ai gjithashtu e dënoi abortin si vrasje e jetës njerëzore.
István Károly Kuzmányi (Magyar Kurír):
Shenjtëri, faleminderit për vizitën tuaj në Budapest, ku përmendët kardinalin Mindszenty, që pati thënë: “Nëse ka një milion hungarezë që luten, nuk kam frikë nga e ardhmja…”. Pse vendosët të merrni pjesë në Kongresin Eukaristik në Budapest pas 21 vjetësh dhe si e shihni krishterimin në Evropë?
Ndokush mendoi keq për vizitën në Budapest, ashtu ishte planifikuar, por unë i premtova presidentit tuaj të shohim nëse mund të shkoj vitin e ardhshëm, ose tjetrin. Janë të shumta vlerat e hungarezëve, më bëri përshtypje ndjenja e ekumenizmit tepër, tepër e thellë. Në përgjithësi, Evropa – e them gjithmonë – duhet të marrë sërish në dorë ëndrrat e Etërve të saj themelues. Bashkimi Evropian nuk është takim për të bërë gjëra, ka një frymë në bazën e BE-së, ëndërruar nga Schumann, Adenauer, De Gasperi. Ka rrezik që të kthehet në një lloj zyre administrative e s’duhet të jetë kështu; duhet të shkojë në rrënjët shpirtërore, t’i kërkojë rrënjët e Evropës dhe të ecë përpara, duke u bazuar në to. Të gjitha vendet duhet të ecin përpara. Është e vërtetë se disa interesa, ndoshta jo-evropiane, përpiqen ta përdorin Bashkimin Evropian për kolonizime ideologjike e kjo s’është gjë e mirë. Tek ju[hungarezët] kam qenë vitin e kaluar, në Transilvani… ishte shumë e bukur ajo meshë.
Bohumil Petrik (Dennik Standard):
Vaksinimi i ka ndarë të krishterët në Sllovaki. Ju thoni se është akt dashurie, por në dioqeza të ndryshme ka pasur qëndrime të ndryshme. Si mund të pajtohemi për këtë çështje?
Është pak e çuditshme kjo, sepse njerëzimi ka një histori miqësie me vaksinat: me atë kundër fruthit, poliomielitit… ndoshta kjo virulencë vjen edhe për shkak të pasigurisë, jo vetëm të pandemisë. Ka një larmi vaksinash e është përhapur edhe fjala për disa vaksina, që janë pak më shumë se ujë i distiluar, prandaj, kjo ka krijuar frikë. Të tjerë thonë se është e rrezikshme, pasi mendojnë se me anë të vaksinimit hyn në trup virusi. Edhe në kolegjin e kardinajve ka disa negacionistë e njëri prej tyre, i shkreti, është shtruar në spital me koronavirus. Ironi e fatit. Nuk di si ta shpjegoj mirë, disa thonë se vaksinat nuk janë testuar sa duhet. Duhet sqaruar kjo punë. Në Vatikan janë vaksinuar të gjithë, përveç një grupi të vogël, të cilin po studiohet si ta ndihmojmë.
Daniel Verdú Palai (El Pais):
Të dielën paradite u takuat me kryeministrin Orban e kuptohet se keni disa divergjenca me të. Donim t’ju pyesnim si shkoi takimi, nëse u prek çështja e emigrantëve dhe ç’mendoni për ligjet mbi homoseksualët, që ai ka miratuar.
Erdhën për vizitë tek unë, presidenti pati mirëdashjen të vijë ai tek unë, – kjo është hera e tretë që e takoj – e, erdhi bashkë me kryeministrin e me zv.kryeministrin. Foli presidenti. Tema e parë ishte ekologjia, vërtet chapeau për ju hungarezët, për vetëdijen ekologjike që keni: më shpjegoi si i pastrojnë lumenjtë, gjëra që nuk i dija. Pastaj pyeta për moshën mesatare, sepse jam i shqetësuar për dimrin demografik, në Itali mosha mesatare është 47, Spanja mendoj edhe më keq, shumë fshatra janë bosh, ose me shumë të moshuar. Si zgjidhet kjo punë? Presidenti më shpjegoi ligjin e tyre për t’i ndihmuar çiftet e reja të martohen, të kenë fëmijë. Interesant, është ligj, që duket mjaft i ngjashëm me ligjin francez, por më i zhvilluar. Ma shpjeguan këtë e aty shtuan diçka kryeministri dhe zv.kryeministri… si është ky ligj. Për emigracionin, asgjë. Pastaj iu kthyem temës së ekologjisë. Familjes, në kuptimin demografik: duket qartë se ka shumë të rinj, shumë fëmijë. Edhe në Sllovaki, shumë çifte të reja. Tani sfida është të krijohen vende pune, që ata të mos dalin jashtë për t’i kërkuar. Këto ishin temat… Foli gjithnjë presidenti, të dy ministrat shtonin ndonjë të dhënë. Takimi zgjati mjaft, rreth 40 minuta.
Gerard O’Connell (SHBA):
Së pari doja t’ju them se të gjithë jemi të gëzuar për operacionin, i cili ka pasur një rezultat të shkëlqyeshëm, ju jeni rinuar!
Më thanë se dikush donte të bënte të njëjtën ndërhyrje… por s’ishte ndërhyrje estetike.
Ju shpesh keni thënë se jemi të gjithë mëkatarë dhe se Eukaristia nuk është shpërblim për të përsosurit, por ilaç dhe ushqim për të dobëtit në shpirt. Siç e dini, pas zgjedhjeve të fundit në SHBA, pati një diskutim ndërmjet ipeshkvijve për dhënien e kungimit atyre politikanëve, që mbështesin ligje pro abortit. Ka ipeshkvij, që duan t’ia mohojnë kungimin presidentit dhe zyrtarëve të tjerë. Ipeshkvij të tjerë janë në favor, të tjerë akoma thonë se nuk duhet përdorur Eukaristia si armë. Çfarë mendoni ju dhe çfarë u këshilloni ipeshkvijve? E ju, si ipeshkëv, gjatë gjithë këtyre viteve, a ia keni refuzuar ndokujt publikisht Eukaristinë?
Nuk ia kam refuzuar kurrë Eukaristinë askujt, nuk e di nëse ka ardhur ndonjë, që ishte në këto kushte! Kjo, si meshtar. Është e vërtetë se s’e kam ditur kurrë nëse kam para meje një person si ai që më përshkruani. Hera e vetme, që më pati ndodhur diçka simpatike, ka qenë kur shkova për të kremtuar meshën në një shtëpi për të moshuar, isha në dhomën e ndenjes dhe thashë: kush dëshiron kungimin? Të gjithë ngritën duart. Një grua e moshuar ngriti dorën, mori kungimin dhe tha: “Faleminderit, unë jam hebre”. E unë: “Edhe ajo, që të dhashë, është hebre!”. Kungimi nuk është shpërblim për të përsosurit – le të mendojmë për xhansenizmin – kungimi është dhuratë, është prania e Jezusit në Kishë dhe në bashkësi. Natyrisht, ata që nuk bëjnë pjesë në bashkësi nuk mund të marrin kungimin, si kjo zonjë hebre, por Zoti deshi ta shpërblente edhe atë, pa dijeninë time. Jashtë bashkësisë s’e marrin kungimin, sepse nuk janë pagëzuar, ose janë larguar.
Problemi i dytë, ai i abortit: është më shumë se problem, është vrasje, kush bën abort vret, s’ka fjalë tjetër. Merrni çfarëdolloj libri embriologjie për studentët e mjekësisë. Javën e tretë pas zënies, të gjitha organet janë të formuara, të gjitha, edhe ADN-ja… është jetë njerëzore. Kjo jetë njerëzore duhet respektuar, ky parim është krejt i qartë! Atyre, që nuk mund ta kuptojnë, do t’u bëja këtë pyetje: a është e drejtë të vrasësh një jetë njerëzore për të zgjidhur një problem? A është e drejtë të punësosh një vrasës për të zhdukur një jetë njerëzore? Shkencërisht, është jetë njerëzore. A është e drejtë ta zhdukim për të zgjidhur një problem? Kjo është arsyeja pse Kisha është kaq e ashpër për këtë çështje, pasi nëse e pranon është sikur të pranonte vrasjen e përditshme. Një kryetar shteti më pati thënë se rënia demografike filloi në ato vite kur kishte një ligj mbi abortin aq të lirshëm, saqë u kryen gjashtë milionë aborte e kjo shkaktoi rënien e lindjeve në shoqërinë e atij vendi.
Tani le të shohim rastin e personit, që nuk bën pjesë në bashkësi e nuk mund ta marrë kungimin. Ky nuk është dënim për të, është jashtë… Por problemi nuk është teologjik, është baritor, ka të bëjë me mënyrën si e trajtojmë ne ipeshkvijtë këtë parim e, nëse shikojmë historinë e Kishës do të vërejmë se sa herë që ipeshkvijtë i kanë trajtuar problemet jo si barinj, kanë mbajtur një krah politik a një tjetër. Le të mendojmë për natën e Shën Bartolomeut – heretikë? Po; le t’i therim të gjithë. – Të mendojmë edhe për gjuetinë e shtrigave, për Campo di Fiori[ku dogjën Xhordano Brunon], për Savonarolën… Kur për të mbrojtur një parim, Kisha vepron në mënyrë jo baritore, ajo përfshihet në nivelin politik, mban anë: gjithmonë kështu ka qenë, mjafton të shikoni historinë. Çfarë duhet të bëjë bariu? Të jetë bari, jo të dënojë. Të jetë bari, sepse i tillë është edhe për ata, që s’mund të marrin kungimin. Barinj me stilin e Zotit, që është afërsi, dhembshuri dhe butësi. E gjithë Bibla e thotë këtë. Një bari, që, si i tillë, nuk di të administrojë. Nuk i di shumë mirë të gjitha hollësitë për SHBA-të… Por, ç’ndodh nëse je i afërt, i butë dhe e jep kungimin? Është një hipotezë kjo, bariu e di se ç’duhet bërë, në çdo kohë. Por nëse del nga kuadri baritor i Kishës bëhet politikan e kjo duket në të gjitha dënimet jo-baritore të Kishës… Nëse thua “mund të jepet, ose të mos jepet”, kjo është sipas rastit… A e mbani mend stuhinë, që u përplas mbi “Amoris laetitia”? Herezi, herezi! Për fat të mirë, kardinali Schoenborn, teolog i madh, i sqaroi gjërat… Janë bij të Zotit dhe kanë nevojë për afërsinë tonë baritore, pastaj, bariu i zgjidh gjërat siç e dikon Shpirti Shenjt.
Stefano Maria Paci (Sky Tg 24):
Mendoj se ky mesazh që do t’ju jap, do ta konsideroni dhuratë. Më kërkoi t’jua jap Edith Bruck, shkrimtarja hebre, që e vizituat në shtëpi… një mesazh i gjatë, nënshkruar si “motra juaj Edith”, me të cilin ajo ju falënderon për gjestet dhe thirrjet kundër antisemitizmit në këtë udhëtim.
Antisemitizmi po ringjallet, është në modë, është gjë e keqe, shumë e keqe…
Ju folët me autoritetet hungareze e nga Strasburgu mbërriti edhe një rezolutë, që kërkon njohjen e martesave homoseksuale. Çfarë mendimi keni?
Martesa është sakrament, Kisha nuk ka pushtet për t’i ndryshuar sakramentet, që i krijoi Zoti. Ka ligje, që përpiqen t’i ndihmojnë njerëzit me orientim të ndryshëm seksual. Kjo është e rëndësishme, shtetet kanë mundësi t’i mbështesin nga pikpamja civile, t’u japin atyre sigurinë e trashëgimisë, të shëndetit, etj., jo vetëm homoseksualëve, por të gjithë njerëzve, që duan të shoqërohen me njëri-tjetrin. Ama, martesa është martesë. Kjo nuk do të thotë t’i dënojmë, ata janë vëllezërit dhe motrat tona, duhet t’i shoqërojmë. Le të bëjmë ligje civile, për vejushat për shembull, që duan të shoqërohen… me një ligj për të pasur shërbime… Kemi të ashtuquajturin PACS francez, por s’ka të bëjë me martesën si sakrament, që është ndërmjet një burri dhe një gruaje. Nganjëherë krijohet konfuzion. Janë vëllezër e motra, të gjithë njëlloj, Zoti është i mirë, dëshiron shpëtimin e të gjithëve, por ju lutem mos lejoni që Kisha ta mohojë të vërtetën e saj. Shumë njerëz me orientim homoseksual i afrohen Sakramentit të pendesës, i kërkojnë meshtarit këshillë, Kisha i ndihmon, por sakramenti i martesës është tjetër gjë.
Në fund, Papa shtoi:
Lexova diçka të bukur për njërin prej jush. Thuhej se kjo gazetare është në dispozicion 24 orë për punë dhe se gjithmonë i lë të tjerët të kalojnë para saj e ajo mbrapa, se u jep fjalën të tjerëve dhe ajo hesht. Kështu thotë Manuel Beltran për Eva Fernandezin tonë, faleminderit!