Nga Andi Bushati
Mark Marku i është shtuar sot përfundimisht listës së gjatë të atyre që e përshkruajnë PD-në me notat më të errëta dhe në ditën e saj më të zezë. Po të qëmtosh me vëmendje argumentat e rendituara në dorëheqjen e tij si deputet, gjendja duket katastrofale. Një parti e atrofizuar, që s’ështv në gjendje të reagojë ndaj masakrës që u organizua kundër saj, që s’ka asnjë plan për të ardhmen, që nuk di ku do të shkojë, meraku i vetëm i së cilës është të kryej formalitetet e zgjedhjes së drejtuesve dhe të përpiqet të gënjejë militantët dhe shoqërinë për rolin e vet të vërtetë.
Në një kuptim, këto kritika nuk janë as një risi dhe as një çudi. Shtypi dhe ekranet tona janë përditë të stërmbushura me një pjesë të këtyre akuzave ndaj opozitës, ashtu sikurse ndodh rëndom në çdo regjim autoritar. Pra Marku bashkohet me të gjithë propogandistët pro Edi Ramës, që vizatojnë një Bashë kukull të Berishës, të pa aftë për aksion, manjak në mashtrime për të fshehur realitetin e gjërave, gjumash kur vjen puna për akte të forta, për të cilat nuk ka as plan dhe as projekt.
Por ama, duhet nënvizuar qartë që, ndonëse këto lloj argumentash ngjajnë në formë, mes tyre qëndon i hapur një hendek i madh. Pjesa më e madhe e kritikave ndaj Bashës bëhen me qëllimin hileqar për të zgjatur pushtetin e Ramës, ndërsa ajo e Mark Markut ngre në thelb një shqetësim të kundërt: nëse Basha ka forcën, vullnetin, moralin, vizionin dhe kurajon për ti shpëtuar shqiptarët nga ky regjim kleptokratik.
Pra ndryshe nga sharjet e e lakejve të pushtetit, meraku i tashmë ish deputetit të PD-së, niset nga premisa e një shoqërie më normale dhe i një Shqipërie më të mirë.
Pikërisht për këtë ai meriton vëmendje, diskutim serioz dhe hapjen e një debati për qorrsokakun ku po e shpinen opozitarizmin një grusht sharlatanësh pa gjak, pa ngjyrë dhe pa nder.
Argumentat e largimit nga forumet e PD janë tronditëse. Ato përshkruajnë një parti të tredhur për të reaguar, të pa aftë për të protestuar, të shndërruar në mburojë për aferat e liderëve të saj, një PD ku njerëzit kanë frikë të thonë mendimin e tyre, një aparat të burokratizuar, që po degradon përditë e më shumë në një dekor të thjeshtë të qeverisë rilindase.
Nisur nga konstatimi i këtyre njollave, ai është larguar nga forumet e PD, duke besuar se beteja kundër regjimit të rilindjes bëhet më mirë jashtë mureve dhe barierave të opozitës zyrtare.
E këtu qëndron thelbi i problemit që ka hapur me forcë largimi i një prej të paktëve deputetë që arriti të fitojë në zgjedhjet e 25 prillit: A është në gjendje PD e Bashës të marrë mbi supe barrën e opozitarizmit në këtë vend? A mund të shërbejë dot ajo për të mbrojtur numrin e pallogaritshëm të të shtypurve prej regjimit (të papunë, minatorë, qytetarë me prona të grabitura, viktima të krimit dhe atyre që nuk gjejnë drejtësi në gjykata)? A përbën ajo qoftë dhe një shpresë minimale për një shoqëri më të mirë? A vazhdon të gëlojë brenda saj idealizmi i një ndryshimi pozitiv?
Ndoshta për nostalgji, ndoshta për një lloj përkatësie të pakonsumuar, Mark Marku nuk i shkon të vërtetës deri në fund, por me aktin e largimit dhe me konstatimet që ka bërë, ai nuk na lë dilema: PD është një parti që e ka mbyllur ciklin e saj. Në gjithçka ajo është bërë njësoj si rilindja, vetëm më e dobët në fuqi, më e varfër në para dhe më e pa mbështetur nga krimi. Jo më kot, pak kohë më parë, studiuesi dhe kritiku i iluminuar, Aurel Plasari hidhte idenë e përmbylljes së misionit të saj duke e përmbledhur në shprehjen “ta mbyllë dyqanin”. Ndoshta PD kaq e pati takatin dhe këtej e tutje mund ti bëjë vetëm keq Shqipërisë. Duke luajtur rolin e një opozite të pa aftë dhe fallco, ajo vetëm ndihmon regjimin dhe vret shpresat e krijimit të shpejtë të një kundërshtie reale kundër tij. E në këtë pikë më mir të shkrihet sesa të vazhdojë një zvarritje që na tërheq pas edhe ne të tjerët.
Ky është, në fakt, mesazhi real i alarmit që dëgjuam sot, ndonëse klithësi i tij nuk preferoi ta artikulonte kaq vrazhdë.
/Lapsi.al/